LE TË JETË SYNIMI YT BOTA TJETËR

LE TË JETË SYNIMI YT BOTA TJETËR

-Në shumë ajete Allahu na inkurajon dhe na nxitë për të kërkuar botën tjetër dhe për të punuar për të, prej tyre: “Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.” Isra 18-19. Dhe: “Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.” Shura 20.

-Shumë prej njerëzve e kanë tepruar në përpjekjen për të tubuar sa më shumë nga të mirat e kësaj bote, dhe kjo ka qenë arsyeja që ata kanë hedhur pas shpine shumë prej veprave të mira, si: e shtyjnë namazin apo e falin pak para se t’i dalë koha shkaku punës, disa nga injoranca e disa nga neglizhenca. Ne nuk jemi krijuar që të qëndrojmë në këtë botë. Sado që të arrish prej mirësive të kësaj bote nuk do të arrish të kënaqesh me to, përveçse vetëm një kohë të shkurtë, e pastaj vjen vdekja.

-Si të arrish të jesh prej ithtarëve të botës tjetër: Duke kërkuar sa më shumë dije fetare (të mësosh për Librin e Allahut, për hadithin, për çështjet fetare në përgjithësi) dhe ta zbatosh atë në praktikë. Ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Janë dy njerëz të kapluar nga shqetësimet dhe kurrë nuk ngopen: kërkuesi i dijes dhe kërkuesi i dunjas, ata nuk janë të barabartë me njëri-tjetrin kurrsesi. Ai i cili vazhdimisht kërkon dije dhe nuk ngopet me të, shton Kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit. Ai i cili e kërkon dunjan, edhe më shumë zhytet në tejkalimin e kufijve (në mëkate).”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Poezi për zuhdin”.

Madhësia e tekstit