Si të përgatitemi për Ramazan?

Si të përgatitemi për Ramazan?

Përgatitja para adhurimeve është një çështje e cila kërkohet fetarisht, qoftë përgatitje fizike (si: abdesi para namazit, syfyri para agjërimit, ihrami para umres dhe haxhit etj.), qoftë përgatitje kuptimore (si: kujtimi i sinqeritetit para veprës, shtimi i dhikrit, istigfarit, pendimit, etj.). Përgatitja para adhurimeve ka qenë rruga apo shtegu të cilin e kanë ndjekur miqtë e dashur të Allahut, besimtarët e devotshëm, sidomos ata të përzgjedhurit dhe të dalluarit në mesin e tyre – të Dërguarit.

Do të përmendim disa prej shembujve:

  1. Ngjarja e Ibrahimit me djalin e tij Ismailin, alejhimusselam.

Ibrahimi alejhi ue selem ka pasur pozitë të lartë tek Allahu. Ai ka arritur pozitën e dashurisë e cila quhet khule, pra ai është khalilull-llah – i dashuri i Allahut. Ai e ka arritur shkallën më të lartë të dashurisë. Allahu e ka dashur atë dhe ai e ka dashur Allahun. Askush nuk e posedon këtë nivel të lartë të dashurisë përveç Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe Ibrahimit alejhi ue selem. Allahu siç tregon në Kuran, e ka sprovuar Ibrahimin me një sprovë shumë të madhe dhe të qartë. E qartë ngase përmes saj është qartësuar dashuria e plotë që ka pasur Ibrahimi ndaj Allahut. Kur Ai i ka dhuruar Ismailin, djalin e tij, Ibrahimi alejhi ue selem e ka dashur shumë atë. Por, thamë se Ibrahimi ishte i dashuri i të Gjithmëshirshmit, me nivelin më të lartë të dashurisë. Andaj, Allahu ka dashur ta sprovojë Ibrahimin me një sprovë e cila e pastron këtë dashuri, që ajo të jetë e pastër vetëm për Allahun. Kështu që e ka urdhëruar ta bëjë kurban (ta therë) Ismailin. Dhe kur e ka zbatuar këtë urdhër, duke i dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut mbi dashurinë ndaj të birit, apo dëshirës së tij, dhe ka qenë i vendosur për ta therë, atëherë Allahu i ka treguar se e ka kaluar këtë provim, “Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh”. Saffat 106-107. Kur Ibrahimi alejhi ue selem i ka dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut mbi dashurinë ndaj të birit, nuk ka pasur më dobi prej asaj therje, ngase veçse e ka kaluar provimin dhe e ka treguar dashurinë ndaj Allahut, Prandaj kush dëshiron të arrijë pozitën e atyre që e duan Allahun, në Ramazan, atëherë duhet ta përgatisë zemrën e tij duke “therë” disa gjëra:

» Së pari: Dëshirat e tij, epshet e tij, tekat e tij, dyshimet e tij, të cilat janë pengesë mes tij dhe dashurisë ndaj Allahut.

» Së dyti: Llojet e dashurisë të cilat në parim janë të lejuara, por që në njëfarë mënyrë e rivalizojnë/konkurrojnë dashurinë ndaj Allahut.

Kjo ishte një ngjarje madhështore e treguar në Kuran dhe një provë shumë e madhe të cilën vetëm Ibrahimi ka pasur mundësi ta kalojë. Dhe ne nga kjo ngjarje nxjerrim mësime e këshilla të shumta.

Në realitet, njeriu nuk qortohet për dashurinë e natyrshme që ka ndaj disa krijesave (si: ndaj prindërve, gruas, fëmijëve, vëllezërve, apo kënaqësive të lejuara të kësaj bote), me kusht që këtë dashuri të mos e vendosë para dashurisë ndaj Allahut apo të Dërguarit të Tij dhe që ajo të mos e konkurrojë dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij në zemrën e tij.

  1. Ngjarja e Musait alejhi ue selem kur i ka zbritur Tevrati

Kur Allahu ka dashur t’ia zbresë Tevratin Musës, pasi ka shkatërruar dhe fundosur në det armikun e tij, Faraonin dhe ushtrinë e tij, atëherë ia ka caktuar tridhjetë ditë për t’u përgatitur për takimin me Allahun, pastaj ka plotësuar edhe dhjetë ditë (gjithsej dyzetë), para se të takohet me Zotin e tij. Gjatë këtyre ditëve Musa alejhi ue selem ka agjëruar, si adhurim ndaj Allahut, për t’u përgatitur për këtë takim. Dhe pas kësaj, ai ka folur drejtpërdrejtë me Allahun. Andaj, ai që do të përjetojë kënaqësinë e bisedës me Allahun (kur e adhuron, kur e përmend, kur bën namaz, kur lutet etj.), në këtë muaj fisnik, atëherë duhet ta përgatisë zemrën dhe gjuhën e tij të agjërojnë prej gjërave të cilat e zemërojnë Allahun. Nëse arrijmë ta përgatisim në këtë formë zemrën dhe gjuhën, atëherë mos pyet se sa e madhe është kënaqësia gjatë përmendjes dhe adhurimit ndaj Allahut. Nuk ka kënaqësi më të madhe që e mbulon zemrën e besimtarit sesa ajo pas kësaj gjendje. Nuk ka prehje e qetësi të shpirtit më të madhe sesa kjo.

  1. Ngjarja e çarjes së gjoksit të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem

Kjo i ka ndodhur shumë herë, mirëpo dy raste janë më të njohurat:

-Kur ka qenë fëmijë. Ka ardhur Xhibrili dhe ia ka çarë gjoksin dhe ka nxjerrë prej zemrës së Pejgamberit salaAllahu alejhi ue selem një copë gjaku të zezë të ngjizur (një pikë e zezë e gjakut). Pastaj ia ka pastruar në një enë prej ari, të mbushur me ujë zemzemi. Pastaj ia ka qepur gjoksin (transmetohet se gjurmët i kanë mbetur).

-Kur ka qenë në natën e Israsë dhe Miraxhit. Ka ardhur Xhibrili me një enë, ia ka çarë gjoksin dhe ia ka nxjerr zemrën dhe ia ka pastruar me ujë të zemzemit, pastaj ka sjell një enë të mbushur me urtësi dhe besim, të cilën e ka zbrazur në zemrën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Ibn Haxheri rahimehullah thotë: “Hera e parë e çarjes së gjoksit ka qenë gjatë fëmijërisë, në mënyrë që të rritet/zhvillohet në gjendjen më të plotë, duke qenë i mbrojtur plotësisht prej shejtanit. Pastaj, ka ndodhur çarja e gjoksit kur Allahu e ka ngritur në qiell (miraxh), kjo që të përgatitet për takimin me Atë dhe bisedën me Atë.” Andaj, ai i cili dëshiron që shpirti i tij të ngritët lartë në këto mbretëri e sundime të Allahut të larta në qiell dhe që të shohë provat e dëshmitë (argumentet) e mëdha të Tij, atëherë duhet të përgatisë zemrën e tij duke e pastruar me ujin e pendimit prej gjynaheve dhe duke e mbushur atë me kuptimet e besimit dhe mirësitë e dhuntitë e Allahut. Kjo arrihet duke shpejtuar në forcimin e besimit dhe duke kryer veprat që sjellin mirësitë dhe mëshirën e Allahut. Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Ai që e lut Allahun dhe ai që është në sexhde, (në këto gjendje) e drejton shpirtin e tij tek Allahu i Lartësuar, dhe shpirti ngritët (lartësohet) në atë formë që i përshtatet. Kështu shpirti afrohet tek Allahu (në këto gjendje), mirëpo varësisht se sa është pastruar prej njollave që e njollosin besimin. Allahu pastaj është afër tij me një afërsi aq sa ky shpirt afrohet tek Ai.” Këtë fjalë të tij e vërteton dhe Fjala e Allahut: “…bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” Alak 19. Dhe hadithi: “Robi më së afërmi me Allahun është kur është në sexhde.”

Pastaj, përgatitja për Ramazan:

»Bëhet para tij. Nëse e bën këtë, atëherë do vjelësh frytet dhe rezultatet e Ramazanit dhe do të arrish shpërblimet në këtë muaj. Përgatitja bëhet duke ndërmarrë disa hapa, siç janë:

-Pendimi i sinqertë për mëkatet, pendim që plotëson kushtet e tij, pastaj t’i shtohet istigfari dhe dhikri.

-Pastrimi i zemrës prej epsheve dhe dyshimeve. Këto e tërheqin zemrën, e preokupojnë atë, duke mos e lënë të drejtohet kah adhurimet, dhe njollosin pastërtinë e saj.

-Përjetimi i vlerës së madhe të agjërimit dhe të Ramazanit. Në këtë mënyrë shtohet shpresa tek Allahu dhe forca të kryejë sa më shumë adhurime.

-Leximi rreth çështjeve të agjërimit. Kjo që të mos veprojë ndonjë gjë që ia prish agjërimin apo ia pakëson shpërblimin. Po ashtu leximi për veprat e zemrës.

»Bëhet gjatë tij. Kjo arrihet kur njeriu vazhdimisht e ka zemrën të pranishme/aktive dhe trupin aktiv, e pastaj kështu garon e shpejton në shtimin e adhurimeve. Përgatitja bëhet duke ndërmarrë disa hapa, siç janë:

-Të jetë i përgatitur vazhdimisht, sa herë që ndjen lodhje, mërzi, dembeli e plogështi, atëherë e stimulon/aktivizon zemrën dhe trupin duke shtuar dhikrin, istigfarin dhe lutjen tek Allahu (për ta forcuar).

-Të angazhohet dhe të mundohet në ruajtjen e zemrës prej mendimeve dhe shkaqeve të cilat e preokupojnë dhe e largojnë prej adhurimeve (si: telefoni, interneti, takimet e shumta etj.), në ruajtjen e zemrës dhe shikimit (të mos shikojë seriale e filma, të mos dëgjojë fjalime që shtojnë dyshime në besim etj.), në ruajtjen e gjymtyrëve ndaj mëkateve, qofshin të fshehta apo publike.

Kjo përgatitje është një ndihmë e madhe e cila e ndihmon besimtarin që gjatë këtij muaji të kryejë sa më shumë adhurime. Ai nuk duhet t’ia lejojë vetes që gjendja e tij të jetë sikur e shumicës së njerëzve, të cilët në fillim të Ramazanit kanë zemër të pranishme, kanë trup e shpirt aktiv, mirëpo pas disa dite menjëherë kaplohen nga lodhja, mërzia e plogështia dhe kthehen në gjendjen siç kanë qenë para Ramazanit (fillojnë të veprojnë gjëra që i pengojnë nga adhurimet). Por, duhet të jetë e kundërta. Sa më shumë që kalon Ramazani, besimtari duhet të shtojë adhurimet, ngase siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem “Veprat merren në konsideratë sipas përfundimit të tyre (e jo sipas fillimit të tyre).”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit