Aspekti i pasurisë dhe fizikut në dashurinë vëllazërore

Dashuria e vëllazërisë në Islam ka disa kushte, të cilat duhet t’i përmbushin ata të cilët bashkohen në këtë dashuri. Kur t’i përmbushin këto të drejta të cilat i ka bërë obligim lidhja apo vëllazëria në Islam, atëherë me këtë, do të afrohen edhe më shumë tek Allahu dhe te dashuria e Tij dhe do të arrijnë shkallët e larta në Xhenet.

Kanë ardhur hadithe të shumta prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të cilat flasin për të drejtat e vëllazërisë në Islam, si:

-“Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë gjashtë: Kur ta takojë t’i japë selam, kur ta ftojë t’i përgjigjet, kur t’i kërkojë këshillë ta këshillojë sinqerisht siç dëshiron për vetveten, kur të teshtijë dhe thotë “Elhamdulilah – Lavdërimi e falënderimi i takon Allahut” atëherë t’i thotë “Jerhamukellah – Allahu të mëshiroftë!”, kur të sëmuret ta vizitojë dhe kur të vdesë të përcjellë xhenazen e tij.”

-“Kini kujdes prej paragjykimeve ndaj vëllezërve muslimanë sepse ato është gënjeshtra më e madhe, mos gjurmoni për të metat e njëri-tjetrit dhe mos garoni me njëri-tjetrin në gjërat e kësaj bote të cilat sjellin urrejtje ndërmjet jush, mos kini zili njëri-tjetrin dhe mos urreni njëri-tjetrin. Por jini robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton dhe nuk e nënçmon. Devotshmëria është këtu (thotë tri herë dhe bën me shenjë nga zemra). I mjafton njeriut t’i shkruhet e keqe kur nënçmon vëllain e tij musliman. Çdo musliman në raport me muslimanin tjetër e ka të ndaluar të prekë tri gjëra: jetën e tij, nderin e tij dhe pasurinë e tij.” Buhariu dhe Muslimi

Kjo lidhje mes dy muslimanëve dhe më shumëve, është një lloj kontrate siç është kontrata mes dy bashkëshortëve, dhe duke qenë kështu, atëherë kjo lidhje kërkon medoemos përmbushjen e disa të drejtave të cilat përfshijnë aspektin e pasurisë, fizikut, gjuhës dhe zemrës.

Sa më shumë që ata t’i respektojnë dhe t’iu kushtojnë rëndësi këtyre të drejtave ndërmjet njëri-tjetrit atëherë do të vazhdojë edhe dashuria dhe do të shtohet bashkimi e afërsia. Kur ata iu përkushtohen këtyre të drejtave, do të hyjnë në grupin e atyre të cilët duhen për hir të Allahut dhe do të arrijnë shpërblimet e mirësitë në këtë botë dhe tjetrën (të përmendura nëpër hadithet të cilat flasin për ata që duhen për hir të Allahut).

» Aspekti i pasurisë

-Nëse vëllai musliman të ka borxh dhe ka vështirësi të ta kthejë atë, duhet t’ia shtysh afatin, ose t’ia falësh borxhin. Allahu thotë: “Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.” Bekare 280.

-T’ia lehtësosh çështjet përmes pasurisë që posedon. Kjo ka tri nivele:

  1. T’ia plotësosh nevojat nga pasuria e cila të tepron, pa ta kërkuar këtë (ky është niveli më i ulët).
  2. Ta bësh bashkëpjesëmarrës në pasurinë dhe gjërat e tua. Hasan el Basriu ka treguar se muslimanët e parë (sahabët dhe ata që kanë ardhur pas tyre) kanë ndarë edhe rrobat mes veti. Ndërsa, Ali ibën Husejn i ka thënë një njeriut: “A ke arritur deri në atë gjendje që ndonjëri nga vëllezërit e tu musliamanë mund të fusë dorën në xhepin tënd dhe të marrë sa të dëshirojë prej monedhave që ke?!” Ka thënë: “Jo.” Atëherë ai ka thënë: “Atëherë nuk jeni vëllezër për hir të Allahut.”
  3. T’i japësh përparësi nevojave të tij ndaj nevojave të tua (ky është niveli më i lartë – niveli i të sinqertëve). Transmetohet se një njeriut në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, dikush ia kanë dhuruar një kokë dele dhe ka thënë: “Vëllai im është më nevojtar për të.” Dhe ia ka dërguar, pastaj ky ia ka dërguar tjetrit, pastaj ky ia ka dërguar një tjetrit, derisa i është kthyer personit të parë, pasi ka kaluar nëpër shtatë persona, duke i dhënë secili përparësi tjetrit më shumë sesa vetes edhe pse të gjithë kanë qenë nevojtarë. Po ashtu e dimë se kur muhaxhirët kanë arritur në Medine, ensarët kanë ndarë me ta çdo gjë që kanë pasur nga pasuria e tyre.

Nëse ne nuk kemi arritur asnjërën prej këtyre niveleve, atëherë le ta dimë se lidhja vëllazërore mes nesh ende nuk ka depërtuar në zemrat tona – thjeshtë është një lidhje formale.

 

» Aspekti i fizikut

-Ta ndihmosh vëllain tënd me trupin/forcën tënde në nevojat e tij, pa e kërkuar këtë dhe pasi e kërkon (këtë duke e bërë me shumë dëshirë) – ky është niveli më i ulët.

-Nevojën që ka vëllai yt ta llogaritësh sikur nevojën tënde. Transmetohet për disa nga muslimanët e parë se kur u ka vdekur ndonjë vëlla musliman, atëherë janë kujdesur për familjen e tij për çdo gjë që kanë pasur nevojë dhe kjo ka zgjatur për 40 vite.

-T’i japësh përparësi nevojës së vëllait tënd mbi nevojat e tua – ky është niveli më i lartë.

-Të vizitosh vëllezërit muslimanë për hir të Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit