Ramazani muaji i Kuranit
Ramazani është edhe muaji i Kuranit, i leximit të tij, i meditimit në të dhe i nxjerrjes së dobive prej tij. Agjërimi i njeriut nuk mund të jetë i këndshëm pa lexim të Kuranit, pa përmendjen e Allahut, pa lutjet drejtuar Atij.
Është muaji i Kuranit ngase Kurani ka zbritur në Ramazan. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Kurani ka zbritur nga Leuhi Mahfudh – Pllaka e ruajtur mirë, në shtëpinë Bejtul Izze, në qiellin e kësaj bote, gjatë muajit të Ramazanit në Natën e Kadrit.” Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit” Kadr 1.
Për muslimanin agjërues është e pëlqyeshme që gjatë këtij muaji t’i kthehet Kuranit. Allahu duke e lavdëruar Kuranin dhe duke treguar pozitën e lartë që ka, thotë: “Pa dyshim që Kurani është krenari për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni!” Duhan 44. Kurani është burim i krenarisë dhe mburrjes për çdo musliman.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e përsëriste Kuranin çdo natë me Xhibrilin alejhi ue selem gjatë Ramazanit.
Nëse muslimani i kthehet Kuranit me vërtetësi e seriozitet dhe përpjekje të shumtë në leximin dhe meditimin e tij, kjo përbën një lloj garimi në punë të mira, siç thotë Allahu: “bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira” Bekare 148.
Brezat e parë të muslimanëve i ishin përkushtuar tërësisht Librit të Allahut duke e lexuar dhe medituar rreth tij, kjo ngase e dinin vlerën dhe madhështinë e Kuranit, dinin fuqinë që përmbajnë fjalët e tij, që janë Fjalët e Zotit të botëve, fjalët më të mira, më të vërteta, më të pastra. Uthmani radijAllahu anhu thoshte: “Sikur zemrat tona të ishin të pastra, nuk do të ngopeshin me Fjalët e Allahut.” Ata përfundonin hatme pas hatme, numër të madh të hatmeve. Kjo na jep të kuptojmë se sa serioz që ishin, sa përpjekje të mëdha bënin në leximin e Kuranit dhe se çfarë ambicie të larta kishin ndaj leximit të Librit të Allahut.
Prej bekimeve e bereqeteve brenda Ramazanit është se atë Allahu e ka bërë si një shkollë e cila të mëson se si duhet të meditosh mbi Kuranin. Ramazani është shkollë e cila të ofron me Ramazanin, e cila bën ta shijosh këtë muaj dhe të përfitosh prej mësimeve që përmban.
Qëllimi i zbritjes së Kuranit është të meditosh e reflektosh mbi ajetet e tij, e jo vetëm ta lexosh me gjuhë. Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”. Sad 29.
Kush e arrin këtë ëmbëlsi (meditimin mbi Kuranin), Allahu ia mundëson të arrijë besimin e mirëfilltë, ia gjallëron zemrën dhe ia pastron shpirtin, dhe pastaj do të bëhet prej njerëzve më të mençur, do të dijë të dallojë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e kota. Për këtë arsye, sa më shumë që mediton rreth Kuranit dhe reflekton rreth vargjeve të tij, kjo ta shton dashurinë dhe respektimin ndaj Kuranit dhe bën që të jesh më i kapur për feje. Gjëra të tilla nuk mund të arrihen veçse kur angazhohesh pas Kuranit.
Janë disa hapa që të arrish deri te përsiatja dhe meditimi mbi Kuranin, prej tyre:
-Të lexosh Kuranin ngadalë, qartë, qetë, pa nxituar.
-Të kesh njohuri të përgjithshme mbi shpjegimin e Kuranit.
-Të ecësh kështu vazhdimisht, e jo të tregohesh i shkujdesur.
-Të reflektosh lidhur me kuptimin e ajeteve që lexon, kjo që pastaj të dalësh me dobi madhështore nga leximi i Kuranit.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.