Trajtimi i situatave të lumturisë

Trajtimi i situatave të lumturisë

Autori thotë: “Ata (pasuesit e imanit dhe veprave të mira) situatat e lumtura i pranojnë siç është më së miri, me falënderim ndaj Allahut dhe i përdorin në gjëra të dobishme.”

Autori këtu na tregon se si ithtarët e besimit dhe të punëve të mira i pranojnë begatitë e Allahut, të cilat i duan dhe kënaqen me to, qofshin ato që kanë të bëjnë me anën materiale e fizike (rrizku, pasuria, shëndeti etj.), apo me anën kuptimore (besimi, dija, përmirësimi etj.). Ata i pranojnë ato ashtu siç është më së miri (kjo e para), e kjo do të thotë: e dinë se ato janë mirësi prej Allahut, dhurata prej Tij, nderë prej Tij, i mirëpresin me gëzim e lumturi, por ky gëzim nuk i shpie në arrogancë, në mendjemadhësi dhe mburrje, por i presin me modesti. Ky është niveli i parë i falënderimit/mirënjohjes, që është falënderimi me zemër.

Pastaj, (e dyta) e falënderojnë Allahun për to, ashtu siç është më së miri, e lavdërojnë Atë. Ky është falënderimi me gjuhë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem lutej: “O Allah, na bëj prej atyre që janë mirënjohës dhe falënderues ndaj begative Tua, na bëj prej atyre që të lavdërojnë për to, na mundëso t’i pranojmë ato ashtu siç është më së miri dhe na plotëso ato (na jep më shumë)!”

Pastaj, i përdorin ato në gjëra të dobishme (ky është niveli i tretë), që të forcohen për të qenë sa më afër Allahut, i përdorin në gjëra që u sjellin dobi në fenë e tyre dhe jetën e tyre. Përmes tyre ndihmohen që të bëjnë jetë komode, të rehatshme, që ua ruan nderin dhe fytyrën (të mos lypin) dhe përmes tyre nuk ndihmohen në ndalesa. Njeriu duhet të ketë kujdes që begatitë e Allahut t’i shfrytëzojë aty ku Ai është i kënaqur. Kjo arrihet kur ua di vlerën atyre begative. Sa e sa begati janë me të cilat rrethohemi e të cilave nuk ua dimë vlerën! Kur nuk i çmojmë begatitë e Allahut atëherë ato do të largohen prej nesh. Allahu thotë: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. Ibrahim 7-8. Duhet të kapemi pas falënderimit (shukrit), ta ruajmë atë. Dijetarët atë e quajnë: “Ruajtësi i begative” dhe “Sjellësi i begative (që nuk i ke)”. Duke u treguar mirënjohës e falënderues ndaj Allahut, kjo bën që të ruhen begatitë që ke dhe të të shtohen ato që nuk i ke. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e falënderonte Allahun në çdo gjendje. Allahu thotë: “…njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet…” Adijat 6. Dhe: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” Ibrahim 34. Ne jetojmë të rrethuar me begati të Allahut. Personi që i harron ato apo i bëhen monoton, i ka mohuar ato. Pastaj, fillon e qorton Zotin e vet dhe numëron fatkeqësitë (se i duken se janë më të shumta sesa begatitë). Ai ankohet, sepse dunjaja ia ka kapluar zemrën. Dhe si rezultat, ka mendim të keq për Allahun dhe e sheh veten të pafat, të mjerë. Ai i dëshiron ato gjëra që përputhen me egon e tij, me tekat e epshet e tij. Por, jeta e kësaj bote nuk është e atillë që çdo gjë ta kesh në favorin tënd.

Për t’i ruajtur begatitë e tua që t’i ka dhënë Allahu, duhet t’i përdorësh aty ku është i kënaqur Ai. E jo përmes tyre t’i bësh mëkat Allahut, sepse kështu i ke mohuar begatitë e Tij. Nëse gjymtyrët e tua nuk i përdor ashtu siç Allahu është i kënaqur, atëherë nuk je treguar mirënjohës për to. Allahu thotë: “…pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” Sebe 13. Shembuj të mosfalënderimit: Prindërit e tu janë shkak që ti ekziston në jetën e kësaj bote, andaj nëse sillesh keq me ta, atëherë je duke u treguar mosmirënjohës për këtë begati. Fëmijët që ke janë begati e madhe, mirëpo nëse nuk i edukon dhe i neglizhon, atëherë je duke u treguar mosmirënjohës ndaj Allahut për këtë begati. Bashkëshortja jote është një begati, mirëpo nëse i bën padrejtësi, nuk je duke u treguar mirënjohës për këtë begati, dhe anasjelltas, bashkëshorti është begati, e nëse e lëndon atë atëherë je duke u treguar mosmirënjohëse. Puna që ke është begati e Allahut, e nëse tregohesh i papërgjegjshëm atëherë nuk je duke u treguar mirënjohës ndaj Allahut që ta ka mundësuar atë. Siguria në vendin tënd është begati, e nëse shkakton diçka që e trazon atë, atëherë je duke u treguar mosmirënjohës ndaj Allahut për këtë begati. Shëndeti është begati e madhe, e nëse konsumon gjëra që e dëmtojnë atë, atëherë je duke u treguar mosmirënjohës për të. Më kryesorja, Kurani, që është një begati madhore, nëse e bojkoton, as nuk e lexon, as nuk e mëson e as nuk mediton rreth tij, atëherë je duke u treguar mosmirënjohës për këtë begati.

Prej formave më të rrezikshme të mosmirënjohjes ndaj begative të Allahut është kur të kap monotonia ndaj tyre. Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Kur Allahu ia do të mirën (udhëzimin) njeriut, bën që ai të kuptojë se begatia që ia ka dhënë është begati, e bën të kënaqur me të dhe e frymëzon ta falënderojë Atë… Nuk diçka më të dëmshme për të sesa kur begatitë e Allahut i bëhen monotone e mërzitet prej tyre, sepse kështu më nuk i sheh si begati dhe nuk e falënderon Allahun për to dhe nuk u gëzohet atyre, mirëpo fillon t’i urrejë, të ankohet dhe mendon se janë sprovë prej Allahut.” Njeriu e ka në natyrë të tij të jetë mosmirënjohës ndaj begative të Allahut.

Gjendja e pasuesve të besimit, karshi begative të Allahut, është se ata e falënderojnë për to, pastaj si rezultat u shtohen ato. Ndryshe prej të tjerëve të cilët kanë mendjemadhësi, arrogancë dhe mosmirënjohje ndaj Allahut për begatitë e Tij, e pastaj si rezultat ato begati largohen prej tyre dhe në vend të tyre vjen dënimi e shkatërrimi për ta.

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit