Ramazani është muaji i bujarisë

Ramazani është muaji i bujarisë

Ramazani është shkollë e cila na mëson mëshirën ndaj të tjerëve, ai forcon lidhjet ndërmjet muslimanëve, andaj nëse dëshiron të jesh prej bujarëve në muajin Ramazan, ashtu siç ishte i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, atëherë duhet të shfrytëzosh çastet e këtij muaji në aspektin e bujarisë, dorëdhënies dhe ndihmës ndaj të tjerëve. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ishte personi më bujar e më dorëlirë, dhe kjo i shfaqej më së shumti në Ramazan.”

Disa njerëz, edhe nëse janë bujarë e dorëlirë gjatë Ramazanit, këtë e bëjnë me gjëra të pakta e të vogla, ngase shpirtin e kanë të lidhur pas pasurisë. Nuk duhet të jemi të tillë. Gjatë Ramazanit duhet të lirojmë dorën. Përcillet nga brezat e parë të Islamit se kur vinte Ramazani thoshin: “Erdhi ai që fshin mëkatet, andaj lirojeni dorën!”

Pse të tregohemi bujarë e dorëlirë gjatë Ramazanit? Kjo për disa arsye:

-për të pasuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem i cili në Ramazan bëhej edhe më bujar dhe më i mëshirshëm,

-sepse gjatë Ramazanit shumëfishohen shpërblimet për punë të mira (si: dhënia iftar për agjëruesit e varfër),

-sepse lëmosha korrigjon defektet që bëhen brenda agjërimit,

-sepse ka njerëz të cilët kanë nevojë të madhe për ndihmë etj.

Megjithëkëtë, bujaria në Ramazan nuk kufizohet vetëm te dhënia e pasurisë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ishte bujar vetëm me pasuri, por me të gjitha llojet e bujarisë (u ndihmonte njerëzve me trupin e tij, me pasurinë e tij, me dijen e tij etj.).

Muslimani duhet të tregohet njeri produktiv gjatë Ramazanit, të jetë aktiv, të marrë pjesë në projekte bamirësie, me aq sa ka mundësi, e jo të shtojë gjumin apo dembelinë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit