Ebu Hurejra radijAllahu anhu

Ebu Hurejra radijAllahu anhu

Ebu Hurejra ka hyr në Islam në vitin e 7 të hixhretit, kur është çliruar Hajberi. Ai në fillimet e Islamit ka qenë një njeri shumë i varfër dhe nuk ka pasur familje (grua e fëmijë). Ai kurrë nuk i është ndarë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem gjatë katër viteve. Kudo që ka shkuar, ai ka qenë me të.

Ai ka dhënë mund të madh për të kërkuar dije dhe për të mësuar hadithe prej Pejgamberit salallahu alejhi ue selem. Ai ka memorizuar një dije të madhe prej tij (5374 hadithe), saqë ka qenë prej sahabëve i cili më së shumti ka transmetuar hadithe.

Atij i kanë thënë vetë sahabët: “Ti ke qëndruar afër Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem më shumë se secili prej nesh dhe ke mësuar më së shumti hadithe përmendsh.” Dhe: “Ebu Hurejra ka dëgjuar hadithe prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të cilat ne nuk i kemi dëgjuar dhe ka mësuar gjëra të cilat ne nuk i kemi mësuar.”

Ai ka qenë prej atyre të cilët e kanë adhuruar shumë Allahun. Ai njihej për sjellje të mira dhe morale të virtytshme. Ka qenë njeri i thjeshtë dhe modest. Gjatë khalifatit të Muavije ibn Sufjanit ka qenë udhëheq i Medines, dhe edhe pse ishte udhëheq merrte drunjtë i bënte deng dhe i vendoste në shpinë e u thoshte njerëzve: “Hapjani rrugës udheqësit!” Edhe pse ishte udhëheq, nuk i detyronte njerëzit të bënin punë për të.

Ai ka qenë prej fukahave të sahabëve. Njëherë Ibn Abbasi ka qenë së bashku me Ebu Hurejren dhe i ka ardhur një pyetje e caktuar dhe i ka thënë: “Ti jep përgjigje sepse kjo pyetje është e rëndë (vetëm ti di t’i përgjigjesh).”

Kur Ebu Hurejrjes i erdhi vdekja, filloi të qajë dhe të pranishmit e pyetën se pse po qante, ai tha: “Nuk po qaj për jetën e kësaj bote, porse po qaj sepse tani do të filloj një udhëtim të gjatë ndërsa furnizimi im është i paktë…”

Ai ka vdekur në vitin 57 Hixhri dhe është varrosur në varrezat Beki.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit