Gëzimi për ardhjen e Ramazanit
Ka shumë gjëra të cilët bëjnë që muslimani t’i gëzohet ardhjes së muajit Ramazan. Prej tyre janë:
- Shpërblimi i madh. Agjërimi është rrugë që çon drejt xhenetit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim (se Allahu e ka bërë obligim) dhe duke llogaritur shpërblim tek Allahu, i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi.
- Hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e zjarrit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të vijë Ramazani hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen djajtë.” Buhariu dhe Muslimi. Si rezultat i këtyre muslimani shton veprat të cilat e ofrojnë tek Allahu.
- Ndjesia madhështore dhe e mrekullueshme të cilën Allahu e hedh në zemra. Kjo vjen edhe si rezultat kur njeriu sheh të tjerët duke nxituar në vepra të mira.
- Vigjilenca dhe nxitimi drejt punëve të mira.
- Realizimi i punëve madhështore.
- Agjërimi, iftari, namazi i teravive, lutjet, të gjitha këto e bëjnë të ndihet krenar se është musliman e se kjo fe është madhështore dhe rruga e drejtë.
- Iftari. Kur vjen çasti i iftarit sjell ndërmend begatinë e Allahut i Cili pas disa orëve të gjata adhurim e testim, ia ka lejuar pastaj të shuajë etjen dhe urinë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel agjërimin e tij dhe kur e takon Zotin e Tij (në Ditën e Gjykimit, e Ai pastaj e shpërblen për agjërimin dhe mundin që ka bërë në jetën e kësaj bote).”
Hoxhë Petrit Perçuku | Transkriptim.