Gëzimi për ardhjen e Ramazanit
Me ardhjen e Ramazanit, shpirtrat e njerëzve gëzohen e lumturohen. Andaj, muslimani duhet të shfrytëzojë këtë rast të volitshëm e madhështor, të dijë vlerën e kohës në të cilën jeton dhe të çmojë këtë dhuratë e ta shfrytëzojë kohën e tij.
Fillimisht ajo çfarë kërkohet prej muslimanit është që ta falënderojë Allahun për besimin që ia ka dhuruar dhe që ia ka mundësuar të arrijë Ramazanin.
Prej gjërave të pëlqyeshme është që muslimani të urojë edhe vëllezërit e tij për arritjen e këtij muaji.
Muslimani duhet ta presë Ramazanin me gëzim dhe përmallim, megjithatë ky gëzim duhet të jetë i shoqëruar me vepër, me seriozitet dhe me nxitim drejt punëve të mira, “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit…” Ali Imran 133.
Muslimani duhet ta gjallërojë Ramazanin me ambicie të larta, me vërtetësi në vendosmërinë e tij, në mënyrë që të triumfojë me bekimet e këtij muaji dhe të vjelë dobitë e tij.
Ai duhet të jetë i kujdesshëm që të lirohet sa më shumë prej angazhimeve të panevojshme, në mënyrë që t’i përkushtohet sa më shumë adhurimeve dhe të nxitojë drejt veprave që ofrojnë tek Allahu e të cilat Ai i ka vendosur brenda këtij muaji.
Muslimani i mirëfilltë duhet ta çmojë kohën e Ramazanit dhe të dijë vlerën e saj e pastaj ta shfrytëzojë në punë të mira.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të vijë Ramazani, hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen djajtë.” Buhariu dhe Muslimi. A ka vlerë më të madhe sesa kjo? A ka mirësi më të madhe sesa kjo? A ka nxitje dhe inkurajim më të madh sesa ky?
Ai salAllahu alejhi ue selem i përgëzonte shokët e tij dhe u thoshte: “Ky muaj (Ramazani) është afruar. Në të është një Natë e cila është më e mirë sesa njëmijë muaj. Kush privohet prej saj, është privuar nga çdo e mirë. Nuk privohet nga mirësia e saj veçse ai që është vërtetë i privuar.”
Kërkohet prej muslimanit që të përpiqet shumë ta edukojë vetveten në kryerjen e mirësive dhe ta ruajë veten nga ndalesat, sepse jemi duke jetuar në një kohë kur mirësitë janë pakësuar e ndërsa të këqijat janë shpeshtuar e janë bërë të llojllojshme.
Duhet bërë kujdes në ruajtjen e agjërimit tonë nga gjërat të cilat e zhveshin nga shijimi i adhurimeve brenda Ramazanit dhe agjërimit.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.