Trajtimi i kapjes së dobët për feje
- Leximi i Kuranit dhe i haditheve profetike vazhdimisht. Jo vetëm lexim kalimthi, por me meditim e reflektim.
- Largimi nga mëkatet, e gjithashtu nga ato të voglat. Duhet ditur se njeriu nuk ka mundësi të largohet nga të gjitha mëkatet e vogla, mirëpo aq sa është mundësia duhet të largohet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka tërhequr vërejtjen duke na thënë: “Kini kujdes ndaj mëkateve të cilave nuk u kushtoni vëmendje (pra mëkateve të vogla) sepse ato tubohen te njeriu derisa ta shkatërrojnë.”
- Mesataria në çështjet e lejuara të kësaj bote, as ta teprojë e as të jetë i shkujdesur. Pastaj të mundohet të bëjë bashkë mes angazhimeve ditore dhe kryerjes së punëve të mira. Pastaj ta luftojë veten e ta edukojë atë që të jetë njeri serioz e i vendosur, dhe jo labil. Pastaj të jetojë në shoqërinë e muslimanëve e veçanërisht me ata që janë të njohur me dije e mirësi, sepse kjo forcon vendosmërinë e qëndrueshmërinë në bindjen ndaj Allahut. Po ashtu të kërkojë vazhdimisht ndihmë prej Allahut, ta lusë që ta bëjë të qëndrueshëm e të fortë në fenë e Tij, sepse pa dyshim kush kërkon ndihmë prej Allahut sinqerisht, Ai i përgjigjet. Pastaj të dijë obligimin që ka në jetën e kësaj bote, pse jemi këtu. Nuk kemi ardhur të hamë e të pimë, të shumohemi, të flemë, dhe vetëm kaq, mirëpo jetën e kësaj bote duhet ta konsiderojmë si arë të cilën e mbjellim, që frutat t’i marrim në botën tjetër.
- Merr shembull Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem (se çfarë ka vepruar), shokët e tij, dijetarët e mirëfilltë të umetit islam. Lexo biografinë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, sepse kjo ta zbutë zemrën dhe të mëson të përballesh me vështirësitë dhe sprovat e shumta që has në jetën e kësaj bote. Po ashtu, lexo biografinë e sahabëve e dijetarëve pas tyre etj. Kujto vdekjen, vëlla! “Kujtojeni atë që ua trazon kënaqësinë!” Hadith. Ajo është vdekja. Kujto vdekjen dhe se çfarë do të ndodhë pas saj. Ço ndërmend shkujdesjen që ke ndaj kryerjes së obligimeve ndaj Allahut, sepse kjo të bën që të vazhdosh përpara.
- Të kesh kapje reale për feje, si:
-kërko dijen fetare, nuk mund të jesh i kapur për feje nëse nuk lexon për të, ose zbatimi yt do të jetë i zbehur.
-kryerja e sa më shumë adhurimeve,
-t’i thërrasësh të tjerët në rrugën e Allahut,
-të urdhërosh për të mirë e të ndalosh nga e keqja,
-të largohesh nga gjynahet,
-të cilësohesh me morale të mira,
-të mos e teprosh me gjëra të lejuara.
- Njeriu është e pamundur të qëndrojë vazhdimisht në këtë që thamë, e ajo që kërkohet është të mos tregohet neglizhent dhe të vazhdojë kështu, por menjëherë (posa ka rënë) duhet të kujdeset (duke mos vazhduar në “gjumin” që e ka e kapluar). Muslimani i mirëfilltë është ai që kujdeset për veten, që e lufton vetveten vazhdimisht në bindjen ndaj Allahut, në kryerjen e veprave të mira dhe që largohet nga mëkatet, deri sa t’i vijë vdekje. Dhe në fund, pa harruar lutjen drejtuar Allahut vazhdimisht sepse ajo është çelësi i çdo mirësie dhe i ndihmës prej Allahut.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.



