Ramazani ndryshon trupin e njeriut
Agjërimi në përgjithësi, e në veçanti gjatë Ramazanit, përmirëson trupin e njeriut. Kjo pa dyshim nga aspekti se njeriu e ka për obligim të përmbahet nga ushqimi e pirja dhe nga gjërat që ia prishin atë. Kështu muslimani agjëron përafërsisht 12 orë apo më shumë, gjatë të cilave nuk shijon as ushqim e as pije, dhe këtë e bën duke kërkuar shpërblimin e Allahut, “Kush agjëron me besim tek Allahu dhe duke llogaritur shpërblim tek ai…”
Nëse njeriu është që ha e pi shumë, atëherë duke agjëruar e gdhend/edukon veten e tij, ndërsa duke e përmendur Allahun e gdhend anën shpirtërore, dhe kështu prej trupit të tij largohen sëmundje të ndryshme e pastaj ndjen rehati e qetësi shpirtërore e shëndet të plotë. Ashtu siç agjërimi është një ilaç që të sjellë lumturi, po ashtu është ilaç që të jep fuqi fizike, të mëson se si të përballesh me gjëra që të rrethojnë dhe se si të jesh i durueshëm.
Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm!” Zinxhiri i hadithit është i dobët, mirëpo mund të themi se kuptimi nga ky aspekt që cekëm më lartë është i saktë. Pra, agjërimi trajton dhe shëron sëmundje të ndryshme.
Në anën tjetër, vërejmë se gjatë Ramazanit edhe konsumimi i ushqimeve pakësohet. Agjëruesi e çel iftarin me hurma e ujë pastaj ha një lloj a dy lloje të ushqimeve dhe ndjen se është ngopur, madje edhe pesha e disa njerëzve ndryshon për shkak të agjërimit dhe për shkak të mënyrës së të ushqyerit. Të gjithë e kuptojnë se agjëruesi e largon urinë e tij me një shujtë të lehtë në iftar.
Edhe trupat e atyre që pinë duhan (që është mëkat) bëhen më të shëndetshëm në Ramazan dhe shpirtrat i kanë me të qetë, pastaj pas Ramazanit e shfrytëzojnë këtë për braktisjen e duhanit apo pakësimin e tij.
Agjëruesi pëson ndryshim edhe në aromën e gojës së tij. Megjithatë, kjo aromë është e dashur tek Allahu: “Aroma e keqe në gojën e agjëruesit është më e dashur tek Allahu se aroma e parfumit.”
Agjëruesi i gëzohet iftarit, “Agjëruesi ka dy gëzime: njëri kur çel iftarin dhe tjetri kur takon Zotin e tij”. Kur dëgjon këto hadithe madhështore shpirti e trupi gjallërohet dhe i shtohet dashuria për agjërimin dhe kupton se kjo botë me kënaqësitë e saj nuk mund të krahasohet aspak me një çast agjërimi për hir të Allahut në muajin e Ramazanit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem duke treguar pozitën e lartë të agjërimit i thotë një prej shokëve të tij: “Përmbaju agjërimit, sepse nuk diçka të ngjashme si ai.” Dobitë e tij janë të shumta e të llojllojshme.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.