Nxitja në punë të mira

Nxitja në punë të mira

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se në natën e parë të Ramazanit një thirrës thërret:

“O të që synon të mirën, nxito dhe angazhohu me vepra të mira!”

Drejt çfarë gjëje të nxitojë?

Të nxitojë:

-Drejt mirësive të shumta në këtë muaj madhështor.

-Drejt veprave të llojllojshme të cilat e ofrojnë tek Allahu.

-Drejt mëshirës së Allahut e cila i mbulon njerëzit në këtë muaj sepse Allahu liron shumë njerëz nga zjarri në çdo natë të Ramazanit.

-Drejt agjërimit që është vepër e pashoqe e pakrahasueshme me vepra. E kanë pyetur të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem: “Më urdhëro me një vepër me të cilën Allahu do të më sjellë dobi?” E i ka thënë: “Përmbaju agjërimit sepse nuk ka diçka të ngjashëm me të!” Gjithashtu ka thënë në një hadith: “Agjërimi është mburojë nga zjarri i xhehenemit“.

-Drejt lutjeve, sepse i tërë Ramazani është sezon i bekuar gjatë të cilit Allahu u përgjigjet lutjeve, e veçanërisht gjatë çeljes së iftarit siç ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se për agjëruesin në ato momente është një lutje e pa refuzuar.

-Drejt leximit të Kuranit fisnik, sepse muaji i Ramazanit është muaji i Kuranit, “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani”, Bekare 185. E agjërimi nuk mund të jetë i këndshëm, siç dëshiron muslimani, pa e përmendur Allahun e pa lexuar Fjalët e Tij.

-Drejt namazit të natës, teravive. Allahu i ka lavdëruar ata që ngritën nga gjumi dhe e lusin Atë e falen natën, “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë” Sexhde 16. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe me shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.” Dhe: “Kush falet së bashku me imamin derisa të përfundojë namazi i natës, i shkruhet se është falur tërë natën.”

-Drejt bujarisë, dorëdhënies. U jep të tjerëve, shtron iftare, i ushqen të varfrit, u ndihmon nevojtarëve, tregon mëshirë ndaj atyre që janë nëpër gjendje të rënda.

-Drejt adhurimeve që nuk mund t’i kryejë jashtë këtij muaji, adhurime të shumta, i shijon siç nuk i ka shijuar më parë.

Të gjitha këto e bëjnë të jetë serioz e të nxitojë drejtë punëve të mira dhe të shfrytëzojë këtë shans të artë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku | Transkriptim.

Madhësia e tekstit