Shenjat e dashurisë ndaj Allahut

 

─ Shenjat e dashurisë ndaj Allahut

 

  1. Dëshira për takimin me Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush do takimin me Allahun, edhe Ai e do takimin me të. Kush urren takimin me Allahun, edhe Ai e urren takimin me të.” Buhariu dhe Muslimi. Nuk është kuptimi që njeriu të dëshirojë vdekjen në mënyrë që ta takojë Allahun, por qëllimi është që kur t’i vijë vdekja, atëherë në ato momente dëshiron që sa më shpejt të takohet me Allahun dhe të përjetojë kënaqësinë me shpërblimet dhe të mirat që Allahu ka përgatitur për të.

 

  1. Gjetja e prehjes kur vetmohemi me Allahun (kur e lusim, kur falemi, kur lexojmë Kuran etj.). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Më janë bërë të dashura gratë dhe parfumi, mirëpo prehja e syve të mi më është bërë në namaz.” Ibn Kajjim ka thënë: “Kush gjen prehjen e syve dhe prehjen e shpirtit në namaz në jetën e kësaj bote, do të gjejë prehjen shpirtërore me afërsinë tek Allahu në botën tjetër, e gjithashtu edhe në jetën e kësaj bote.”

 

  1. Durimi, në adhurime e në sprova. Allahu thotë: “…dhe për hir të Zotit tënd, duro”. Mudethir 7. Kur njeriu tregohet i durueshëm, kjo është prej niveleve më të forta përmes të cilave arrihet dashuria ndaj Allahut. Shumë njerëz kur sprovohen humbin durimin. Vetëm durimtarët qëndrojnë para sprovave e fatkeqësive. Një dijetar ka thënë: “Ai që e do Allahun, nuk i konsideron sprovat e fatkeqësitë që e godasin një gjë e keqe që po i ndodhin. Ai që e do Allahun, nuk i sheh të rënda detyrimet e obligimet me të cilat e ka obliguar Allahu.”

 

  1. Mosdhënia përparësi gjërave që do ndaj Allahut. Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashurit për të sesa të gjithë. Umeri radijAllahu anhu i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Ti je më i dashur për mua sesa çdo gjë tjetër, përveç vetes sime.” I ka thënë: “Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa unë të jem më i dashur tek ti sesa vetja jote.” Atëherë Umeri i ka thënë: “Prej tash ti je më i dashur tek unë sesa vetja ime.” Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pas kësaj i ka thënë: “Tani, o Umer e arrite (nivelin e duhur që kërkohet).” Shenjë e dashurisë është të braktisësh atë që do për Atë që e do. E më së shumti Ai që duhet ta duam është Allahu dhe pastaj i Dërguari i Tij.

 

  1. Shpeshtimi i përmendjes së Allahut (dhikri). Dijetarët kanë thënë: “Prej moraleve të atyre që e duan Allahun është shpeshtimi i dhikrit, gjatë momenteve e orëve të ditëve dhe netëve.” E përmendin Allahun me zemër dhe me gjuhë. Malik ibn Dinar thotë: “Shenjë e dashurisë ndaj Allahut është përmendja e vazhdueshme e Tij, ngase ai që e do dikë apo diçka e përmend vazhdimisht atë.”

 

  1. Zemra e frikësuar gjatë përmendjes së Allahut dhe sytë e lotuar (prej madhërimit ndaj Tij). Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi…” Enfal 2. Si duhet të jetë gjendja e besimtarit kur përmendet Krijuesi e Furnizuesi i tij dhe Ai i Cili e ka udhëzuar në besim?!

 

  1. Xhelozia për Allahun dhe fenë e Tij, kur shkelen ndalesat dhe kufijtë e Tij, prej dashurisë ndaj Tij. Kjo është xhelozia e vërtetë që duhet pasur kur do dikë, në këtë rast ndaj Allahut. Kush pretendon se e do Allahun duhet të ketë xhelozi kur shkelen e preken ndalesat e Tij. Kështu, ai do të kundërshtojë dhe refuzojë mëkatet e bëra te njerëzit.

 

  1. Dashuria ndaj Kuranit. Nëse do të dish se sa ke dashuri në zemrën tënde ndaj Allahut atëherë shiko se sa ke dashuri ndaj Kuranit. Abduallah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Kush do të dijë se a e do Allahun, le ta peshojë veten në raport me Kuranin, kështu, nëse e do atë atëherë e do Allahun ngase Kurani është Fjalë e Tij.” Nëse e do Allahun, do ta duash Fjalën e Tij patjetër. Sufjan ibn Ujejne rahimehullah ka thënë: “Nuk do arrini kulmin e kësaj çështjeje (të imanit dhe praktikimit të fesë) derisa tek ju të jetë Libri i Allahut gjëja më e dashur. Kush e do Kuranin veçse e do Allahun.”

 

  1. Pikëllimi e mërzia kur na ikë diçka nga adhurimet. Gjithashtu kur na ikë koha jo në adhurime e vepra të mira. Kur ndjejmë dhimbje për këtë, më shumë sesa kur ndjen koprraci kur i ikë diçka nga pasuria, atëherë kjo tregon se kemi dashuri ndaj Allahut. Ai që e do Allahun shpejton ta zëvendësojë adhurimin e ikur (dhikër, lexim i Kuranit, apo ndonjë adhurim i caktuar që e kemi adet ta veprojmë). Aisha radijAllahu anha na treguar: “Kur i Dërguari salAllahu alejhi ue selem fillonte të bënte një vepër të mirë e përforconte atë, e nëse ndodhte ndonjëherë të flinte apo të sëmurej e të mos falej natën, atëherë gjatë ditës (pasi lindte dielli) falte 12 rekate (i zëvendësonte).” Muslimi.

 

  1. Modestia ndaj muslimanëve, krenaria ndaj jomuslimanëve dhe mospasja frikë ndaj asnjë qortuesi e kërcënuesi. Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur (mëshirshëm) me besimtarët dhe krenarë ndaj femohuesve; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi.” Maide 4. Këto janë katër cilësi të përmendura në ajet.

 

  1. Pasimi i shpalljes me të cilën ka ardhur i Dërguari salAllahu alejhi ue selem. Sa më shumë që ndjek sunetin, aq më shumë tregon se e do Allahun. Këtë na ka sqaruar vetë Allahu në Kuran: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua…” Ali Imran 31. Ibn Kethiri rahimehullah thotë: “Ky ajet fisnik është gjykatës ndaj çdokujt që pretendon se e do Allahun (e që nuk është në rrugën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem).” Ka gjykuar se ky pretendim është i rrejshëm, derisa personi të pasojë shpalljen me të cilën ka ardhur Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, në të gjitha fjalët, gjendjet dhe veprat e tij. Kur e pason atë në çdo gjendje kjo tregon se e do Allahun, e si shpërblim pastaj është se Allahu do ta dojë atë dhe do t’ia falë mëkatet.

 

  1. Miqësia dhe armiqësia për hir të Allahut. Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Prej dashurisë së plotë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, është të mos i duash apo t’i urresh ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

 

  1. Dashuria ndaj besimtarëve, të devotshmëve. Kirbani rahimehullah ka thënë: “Kur do besimtarët e devotshëm, të dashurit e Allahut, kjo është argument se e do edhe Allahun.” Prej dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij është të duash familjen dhe shokët e të Dërguarit.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit