Shpërblimi në këtë botë për veprat e mira

Shpërblimi në këtë botë për veprat e mira

Shpërblimi për veprat e mira, nuk kufizohet vetëm me shpërblimin në botën tjetër, siç mendojnë shumica e njerëzve. Allahu ka caktuar që për veprat e mira ta shpërblejë besimtarin me shpërblim të përshpejtuar qysh në këtë jetë. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu nuk i bën padrejtësi besimtarit për asnjë vepër që kryen. Për shkak të saj, i jep në jetën e kësaj bote dhe e shpërblen në botën tjetër.” Muslimi.

Do të përmendim disa nga shpërblimet e tilla:

∞ Arritja e lumturisë dhe largimi i brengave, shqetësimeve dhe pikëllimeve. Për këtë, e dimë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem qetësinë e tij shpirtërore e gjente në namaz. Besimtari gjen kënaqësinë, lumturinë dhe ëmbëlsinë e besimit pas çdo vepre të mirë që kryen. Kjo gjendje nuk mund të blihet as me pasurinë më të madhe të kësaj jete dhe nuk arrihet përmes pozitave të larta e të ndryshme. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Jeta e bukur përfshin të gjitha format dhe aspektet e rehatisë dhe qetësisë, të cilat njeriu i dëshiron dhe i synon në jetën e kësaj bote.

∞ Arritja e dashurisë së krijesave. Zemrat nuk i posedon e as nuk i zotëron askush përveç Allahut. Ai hedh dashuri në zemrat e njerëzve ndaj atij personi i cili kryen vepra të mira. Kjo dhe është vërtetuar në praktikë. Madje, edhe mëkatarët (nga radhët e atyre që kanë besim) i duan punëmirët – besimtarët e mirë e të devotshëm. Allahu thotë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do të caktojë për ta dashuri.” Merjem 96. Ibën Abbasi thotë: “Allahu bën që në jetën e kësaj bote t’i duan njerëzit.” Muxhahidi thotë: “Allahu i do dhe i bën të dashur tek krijesat e Tij.”

∞ Allahu do të përmirësojë çështjet e punëmirëve. Allahu thotë: “Ndërsa atyre që besojnë, kryejnë vepra të mira dhe besojnë në atë që i është shpallur Muhamedit – dhe e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, – Ai do t’ua fshijë gjynahet dhe do t’ua përmirësojë gjendjen.” Muhamed 2. Dijetarët kanë thënë: “Do t’ua përmirësojë fenë dhe dunjanë e tyre, zemrat dhe veprat e tyre, shpërblimin për veprat e tyre (ua shton) dhe të gjitha çështjet e tyre. Allahu do të bëjë që mendimet dhe shikimet e tyre të jenë të drejta. Andaj, ata nuk mendojnë veçse atë që është e mirë dhe nuk planifikojnë veçse punë të suksesshme për të cilat do të shpërblehen tek Allahu.” Nuk mund të krahasohet jeta e atij që bën vepra të mira me jetën e atij që bën vepra të këqija, e as vdekja e tyre nuk është e njëjtë. Allahu thotë: “A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” Xhathije 21.

∞ Allahu do të ruajë besimtarin punëmirë dhe pasardhësit e tij. Allahu thotë: “E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” Kehf 82. Ibën Abbasi ka thënë: “Pasuria e këtyre dy jetimëve është ruajtur për shkak se prindërit e tyre kanë qenë të devotshëm.” Disa dijetarë kanë pasur mendimin se në mes jetimëve dhe prindërve kanë qenë shtatë gjenerata. Një nga dijetarët ka thënë: “Vërtet, Allahu, për shkak të devotshmërisë së personit, ruan fëmijët e tij, fëmijët e fëmijëve të tij, familjen e tij dhe të afërmit e tij, madje dhe komshinjtë e tij.” Ndërsa, në një hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ruaje Allahun, Ai të ruan ty!” Kjo bëhet ruke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Një nga ruajtjet që Allahu ia bën personit është: Ruajtja në veten e tij, në familjen e tij, në pasurinë e tij dhe në të gjitha çështjet e tij.

∞ Allahu do t’i përgjigjet lutjes së punëmirëve. Allahu thotë: “Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira e u jep edhe më tepër prej dhuntisë së Vet…” Shura 26.

∞ Allahu forcon punëmirët gjatë vështirësive e sprovave dhe ua lehtëson brengat e pikëllimet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka porositur se para se të ndodhin fitnet/sprovat, duhet të përgatitemi me vepra të mira në ballafaqimin me to, ka thënë: “Nxitoni të veproni vepra të mira, para se të vijnë fitne të cilat janë sikur pjesët e errëta të natës!” Transmetohet në një hadith se tre persona janë strehuar në një shpellë, mirëpo një gur i madh ua ka mbyllur hyrjen dhe ata kanë mbetur të ngujuar, pastaj Allahu i ka shpëtuar nga kjo vështirësi e madhe për shkak të veprave të mira që kanë bërë (e kanë lutur Allahun përmes tyre). Çdo vepër të kryen besimtari, le të dijë se ajo do t’i vijë në ndihmë gjatë brengave e shqetësimeve të tij, si shpërblim prej Allahut. Ai ose ia largon ato, ose e forcon në atë mënyrë saqë nuk i kushton fare rëndësi fatkeqësisë që e ka goditur, sado e madhe të jetë ajo.

∞ Allahu do t’i dojë, mbrojë, miqësojë dhe ndihmojë punëmirët. Në Kuran lexojmë: “Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.” Araf 196. Ky ajet është argument se është Ligj i Allahut të mbrojë e ndihmojë robërit e Tij të devotshëm dhe se Ai nuk i lë pa ndihmë.

∞ Allahu do t’i bëjë punëmirët mëkëmbës në tokë. E nga veprat më të rëndësishme është teuhidi. Allahu thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim).” Nur 55. Allahu nuk e thyen premtimin e Tij. Por, nëse nuk ndodh ky premtim, atëherë kjo do të thotë se mungon kushti (besimi dhe veprat e mira) për realizimin e premtimit, ose ka ndonjë pengesë në realizimin e tij, pra problemi është te vetë ne. Andaj, duhet të pastrojmë besimin dhe veprat tona nga njollat, në mënyrë që të realizohet premtimi i Allahut.

∞ Allahu do të mbrojë punëmirët nga ndëshkimet ose ua largon ndëshkimin. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të ikin njerëzit e mirë të devotshëm njëri pas tjetrit (do të vdesin). Pas tyre do të mbesin njerëz të parëndësishëm, sikurse elbi apo hurma jo kualitative, edhe Allahu nuk u kushton rëndësi.” Buhariu. Allahu i bën punëmirët që të kenë mirësi për muslimanët e tjerë në përgjithësi, në aspektin se ata bëhen shkak që Allahu t’i mbrojë nga dënimet apo t’ua largojë ato, kjo për shkak të veprave të mira të tyre dhe lutjeve që bëjnë drejtuar Allahut. Gjithashtu në aspektin tjetër, ata bëhen shkak që Allahu të forcojë dhe lartësojë umetin. Në hadith kemi paralajmërim që të jemi besimtarë dhe vepërmirë, përndryshe, Allahu nuk do të na kushtojë rëndësi. Në këtë kohë që jetojmë, kemi shumë nevojë të shtojmë veprat e mira dhe të veprojmë vepra të llojllojshme e të jemi të vazhdueshëm në to. Pse? Kjo për arsye të fitneve dhe sprovave që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe brengave e shqetësimeve që vijnë njëra pas tjetrës.

∞ Allahu i lavdëron punëmirët. Nuk ka nderë dhe vlerë më të madhe sesa kur krijesën e lavdëron Krijuesi – Allahu. Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira.” Bejjineh 7. Sa më shumë që njeriu kryen vepra të mira, aq më i mirë është tek Allahu. Është obligim për besimtarët të mos i braktisin kurrë veprat e mira, pavarësisht nëse janë para sezoneve të mirësisë kur duhet të shtohen ato, apo pas tyre, sepse ata duhet ta adhurojnë Allahun në çdo kohë, në çdo gjendje dhe në çdo vend.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit