Mirësitë e Islamit
Së pari, duhet të dimë se feja jonë Islame, e gjitha është mirësi, bekim, e bukur, pozitive dhe mëshirë prej Allahut. Ajo përfshin mëshirën gjithëpërfshirëse (për të gjitha krijesat) dhe atë të veçantë (për një pjesë të tyre – besimtarët). Sikur kjo fe t’iu shfaqej njerëzve ashtu siç është shpallur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, shumica e të mençurve do ta respektonin atë, edhe nëse nuk do ta besonin.
Nëse muslimanët i përmbahen kësaj feje, ecin rrugës së drejtë siç mëson ajo, sillen me njerëzit siç mëson ajo dhe veprojnë me atë që ka ardhur Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, atëherë do të ishin thirrës për tek Allahu edhe nëse do të flisnin asnjë fjalë të vetme (për të ftuar në Islam).
Muslimanët duhet të mësojnë anët e bukura dhe pozitive të fesë Islame, të veprojmë me to dhe t’i përhapim në mesin e njerëzve. Kur t’i njohin ato, do t’iu shtohet bindja në fenë e Allahut, do të tregojnë kujdes të madh t’i përmbahen asaj dhe do të binden se ajo është feja e vërtetë.
Prej mirësive të Islamit përmendim:
∞ Kjo fe është e plotë. Allahu e ka plotësuar dhe përsosur atë, thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj…” Maide 3. Islami është i plotë në të gjitha aspektet, si: në çështjet e besimit, në adhurime, në sjelljet ndërnjerëzore, në gjykimet ndërmjet njerëzve etj. Andaj, Islami nuk pranon shtim në të. Është obligim për muslimanin që t’i përmbahet Kuranit e sunetit dhe të mos sajojë bidate e as të veprojë me bidatet e shpikura prej të tjerëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kapuni për sunetin tim dhe sunetin e udhëheqësve të drejtë e udhëzues të cilët do të vijnë pas meje, kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni me dhëmballë! Keni kujdes prej risive në fe, ngase çdo risi është bidat dhe çdo bidat është humbje.”
∞ Kjo fe është një dhunti e plotë prej Allahut ndaj nesh, “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush…” Maide 3. Nëse dëshiron të jetosh një jetë të lumtur, në të cilën arrin të përjetosh këtë dhunti e mirësi të plotësuar prej Allahut, duhet t’i përmbahesh fort fesë së Tij- të braktisësh dëshirat e tua e t’i bindesh Atij. Në këtë mënyrë do të jetosh në gjendjen më të mirë apo në lumturi të plotë. Kështu pastaj do të ringjallesh në botën tjetër me lavdi të plotë dhe do të jesh prej fitimtarëve kur të takosh Allahun. Të mos mendojë ndokush se në mëkatim ka kënaqësi të përhershme, apo arritje të lumturisë. Përkundrazi, për mëkatet do të ketë ndëshkim, ose në këtë botë (me shqetësime, brenga, ankthe etj.) ose në tjetrën (nëse nuk pastrohet përmes këtyre sprovave).
∞ Kjo fe është fe e zgjedhur. Atë e ka zgjedhur dhe është i kënaqur me të Vetë Allahu, Zoti i botëve, “…dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Ky Islam është feja e vetme të cilën e pranon Ai, siç thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”. Ali Imran 19. Besimtari, të cilin Allahu e ka frymëzuar dhe i ka dhënë sukses, është ai i cili ka zgjedhur për vetën e tij atë që ka zgjedhur Allahu – ka zgjedhur Islamin për fe dhe është i kënaqur me të tërësisht (deri në hollësi). I tilli kur kapet pas kësaj feje, këtë e bën ngaqë është i kënaqur me të, e do atë, e ndjek me zemër dhe me nënshtrim të plotë.
∞ Kjo fe është e ruajtur. Allahu ka marrë përsipër ruajtjen e saj. Ajo është e garantuar se nuk do të ndryshojë dhe nuk do të pësojë shtrembërime e ndryshime deri në Ditën e Gjykimit, “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Hixhr 9. Feja Islame e cila është sot, është e njëjta fe që ka qenë në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Kurani që lexojmë sot është i njëjti Kuran të cilin e ka lexuar ai salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij. Në të nuk është shtuar e as nuk është mangësuar asnjë shkronjë, atë e ka ruajtur Allahu. Ai e ka ruajtur edhe sunetin profetik i cili dhe është komentuesi dhe shpjeguesi i Kuranit.[1]
∞ Kjo fe është fe e teuhidit. Muslimanët janë ata të cilët zbatojnë urdhrin e Allahut apo të drejtën me të cilën Ai i ka ngarkuar krijesat. Ata nuk barazojnë mes Allahut dhe dikujt prej krijesave në gjërat që janë veçori të Tij, as në emrat e cilësitë e Tij e as në të drejtën e Tij. Allahu ka disa veçori, si: Ai ka emra, cilësi dhe vepra. Muslimanët nuk krahasojnë, nuk barazojnë dhe nuk përngjasojnë Allahun me krijesat e Tij në këto veçori. Ata nuk ia kushtojnë të drejtën e Allahut dikujt prej krijesave. Ai na ka krijuar prej hiçit dhe kujdeset vazhdimisht për ne me mirësitë dhe dhuntitë e Tij. Andaj, Ai dhe ka të drejtë madhore ndaj nesh. Kështu që, ne duhet të jemi mirënjohës dhe ta adhurojmë dhe njësojmë Atë në adhurime, si dhe asnjë prej adhurimeve të mos ia kushtojmë dikujt tjetër përveç Atij, të Vetmit. Sado që një krijesë ka pozitë tek Allahu apo te njerëzit, prapëseprapë nuk na lejohet që ta adhurojmë krahas Tij. Të gjitha të mirat na vijnë prej Allahut. Edhe ai njeri me pozitë është krijesë e Allahut dhe është në Dorën e Tij. Pra, të gjitha adhurimet tona duhet të jenë vetëm për Allahun, siç thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat 56. Njerëzit janë urdhëruar vetëm të adhurojnë Allahun dhe të gjitha adhurimet t’ia kushtojnë vetëm Atij.
∞ Kjo fe është fe e drejtësisë dhe raporteve të mira. Allahu na ka urdhëruar t’i përmbahemi drejtësisë me të gjitha krijesat, me ata që duam apo nuk i duam, me ata të cilët pajtohen me ne apo na kundërshtojnë etj. Secilit njeri duhet t’i jepet e drejta që i takon dhe të mos i bëhet padrejtësi. Allahu na ka urdhëruar t’i përmbahemi drejtësisë dhe të sillemi me mirësi ndaj të tjerëve. Nganjëherë lejohet edhe të lëshojmë pe në të drejtat tona. Allahu thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë…” Nahl 90. Kur muslimanët i përmbahen urdhrit të drejtësisë dhe sillen me mirësi, atëherë do të shohin rezultate të mira dhe njerëzit do të arrijnë të kuptojnë se Islami është një fe e cila përmban të mira dhe mëshirë të madhe ndaj njerëzimit.
∞ Kjo fe është fe e fjalës dhe e besës. Ajo na urdhëron të mbajmë fjalën dhe besën e dhënë ndaj njerëzve. Ajo na ndalon t’i tradhtojmë njerëzit. Allahu thotë: “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” Isra 34. Nëse muslimani ia jep fjalën dikujt, me fjalë apo me gjendjen e tij, atëherë duhet ta përmbushë atë dhe nuk i lejohet ta thyejë atë apo të tradhtojë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij që ka tradhtuar dikë, do t’i jepet një flamur në Ditën e Gjykimit me të cilin do të njihet në mesin e të tjerëve (që ka tradhtuar fjalën, besën, marrëveshjen etj.).” Muslimani në çdo vend që jeton, në njëfarë mënyrë ua ka dhënë besën banorëve të atij vendi se nuk do t’i tradhtojë. Ai e ka për obligim t’i përmbahet rregullave të atij vendi dhe të mos shkaktojë dëme në të.[2]
∞ Kjo fe është e lehtë. Allahu e ka bërë Islamin fe të lehtë, ajo nuk është e rëndë apo e vështirë, siç thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Bekare 185. Me këtë fe, të cilën Allahu na ka shpallur dhe të cilën na ka dhuruar, Ai ka dashur vetëm lehtësim për ne. Çdo gjë që Ai e ka ligjësuar për ne është lehtësim, nuk ka vështirësi në të. E nëse besimtari ndodhet në vështirësi për shkak të udhëtimit apo është i sëmurë, atëherë feja Islame ia lehtëson mënyrën se si të zbatojë urdhrat e Allahut në ato gjendje, apo ia lejon që në varësi të vështirësisë të marrë edhe lehtësimin.
∞ Kjo fe ruan pesë gjërat e domosdoshme. Islami së pari ruan fenë e njerëzve, për këtë Allahu na ka urdhëruar me teuhid dhe na ka ndaluar prej shirkut, na ka sqaruar rrugën e drejtë dhe na ka urdhëruar t’i përmbahemi asaj dhe na ka ndaluar shpikjen e risive në fe. Islami ruan jetën e njeriut, për këtë ndalohet vrasja. Islami ruan nderin e njeriut, për këtë e ka ndaluar imoralitetin dhe homoseksualizmin, dhe nga ana tjetër e ka ligjësuar martesën (mes dy gjinive të kundërta). Allahu i ka lavdëruar ata që ruajnë nderin e tyre. Islami ruan mendjen e njeriut, për këtë ndalohet pirja e alkoolit dhe ka treguar se ai është një gjë shumë e shëmtuar (deh dhe mbulon mendjen). Islami ruan pasurinë e njeriut, për këtë ka ligjësuar punën dhe fitimin, mirëpo nga ana tjetër ka ndaluar shpërdorimin e saj, apo bërjen padrejtësi ndaj të tjerëve, apo marrjen e kamatës, apo vjedhjen e kështu me radhë, duke ndaluar të gjitha rrugët përmes të cilave humbet pasuria e njeriut.
Ne duhet ta falënderojmë shumë Allahun që na ka bërë muslimanë. Shenjë e këtij falënderimi është veprimi me këtë fe dhe ta zbatojmë atë në të gjitha aspektet e jetës sonë.
Ligjëroi: Hoxhë Lulzim Perçuku
[1] Allahu ka caktuar burra – dijetarë të mëdhenj të cilët na kanë sqaruar se cilat hadithe janë të sakta e cilat janë të dobëta e të shpikura. Hadithet e sakta gjenden sot para nesh siç i kanë dëgjuar sahabët prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
[2] Nëse hyn në një vend me vizën që ta jep, atëherë kjo vizë është besa apo marrëveshja të cilën Allahu na urdhëron t’i përmbahemi. Në momentin kur një vend të lëshon një vizë, atëherë me këtë ka bërë marrëveshje me ty për t’iu përmbajtur rregullave të atij vendi.