Trajtimi i situatave të pakëndshme

Trajtimi i situatave të pakëndshme

Autori thotë: “Ata (pasuesit e imanit dhe veprave të mira) situatat e papëlqyera, shqetësimet, ankthin, brengat dhe pikëllimin, i përballojnë me rezistim sa të munden dhe me pakësim të pasojave të tyre sa të munden. E nëse nuk kanë mundësi as të parën e as të dytën, atëherë i përballojnë me durim të mirë ngase nuk kanë zgjidhje tjetër.”

Autori këtu na tregon se si është gjendja e besimtarëve karshi sprovave, gjërave të pakëndshme e të dëmshme, me të cilat përballen. Ata i përballojnë ato me rezistim (ato gjëra që kanë mundësi t’u rezistojnë). Kjo do të thotë: fillimisht veprojnë shkaqet me anë të të cilave përpiqen t’i largojnë para se të goditen me to, apo përpiqen t’i largojnë pasi goditen me to. Ata përpiqen fortë në këtë në mënyrë që të shpëtojnë nga pasojat dhe gjurmët e tyre. Prej pasojave të tyre është ankthi, shqetësimi, brenga dhe pikëllimi. Andaj, besimtarët e mirëfilltë mundohen t’i zmbrapsin këto gjëra aq sa kanë mundësi, t’iu rezistojnë, nuk dorëzohen dhe i veprojnë shkaqet.

Nëse nuk kanë mundësi për këtë, pra as të mbrohen paraprakisht prej tyre, e as pasi goditen duke i zmbrapsur, atëherë (pason niveli i dytë) i lehtësojnë, i zbusin, që do të thotë: nëse nuk munden të largojnë të keqën në tërësi, atëherë mundohen të lehtësojnë pasojat e së keqes. Ashtu siç në fe është qëllim që njeriu të largojë të këqijat nga vetja, po ashtu është qëllim pakësimi i gjurmëve të të këqijave, në veten e tij, familjen apo rrethin ku jeton.

E nëse nuk munden as të parën e as të dytën, atëherë durojnë në mënyrë të mirë. Kur besimtarët e mirëfilltë goditen me sprova të cilat nuk mund t’i përballojnë e të mbrohen prej tyre, apo t’i largojnë, apo të pakësojnë pasojat e tyre, atëherë armatosen me durim të mirë, të bukur, siç ka thënë Jakubi alejhi ue selem: “Unë do të duroj me durim të mirë”, dhe dijetarët kanë thënë se durimi i mirë është i zbrazur prej ankesave, nuk ka në të hidhërim dhe shfaqje të pakënaqësisë ndaj Caktimit të Allahut. Shumë njerëz thonë: “Jam durimtar” mirëpo sheh se gjuha e tyre rrëshqet duke folur fjalë që tregojnë se janë të paqëndrueshëm përball sprovës. Ata (që bëjnë durim të mirë) janë të dorëzuar ndaj gjykimit të Allahut dhe krahas kësaj shpresojnë shpërblim tek Ai dhe presin nga Ai ndihmë e rrugëdalje. Pritja e ndryshimit të gjendjes prej Allahut, kjo në vetvete është adhurim. Do të shpërblehesh edhe për pritjen që bën për të ta larguar Allahu atë gjendje të rëndë që ke. Kur të jesh në gjendje të rëndë, të vështirë, duhet bërë kujdes duke ia ndërprerë shejtanit të gjitha rrugët me të cilat mundohet të depërtojë deri tek ti, kjo sepse kur je në gjendje të rëndë, pikërisht shejtani të sulmon, mundohet të të fusë mendime të këqija për Allahun e të të zemërojë me caktimin e Tij dhe kështu të ta humbasë shpërblimin për durimin dhe për pajtimin me caktimin e Allahut.

Kur plotëson këto tri nivele, atëherë kjo tregon për përsosmërinë e urtësisë dhe mendjes së personit.

Autori thotë: “Për këtë (përballim), arrijnë gjëra të mëdha, dobi të mëdha, përvoja të ndryshme, fuqi të zemrës, durim dhe shpërblimin e Allahut, që bëjnë që të gjitha ato (sprova) të zbehen/zhduken karshi tyre (të mirave që përfitojnë).”

Autori me këtë do të na tregojë se kur besimtari i përballon gjendjet e rënda e të vështira me të cilat nuk është i kënaqur, i tejkalon dhe i trajton siç duhet e si është më së miri, atëherë si shpërblim për këtë Allahu i jep durim shumë të madh. Ai pastaj kalitet/ushtrohet me këtë për gjërat e ngjashme në të ardhmen. Po ashtu i sheh siç duhet pasojat dhe rezultatet e gjërave, ka largpamësi për përfundimin e tyre. Ai e pret prej Allahut rrugëdaljen. Ai përfiton edhe përvojë dhe mëson t’i ofrojë ilaçin e përshtatshëm edhe dikujt tjetër që është sprovuar ngjashëm. E më e madhja, përfiton shpërblim prej Allahut. Atëherë në realitet sprovat për besimtarin qenkan dhuratë, mirësi, të veshura me petkun e vështirësisë.

