Disa sahabë të tjerë të shquar
Nga besimi i pasuesve të sunetit është që të mos dëshmojmë për askënd se do të jetë prej banorëve të Xhenetit përveç atyre për të cilët ka dëshmuar Allahu dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Ndërsa, për ata që janë besimtarë të mirë, shpresojmë se do të jenë në Xhenet (ngase ne nuk dimë se çfarë fsheh njeriu në zemrën e tij).
Sa i përket sahabëve, në mënyrë të përgjithshme, të gjithë ata do të jenë në Xhenet.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka përgëzuar me Xhenet dhjetë prej sahabëve, siç kemi përmendur, mirëpo ka përgëzuar edhe të tjerë. Këta të dhjetë quhen “Të përgëzuarit me Xhenet” ngaqë janë përmendur me emra brenda një hadithi. Pastaj ka edhe të tjerë të cilët i ka përgëzuar me Xhenet, si:
- Thabit ibën Kajsi – Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Ai është prej banorëve të Xhenetit.” Buhariu dhe Muslimi.
- Haseni dhe Husejni,[1] dy djemtë e Aliut dhe Fatimes – Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për ta: “Haseni dhe Husejni janë dy zotërinjtë e të rinjve të banorëve të Xhenetit.” Dhe: “O Allah! Unë i dua ata, duaji edhe Ti!” Tirmidhiu.
- Ukashe ibën Mihsan – Ai i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem që ta lusë Allahun ta bëjë prej 70.000 personave, të cilët do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari e pa u dënuar (siç është përmendur në hadith), dhe ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Ti do të jesh prej tyre!” Buhariu dhe Muslimi.
- Abdullah ibën Selam – Transmetohet se Sadi ka thënë: “Nuk e kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem t’i thotë dikujt prej të gjallëve, i cili ecën në fytyrën e tokës, se do të jetë prej banorëve të Xhenetit, përveç Abdullah ibën Selamit.” Buhariu dhe Muslimi.
- Khadixhja, Aisha dhe të gjitha gratë e tjera të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.
- Fatimja, vajza e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, i cili ka thënë për të: “Fatimja është një pjesë e imja. Kush e zemëron atë, më ka zemëruar mua.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe: “Ajo do të jetë zonja e banorëve të grave të Xhenetit.” Buhariu dhe Muslimi. E njëjta gjë ka ardhur për Hadixhen, Aishen, Merjemen dhe Asien. Ato janë gratë më të mira në mesin e grave të botës.
- Bilali – Transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i ka thënë atij: “Kam dëgjuar zhurmën e nallaneve të tua në Xhenet.”
[1] Ata janë të pastër prej rrugës së rafidhave (shijave). Ata janë imamë të ehli sunetit.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

