Gruaja muslimane gjatë Ramazanit

 

Gruaja muslimane gjatë Ramazanit

Çdo tekst fetar që na nxitë drejt punëve të mira dhe në largimin prej mëkateve, është i përgjithshëm si për burrat si për gratë (me përjashtim nëse ekziston ndonjë argument i cili i veçon). Edhe gruaja muslimane duhet të zbatojë urdhrat e Allahut dhe të largohet nga ndalesat. Prej saj kërkohet një gjë e tillë ashtu siç kërkohet edhe prej burrave.

Femra muslimane e ka obligim të agjërojë Ramazanin kur të hyjë në moshën madhore (me njërën prej shenjave që janë të njohura).

Edhe gratë duhet të nxitojnë drejt punëve të mira gjatë Ramazanit, ta falënderojnë Allahun që ua ka mundësuar ta arrijnë atë dhe ta shfrytëzojnë këtë shans madhështor. Allahu thotë: “…bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira” Bekare 148. Dhe: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit” Ali Imran 133. Kjo i përfshin sikur burrat ashtu edhe gratë. Gruaja ka mundësi që edhe ajo të garojë me burrat drejt punëve të mira, drejt dijes fetare, drejt adhurimeve të ndryshme, drejt përmendjes së Allahut, drejt lëmoshës etj. Ajo që është me rëndësi është të përpiqet dhe të punojë punë të mira. Allahu thotë: “Për këtë (shpërblim), le të përpiqen ata që përpiqen.” Mutafifin 26.

Gruas muslimane i lejohet të jetë e pranishme në namazin e teravive, mirëpo me kusht që ta ketë ashtu siç duhet mbulesën, të mos mbajë aromë (parfum) e cila u shkakton fitne meshkujve dhe që të mos lërë ndonjë obligim (mangët) në shtëpinë e saj të cilin duhet ta përmbushë (si: kujdesi dhe edukimi i fëmijëve).

Gruaja muslimane duhet të ketë parasysh gratë e mira të devotshme para saj dhe t’i marrë për shembull, si: Aishen, Khadixhen, Fatimen, radijAllahu anhune, Asijen etj. Ishin pikërisht veprat e tyre të mira që e kanë bërë të përjetshëm përmendjen e tyre gjatë historisë.

Gruaja muslimane duhet të ketë kujdes që agjërimin e saj ta ketë të saktë dhe ashtu siç duhet, të largohet nga defektet e gjuhës (gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve etj.), të angazhohet me përmendjen e shpeshtë të Allahut, me dëgjimin e ligjëratave islame, me dëgjim të Kuranit, edhe nëse është duke i bërë punët e shtëpisë.

Ajo mund të përpiqet në dhënien lëmoshë, në shtrimin e iftareve për agjëruesit, në ushqyerjen e të varfërve etj.

Nga ana tjetër, janë disa gjëra prej të cilave duhet të ruhet gruaja muslimane, si:

-shpeshtimi i vizitave, sepse ato ia humbasin kohën e çmuar të Ramazanit,

-të mos e braktisë shtëpinë e saj me kohë të gjatë sepse kjo çon në gjëra jo të mira,

-të mos tregohet e shkujdesur ndaj hixhabit, veçanërisht kur del për në xhami,

-të mos angazhohet së tepërmi me punë të shtëpisë sepse kjo ka pasojë shkujdesjen ndaj punëve të mira (dhikrit, leximit të Kuranit).

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit