Madhështia e Kuranit Fisnik

Madhështia e Kuranit Fisnik

Këtë temë më së miri do ta kuptojmë prej ngjarjes që i ka ndodhur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Një ditë ai ka hyr në Qabe (derisa Qabja ka qenë nën sundimin e idhujtarëve) dhe aty ka qenë një numër i madh i prijësve të Mekës. Ai ka qëndruar pranë tyre dhe i ka befasuar duke lexuar suren Nexhm, në të cilën janë bashkuar madhështia e Kuranit dhe zëri i bukur i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ata nuk kishin dëgjuar fjalë më të mira e më të bukura. Për këtë, harruan mohimin e tyre dhe kryeneçësinë dhe dëgjonin me vëmendje këndimin e saj. Ai salAllahu alejhi ue selem vazhdoi të lexonte derisa arriti në ajetet e fundit të sures, të cilat ishin goditëse për zemrat e tyre. Këto ajete janë: “Vallë, prej kësaj fjale po çuditeni dhe po qeshni e nuk po qani? Madje, jeni edhe të shkujdesur! Më mirë përuluni në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë!” Në këtë rast Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ra në sexhde dhe gjithashtu idhujtarët ranë në sexhde pas tij.

Ishte bukuria e fjalëve të Allahut që arrinte të thyente kokëfortësinë e idhujtarëve – njerëz arrogantë dhe kryelartë.

Disa çështje

-Arabët kanë letërsi dhe poezi të mrekullueshme, që tejkalojnë të gjitha letërsitë dhe poezitë botërore. Megjithatë, nuk mund të ketë krahasim mes letërsisë arabe dhe madhështisë së Fjalëve të Allahut.

-Fjalët e Allahut janë madhështore, sepse Kurani është i folur i Allahut – Cilësi e Tij. Allahu ka zbritur më parë Libra, në stilin më të lartë, në formulimin më madhështor dhe me shprehjet më të ëmbla, në secilën gjuhë që i ka shpallur ato. Pastaj ka ardhur Kurani i cili i ka shfuqizuar të gjitha ato Libra.

-Allahu ka thënë për Kuranin: “Thuaj: “Ky (Kuran) është një mesazh i madh, e megjithatë ju nuk po ia vini veshin atij.” Sad 67-68. Para tij janë përulur edhe të zotët e gjuhës dhe askush nuk ka mundësi të sjellë qoftë dhe një sure të ngjashme me Kuranin. Velid ibën Mugire i cili ka qenë prej armiqve më të mëdhenj të Pejgamberit salAlahu alejhi ue selem dhe kur ka dëgjuar Fjalët e Allahut: “ të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”, ka thënë: “Këto Fjalë e kanë një ëmbëlsi, shkëlqim dhe bukuri. Pjesa e poshtme e tyre është e pëlleshme, kurse pjesa e lartë jep fryte të vazhdueshme (si trupi i hurmës).”

Kurani madhështor përmban 114 sure. E para është Fatiha, të cilën Allahu e ka lartësuar. Allahu e ka përmendur në shumë ajete, prej tyre: “Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.” Hixhr 87. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë për të se ajo është surja më madhështore në Kuran, pastaj ka thënë: “Ajo është shtatë ajete që përsëriten dhe Kurani madhështor që më është dhënë.” Dijetarët thonë: “I gjithë Kurani është i përmbledhur në suren Fatiha.”

Ku jemi ne në raport me suren Fatiha? Sa po e përjetojmë dhe meditojmë atë?

Suren Fatiha jemi urdhëruar ta lexojmë në çdo rekat të namazit, madje ajo është bërë shtyllë prej shtyllave të namazit, që nëse dikush e harron ta thotë në namaz qoftë nga harresa apo me qëllim, namazi i zhvlerësohet dhe duhet ta përsërisë. Ajo është ushqim për zemrën e besimtarit, i cili ka nevojë çdoherë për të. Duke qenë se ajo ka pozitë kaq të rëndësishme, atëherë besimtari patjetër duhet ta mësojë kuptimin e saj, të meditojë në të dhe të punojë me atë që e kërkon ajo.

Kur ne mësojmë kuptimet e sures Fatiha, kjo është prej shkaqeve të faljes së namazit me përulje.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit