I Dërguari i Allahut dhe Ramazani

I Dërguari i Allahut dhe Ramazani

I Dërguari salAllahu alejhi ue selem së pari përgatitej shumë para ardhjes së Ramazanit dhe i përgëzonte shokët e tij për ardhjen e Ramazanit, në mënyrë që t’i nxiste të jenë sa më të përgatitur në aspektin shpirtëror dhe psikik para se të vinte ai.

Gjatë Ramazanit atij i shtohej bujaria dhe dorëdhënia. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ishte njeriu më bujar e më dorëlirë, dhe kjo i shfaqej më së shumti në Ramazan kur e takonte Xhibrilin.” Madje e ngjasoi atë me erën e cila bart shiun me vete, pra që bartë mirësi të shumta.

Pejamberi salAllahu alejhi ue selem e kishte gjuhën të angazhuar me dhikër dhe me lexim të Kuranit. Madje, Xhibrili e vizitonte çdo natë në Ramazan dhe e përsërisnin Kuranin.

Bujaria e tij nuk kufizohej vetëm me pasuri, mirëpo u ndihmonte njerëzve me dijen e tij (e përhapte atë), me trupin e tij etj.

Tek ai, Ramazani ishte muaj i seriozitetit, i dorëdhënies, i punës, i luftës, madje beteja e Bedrit dhe çlirimi i Mekës kanë ndodhur pikërisht në Ramazan, dhe kjo na jep të kuptojmë se Ramazani nuk është muaj i gjumit e i dembelisë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në këtë muaj shtonte punët e mira.

Netët e Ramazanit tek ai ishin të mbushura me namaz të natës, me studim dhe përsëritje të Kuranit me Xhibrilin, madje i nxiste shokët e tij duke iu thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit (namaz nate, teravi) me besim dhe me shpresë (në shpërblim) i falen mëkatet e kaluara.” Pastaj u thoshte: “Kush falet me imamin derisa ai të largohet, i shkruhet se është falur tërë natën.”

Ushqimi i tij gjatë Ramazanit nuk dallonte prej ditëve të tjera. Ai nuk përgatitej me ushqime të shumta, siç veprojmë ne sot, mirëpo ushqimi i tij ishte i zakonshëm sikur në muajt e tjerë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i nxiste shokët e tij t’iu shtrojnë iftare agjëruesve nevojtarë, që njerëzit të ndjenjë rëndësinë e bashkimit, mëshirës dhe solidaritetit. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mëshirojini ata që janë mbi tokë, do t’iu mëshirojë Ai që është mbi qiell.”

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit