Tërheqja e besimtarit nga të këqijat në Ramazan
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar se në natën e parë të Ramazanit një thirrës thërret:
“O ti që synon të keqen, tërhiqu!”
Njeriu i cili nuk tërhiqet nga të këqijat as në Ramazan, kur do të tërhiqet prej tyre?!
Ky hadith është argument se njeriu ka dëshirë dhe vullnet, të cilat pastaj e nxisin të veprojë të këqija apo të synojë të mirën. Kuptimi i kësaj pjese të hadithit është: O ti që synon të keqen, përmbaje veten, tërhiqu, mos nxito drejt të këqijave në Ramazan dhe turpërohu prej Allahut.
Pason pyetja: Përse njeriu të tërhiqet nga të këqijat në Ramazan? Kjo ka disa arsye:
-Ramazani është sezonë e mirësive, shumë i vlefshëm, në të cilën shtohen në peshë punët e këqija, ashtu siç shtohen në peshë edhe punët e mirë.
-Shejtanët prangosen dhe shpirtrat e njerëzve janë më afër punëve që ofrojnë tek Allahu. Dyert e xhenetit hapen dhe dyert e xhehenemit mbyllen. Këto bëjnë që njeriu të nxitojë drejtë punëve të mira.
-Muaji i Ramazanit prej fillimit deri në fund është i mbushur me mirësi, me bekime e bereqete të shumta, të cilat gjithsesi muslimani duhet t’i shfrytëzojë e assesi të tregohet neglizhues ndaj tyre. Drejt këtij kuptimi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dha shenjë në një hadith kur tha: “Qoftë i poshtëruar (i nënçmuar) ai person i cili e arrin Ramazan dhe përfundon ai, e atij nuk i falen mëkatet!”
-Ramazani me vetë atmosferën e tij që ka bën që njeriu të turpërohet më shumë prej Allahut e të ketë shpirt më të qetë i cili nuk e nxitë drejt mëkateve. Ai person që nuk e ka turp Allahun gjatë jetës së tij, atëherë së paku le të turpërohet në Ramazan, ngaqë shejtanët janë të lidhur e shpirtrat e njerëzve janë të etur e të përmalluar për mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij.
-Njeriu duhet të tërhiqet nga të këqijat në Ramazan në mënyrë që të mos futet te grupi i mëkatarëve të mëdhenj të cilët nuk i zmbraps as Ramazani dhe asnjë sezonë i mëshirës e mirësisë dhe të cilët kanë larguar nga vetja petkun e turpit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prej fjalëve që i kanë trashëguara njerëzit nga profetësitë e lashta, është fjala “Nëse nuk turpërohesh atëherë vepro çfarë të duash!” Buhariu.
Hoxhë Petrit Perçuku | Transkriptim.