Shembuj nga Kurani:

-Ngjarja e Musait alejhi ue selem me nënën e tij. Kur nëna e Musait e lindi atë, frymëzohet nga Allahu që ta hedhë në lumë brenda një arke (duke qenë foshnje e pambrojtur e që ka nevojë për përkujdesje). Allahu i garanton asaj: “Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” Kasas 7. Atë e ktheu te nëna e tij dhe ajo e ushqente me gji para syve të Faraonit (nga i cili deri dje frikësohej se do ta mbyste). Kjo është si rezultat i mendimit të mirë ndaj Allahut të Lartësuar.

-Ngjarja e Merjemes alejhisselem. Allahu e sprovoi atë me sprovën e shtatzënisë, pastaj me dhimbjet e lindje, pastaj me akuzat prej Bijve të Izraelit dhe ajo i përballoi.

Allahu na sjell këto shembuj në Kuran për të na treguar se si këta besimtarë kanë ditur t’i menaxhojnë këto situata të vështira e të dhimbshme.

Pastaj autori sjellë një hadith të saktë: “Vërtetë është e çuditshme çështja e besimtarit. E tërë çështja e tij është mirë për të. Nëse Allahu i jep të mira ai e falënderon dhe kjo është mirë për të, (nga ana tjetër) nëse e godet ndonjë e keqe ai duron dhe kjo është mirë për të. Kjo është vetëm për besimtarin dhe për askënd tjetër.” Muslimi. Pastaj thotë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na tregon në këtë hadith se besimtarit i shumëfishohen përfitimet, mirësitë dhe frytet që vjel prej punëve të tij në çdo gjë që e godet, qoftë gëzim e lumturi apo diçka që e dëmton dhe e shqetëson.”

Besimtari jeton mes dy gjërave: ose në begati ose në sprova. Begatia kërkon falënderim ndaj Allahut, ndërsa sprova kërkon durim. Kush menaxhon më së miri ndaj kësaj? Ai është vetëm besimtari. Kështu, nëse i vjen një begati ai nxiton në falënderim, e nëse sprovohet me diçka atëherë duron. Nëse pajisesh me falënderim për begatitë dhe me durim ndaj sprovave, atëherë kjo është shenjë që tregon për besimin tënd, e nxjerrë në shesh atë, sepse realisht besimi përbëhet nga falënderimi dhe durimi. Realiteti i nënshtrimit ndaj Allahut është kur e falënderon atë, kur tregohesh mirënjohës ndaj Tij. Falënderimi dhe durimi janë prej themeleve të besimit te personi. Andaj selefi ka thënë: “Durimi është gjysma e besimit, gjysma tjetër është falënderimi.” Dhe: “Durimi është koka e besimit.”

Nëse njeriu e realizon falënderimin ndaj Allahut dhe durimin, atëherë ai është besimtar i mirëfilltë. Dhe për këtë Allahu e shpërblen duke i dhënë jetë të mirë, “Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97.

Këtë hadith autori na solli për të na treguar se si është gjendja e besimtarit nëpër faza të ndryshme që kalon gjatë jetës. Ky hadith na tregon gjithashtu se si besimtari duhet të jetë mesatar në çdo çështje. Ky është kulmi i përsosmërisë njerëzore. Nëse dëshiron lumturinë, atëherë prej shkaqeve më të rëndësishme është të jesh mesatar, si në mirëqenie si në vështirësi. Dhe realisht rreth kësaj sillen tematikat që na sjell autori në këtë libër.

Njeriu nganjëherë sprovohet me varfëri, apo me pasuri, apo me shëndet, apo me sëmundje, apo me pleqëri të shtyrë, apo me famë apo me të kundërtën etj. Të gjitha këto gjëra ndryshme kanë ndikim në jetën e njeriut, andaj duhet të dijë se si t’i menaxhojë ato.

Personi që ka ambicie të larta dhe që e do lumturinë, është ai të cilin nuk e bëjnë arrogant e mendjemadh mirësitë (pasuria, pozita etj.) që ia ka dhënë Allahu, dhe nga ana tjetër, sprovat (varfëria etj.), nuk e bëjnë të humbasë shpresën tek Allahu e të bie në dëshpërim. Kab ibn Zuhejr radijAllahu anhu (sahabi) kur ka përshkruar sahabët ka thënë: “Ata ishin të atillë që edhe nëse me shigjetat e shpatat e tyre kanë mposhtur armikun nuk janë gëzuar (së tepërmi) dhe nuk janë treguar pa durim nëse janë mposhtur nga armiku.” Ai i ka lavdëruar me këto fjalë. Pra, nuk i ka nxitur fitorja të jenë mendjemëdhenj dhe mosmirënjohës ndaj Allahut.

Ne duhet t’i përmbahemi mesatares si në mirëqenie si në vështirësi, sepse kjo është prej shkaqeve më madhështore për arritjen e lumturisë në këtë botë dhe tjetrën dhe është prej shkaqeve që ta mundëson të arrish pozitat më të larta të përsosmërisë njerëzore. Të gjitha elementet e lumturisë sillen rreth kësaj pike.

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit