Pozita e lartë e pendimit

Pozita e lartë e pendimit

Prej gjërave të cilat tregojnë për pozitën e lartë të pendimit janë:

Allahu gëzohet kur robi i Tij pendohet. Dhe kur Allahu gëzohet për një gjë, kjo tregon se ajo është madhështore dhe e rëndësishme.

Allahu i do ata që pendohen. Dhe kur Allahu e do robin e Tij, mos pyet se sa mëshira prej Tij zbresin mbi të, sa bekime e përfshijnë atë, sa lumturi e qetësi e prekin zemrën e shpirtin e tij dhe sa mbrojtje e ruajtje prej Allahut e rrethojnë atë.

Pendimi është kulmi i përsosjes së besimtarit. Ibën Tejmije rahimehullah ka thënë: “Kulmi të cilin e synon çdo besimtar në arritjen e plotësueshmërisë/përsosjes së tij, është pendimi tek Allahu.”

▪ Dita në të cilën pendohet besimtari është dita më e mirë e jetës së tij. Ibën Kajimi rahimehullah kur flet për ngjarjen  e pendimit të Kab ibn Malikut thotë: “Në të ka argument se dita më e mirë për besimtarin është dita kur ai pendohet dhe Allahu ia pranon atë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i tha Kabit: “Përgëzohu për ditën më të mirë në jetën tënde, prej që të ka lindur nëna!” Nëse dikush pyet: “Si ka mundësi që kjo ditë të jetë më e mirë sesa dita kur njeriu hyn në Islam?”, atëherë themi: “Dita kur Kabi dhe shokët e tij janë penduar dhe Allahu ua ka pranuar atë, kjo ka qenë plotësim/përsosje e ditës së hyrjes në Islam. Për këtë, dita e pranimit të Islamit është dita e fillimit të lumturisë, ndërsa dita e pendimit është plotësimi i saj (lumturisë).”

▪ Pendimi i sinqertë është rruga për arritjen e shpëtimit, shlyerjes së mëkateve dhe fitimit të xhenetit. Allahu thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj…” Tahrim 8. Dhe: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31. Dijetari Sadi rahimehullah kur komenton këtë ajet thotë: “Nuk ka rrugë përmes së cilës njeriu arrin shpëtimin, veçse përmes rrugës së pendimit. Pendim është të largohesh prej gjërave që nuk i do Allahu, me të brendshmen dhe me të jashtmen, e të drejtohesh për tek ato gjëra të cilat Ai i do, me të brendshmen dhe të jashtmen tënde. Ky ajet tregon se çdo besimtar është nevojtar të pendohet tek Allah dhe nxit të pendohemi sinqerisht (për Allahun).”[1]

Pendimi është shkak për shlyerjen e mëkateve. Ato e mbulojnë zemrën e besimtarit, janë barrë mbi kurrizin e tij, ato e pengojnë të mos përjetojë kënaqësinë gjatë adhurimeve, ato janë shkak të mos ndjejë hare, gëzim e lumturi kur i afrohet Allahut me adhurime të ndryshme, ato prangosin zemrën dhe gjymtyrët e tij për të mos shpejtuar drejt Atij dhe kënaqësisë së Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur njeriu vepron një mëkat, në zemrën e tij vendoset një pikë e zezë, por nëse heq dorë, pendohet dhe kërkon falje tek Allahu, i pastrohet. Nëse vazhdon në mëkate, i shtohen pikat e zeza, derisa t’ia mbulojnë zemrën. Kjo është mbulesa e përmendur në ajetin: “…veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” Mutaffifinë 14. Ibën Kajimi kur përmend disa prej dënimeve të Allahut që vijnë si pasojë e mëkateve, thotë: “Prej pasojave të mëkateve është mbulimi i zemrës mes njeriut dhe Zotit, e mbulesa më e madhe është në botën tjetër, “Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre, pastaj, me siguri, do të hyjnë në Zjarrin e Xhehenemit…” Mutaffifinë 15-16. Mëkatet i bëhen pengesë njeriut të mos arrijë as te zemra e tij dhe të shohë se çfarë e përmirëson, e pastron dhe e prish atë dhe si të ketë jetë të mirë. Më e rëndë sesa kjo është se e pengojnë të kalojë rrugën prej zemrës deri te Zoti, e kur zemra shkon tek Ai fiton afërsinë e Tij, nderimin e Tij, kënaqet me Atë dhe gjen prehje. Kështu, mëkatet bëhen pengesë mes vetë personit dhe zemrës së tij dhe mes zemrës së tij dhe Krijuesit.”

Pengesat që vijnë prej bërjes së mëkateve janë:

-Pengesat e mëkateve të jashtme.

-Pengesat e mëkateve të brendshme. Ky lloj është më i rrezikshëm se lloji i parë, kjo sepse shumë të fshehta, personi nuk i vëren dhe i bëhen pjesë e tij, personi nuk i pranon por arsyetohet duke i quajtur me emra të tjerë (vetëpëlqimin e quan përgëzim të përshpejtuar, xhelozinë ndaj të tjerëve e quan xhelozi ndaj fesë, zilinë ndaj të tjerëve e quan garim në punë të mira, mendjemadhësinë e quan krenari etj.), lëshojnë rrënjë në zemër dhe i ndezin mëkatet e jashtme (të gjymtyrëve) etj.

▪ Përmes pendimit largohen sprovat, fatkeqësitë, dëmet, luftërat, brengat, sëmundjet, çmimet e larta etj. Pendimi bëhet shkak për mbrojtjen prej tyre para goditjes me to, apo për largimin e tyre pasi goditjes me to. Allahu thotë: “Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe.” Junus 98. Ibën Kethiri duke komentuar këtë ajet thotë: “Populli i Junusit (kur kanë parë shenjat e dënimit të Allahut pasi nuk i janë bindur Junusit) janë tubuar në një vend (me fëmijë, me kafshë etj.) dhe janë lutur, duke shfaqur përulje e nënshtrim ndaj Allahut, atëherë Ai i ka mëshiruar dhe u ka dhënë afat të jetojnë edhe për një kohë.”

Kushtet e pendimit:

-Kushtet në raport me Allahun: Të heqësh dorë prej mëkateve, pendimi (keqardhja shpirtërore) dhe vendosmëria për të mos iu kthyer mëkateve.

-Kushtet në raport me njerëzit: Të kthehet e drejta që i takon tjetrit, si: në pasuri (ta kthejë pasurinë e marrë), në nderë (t’i kërkojë falje) etj.).

-Pendimi të bëhet në afat: Para se të vijë shpirti në fyt dhe para se të lindë dielli prej perëndimit.

[1] Jo për syefaqësi, që të tjerët ta lavdërojnë se është penduar, jo të pendohet që të shpëtojë prej dënimit në këtë botë etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit