Kujdesi për ndjenjat e të tjerëve

Kujdesi për ndjenjat e të tjerëve

Të kesh parasysh (në konsideratë) ndjenjat e tjetrit dhe të mundohesh ta ngushëllosh e t’ia largosh gjendjen e rëndë shpirtërore, ky është një tipar të cilin kush e posedon është i ngritur lartë shpirtërisht, i pjekur mendërisht dhe ka zemër të shëndosh në raport me besimtarët.

Allahu në Kuran na tregon se si i ka përmirësuar gjendjet e zemrave të Pejgamberëve të tij. Shembull:

– Musai alejhi ue selem pasi ka shkëmbyer disa fjalë me Allahun, ka pasur dëshirë të madhe ta shohë Atë, prej kënaqësisë që ka përjetuar gjatë bisedës me Atë, dhe Allahu i ka treguar se kjo është e pamundur të ndodhë në jetën e kësaj bote, por pas kësaj e ka ngushëlluar atë dhe e ka përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe emocionale të tij, duke ia përmendur dhuntitë e shumta që ia ka dhënë, “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” Araf 144.

– Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është dëbuar prej Mekës, atdheut të tij, vendit më të dashur për të, para se të dalë prej saj është ndalur mbi një kodrinë të vogël (në kufi të saj) dhe ka thënë: “Sa vend i mrekullueshëm je! Sa vend i dashur je tek unë! Sikur të mos më dëbonte populli im, kurrë nuk do të banoja diku tjetër. Pasha Allahun, ti je vendi dhe toka më e dashur tek Allahu. Sikur të mos më dëbonin, kurrë nuk do të ikja nga ti.” Tirmidhiu. Dhe Allahu menjëherë ia largon gjendjen shpirtërore e thyerjen për shkak të dëbimit, duke i shpallur gjatë rrugës për në Medine: “Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë).” Kasas 85.

Ai që ka pasur hisen më të madhe në këtë virtyt pa dyshim është zotëria i të gjithë Pejgamberëve, imami i të devotshmëve, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, të cilin Allahu e ka dërguar mëshirë për botën. Ai ka pasur zemrën më të mirë në raport me njerëzit dhe ka qenë më i sinqerti në fjalët e tij. Ai me moralin e tij ka përfshirë të gjithë. Ka qenë i lehtë e i butë me ta e i mëshirshëm. Ai gjithmonë është përpjekur të përmirësojë gjendjen shpirtërore të të tjerëve. Ai ka pyetur për gjendjet shokëve dhe besimtarëve. Nëse dikush ka munguar, ai ka pyetur për të. Nëse dikush është sëmurë, ai ka shkuar ta vizitojë. Nëse dikush ka përgatitur ushqim për të dhe nuk i ka pëlqyer, ai nuk e ka kritikuar atë, në mënyrë që të mos ndihet keq pse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk e ha ushqimin e tij. Kur i është përcjellë se dikush ka thënë diçka të keqe dhe ka këshilluar në publik, nuk e ka përmendur emrin e tij, ka thënë: “Si është puna e disa njerëzve që thonë kështu e kështu…”, kjo që të ruajë ndjenjat e tyre dhe të fitojë dashurinë e tyre.

Njërit prej sahabëve i ka vdekur fëmija i tij (djalë) dhe prej mërzisë së madhe është izoluar prej njerëzve. Atëherë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka pyetur për të se çfarë është puna e filanit që nuk po e shoh. Pasi i kanë treguar se i ka vdekur fëmija, atëherë ka shkuar ta takojë dhe menjëherë e ka ngushëlluar. I ka thënë: “Cila është më e dashur për ty? Ta linte Allahu djalin tënd të jetonte gjatë e të kënaqeshe me të duke të të shoqëruar, apo ta takosh atë në Ditën e Gjykimit në një prej dyerve të xhenetit dhe të ta hapë atë e të hysh bashkë me të në xhenet?” Ai i ka thënë: “Pa dyshim më e dashur për mua është kjo e dyta.” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Ky shpërblim të pret ty!” Nesaiu.

Transmetohet se Enesi radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem na vizitonte shpesh. Unë kam pasur një vëlla të vogël i cili kishte një zog me të cilin luante. Një ditë zogu i tij kishte ngordhur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem erdhi tek ne dhe pa vëllain tim të pikëlluar (për zogun).”Ai salAllahu alejhi ue selem pyet se çfarë është puna me Ebu Umerin (djalin e vogël) dhe i tregojnë se zogu me të cilin luante i ka ngordhur zogu. Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem fillon të bisedojë me të: “O Ebu Umer! Çfarë ndodhi me zogun?” Këtu duhet të ndalemi e të meditojmë rreth kësaj. Ky hadith na tregon se ngushëllimi ka ndikim të madh edhe në zemrën e atij që është i vogël.

Aisha radijAllahu anha ka treguar se kur i ka ndodhur shpifja e nderit të saj, një grua ensare ka marrë pjesë (ka bashkëndje) në pikëllimin e saj me lotët e saj, duke lënë gjurmë të madhe në shpirtin e Aishes. Ajo ka thënë: “Kam qarë pa ndalur dy netë e një ditë (kur kam dëgjuar për shpifjen). Nuk kam fjetur fare, vetëm kam qarë, saqë kam menduar se do të vdes nga e qara e shumtë. Një ditë isha me dy prindërit e mi dhe një grua prej ensareve kërkoi të hyjë. Unë i dhashë leje dhe e ul e filloi të qajë bashkë me mua.” Ajo e ka ngushëlluar dhe është munduar t’ia lehtësojë dhimbjen (të bashkëndjejë) duke qarë bashkë me të.

Nganjëherë mjafton t’ia japësh tjetrit një buzëqeshje, për t’ia larguar mërzinë e pikëllimin, apo një fjalë e ngrohtë plot dhembshuri, apo një justifikim nëse ke bërë gabim ndaj tij, apo një lutje etj.

Ata që kanë hisen më të madhe ndaj nesh në këtë virtyt janë familja jonë, sidomos prindërit, bashkëshorti apo bashkëshortja, vëllezërit e motrat e të tjerët. Duhet të mundohemi që sa më shumë të kemi në konsideratë ndjenjat dhe emocionet e tyre, duke marrë pjesë në ndjenjat e tyre. Duhet t’ia kujtojmë vetes se kjo gjë është prej adhurimeve madhështore për të cilin na shpërblen Allahu.

Prej gjërave që hyjnë te pasja parasysh e ndjenjave të të tjerëve është:

– të jesh i buzëqeshur, me fytyrë të mirë,

– t’i urosh

– t’ua japësh dorën, t’i përqafosh,

– të marrësh pjesë në gëzimet e pikëllimet e tyre etj.

 

Të kesh nën konsideratë dhe të ruash ndjenjat e të tjerëve kjo është pjesë e pandashme e fesë tonë, ky është adhurim me të cilin afrohemi tek Allahu. Ai që ka shpirt të madh e zemër të butë e të dhimbshme me besimtarët, vazhdimisht përpiqet t’i këshillojë ata, ua do të mirën siç ia do vetes, nuk mban urrejtje e zili në raport me ta, nëse ndodhë ndonjë lëshim prej tyre e tejkalon, mundohet të gjejë arsyetime për gabimet e tyre, përmirëson gjendjet e tyre shpirtërore, ua largon vuajtjet e ua mbyll thyerjet etj.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

 

Madhësia e tekstit