Pendimi dhe kthimi tek Allahu në Ramazan
Sa gjë e bukur është që njeriu të pendohet gjatë Ramazanit! Sa gjë e bukur është që t’i pranojë mëkatet e tij e të kthehet tek Allahu gjatë këtij sezoni madhështor e fisnik! Ai nuk duhet ta humbasë shpresën në Mëshirën e Allahut, sado që ka bërë mëkate në të kaluarën. Allahu thotë: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!” Zumer 53.
Pse pendimi është aq i mirë dhe i këndshëm gjatë Ramazanit? Kjo për disa arsye:
-Lind në një sezon të mbushur me mirësi e vlera të mëdha.
-Personi që pendohet në Ramazan, këtë pendim e themelon mbi vendosmëri të fuqishme dhe përpjekje të madhe nga aspekti i besimit.
-Atmosfera shpirtërore në Ramazan i nxit njerëzit dhe vendosmëritë e tyre që të pendohen dhe i bën që të jenë të qëndrueshëm e të kapur fort për fenë e Allahut, gjë që e shohim të gjithë gjatë Ramazanit.
Andaj, nëse nuk pendohesh në Ramazan, kur do të pendohesh?! Kur pret të pendohesh?!
Vazhdimisht kujto Mëshirën e madhe të Allahut, Faljen e Tij të gjerë, pastaj shiko vlerat e mëdha të Ramazanit i cili është një sezon madhështor dhe begati e mirësi e madhe. Sado të kesh bërë mëkate e vepra të liga, kthehu tek Allahu, nxito me pendim për tek Ai, shfaqe istigfarin tënd, ndërpriti mëkatet e bëra deri tash dhe tregohu i sinqertë dhe i vërtetë me Allahun gjatë Ramazanit sepse ndodhë të jetë Ramazani i fundit për ty. Allahu thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Ta he 82.
Në suren Furkan, Allahu përmend krime e mëkate të tmerrshme, pastaj në fund thotë: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan 70.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith kudsij tregon se Allahu ka thënë: “O biri i Ademit, përderisa më lut Mua dhe shpreson tek Unë, Unë do t’i fali mëkatet e tua… O biri i Ademit, edhe nëse mëkatet e tua arrijnë kupën qiellore e pastaj kërkon falje prej Meje, Unë të fali…” Allahu kërkon prej teje vetëm pendimin dhe kthimin tek Ai, sinqerisht dhe me vërtetësi.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith kudsij tregon se Allahu ka thënë: “O robërit e Mi, ju bëni mëkate gjatë natës dhe ditës dhe Unë i fali të gjitha mëkatet, por kërkoni falje prej Meje e Unë ju fali.”
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.