Tre personave të cilëve u rritet vlera e veprës së mirë
Janë disa gjendje nëpër të cilat kalon njeriu e të cilat ia rrisin vlerën veprës së mirë, siç është rasti: kur një person e tërheq një mëkat për ta vepruar dhe duke qenë në këtë gjendje e braktisë. Ky ka shpërblim më të madh sesa ai që i vepron këto pa e pasur këtë tërheqje (joshje). Shembull: nga shtatë personat që do të futen nën hijen e Arshit të Allahut Ditën e Gjykimit janë edhe këta të tre:
- Udhëheqësi i drejtë. Ky ka pushtet, është udhëheqës, ka përkrahës që ia zbatojnë urdhrat dhe nganjëherë ka të atillë që ia zbukurojnë të këqijat dhe i thonë se zullumi është e drejta dhe gjëja që e meritojnë (njerëzit), e me tërë këto joshje ai i përmbahet drejtësisë. Shpërblimi i tij është më i madh sesa ai që nuk e ka këtë joshje dhe këtë pozitë.
- Ai i cili është rritur duke e adhuruar Allahun. Ai është i fortë fizikisht, por jo i pjekur mjaftueshëm në mënyrë që të dijë pasojat e mëkateve që bën, epshin e ka në kulminancion, e megjithëkëtë dobësi dhe joshje ai i përmbahet fesë së Allahut, ruhet dhe jeton ashtu siç Ai është i kënaqur me të.
- Ai njeri të cilin e ka ftuar të bëjë imoralitet një grua e bukur, me pushtet, me autoritet, që ka mundësi të përfitojë nëse i përgjigjet, e nëse e refuzon ka mundësi që edhe ta kërcënojë, e megjithatë e refuzon dhe i thotë: Unë kam frikë Allahun. Pa dyshim në këtë gjendje kryerja e kësaj vepre të mirë është shumëfish më e vlefshme sesa të kryhej në rrethana të tjera.
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.