Të metat e një shoqërimi
Për të plotësuar këtë temë, vjen dhe sqarimi i të metave të shoqërimit, të cilat duhet t’i kemi parasysh. Nga to përmendim:
▪ Kur shtohen vizitat e ndejat (teprohen) të cilat nuk janë ndeja të dhikrit, por janë thjeshtë ndeja ku vëllezërit muslimanë shoqërohen me njëri-tjetrin. Në ndeja të tilla ka humbje të kohës, zbehet respekti reciprok, nganjëherë ka teprim në fjalë dhe gradualisht kalohet në fjalë të cilat e zemërojnë Allahun.
▪ Kur kalohen kufijtë e ligjshëm dhe kalohet në urrejtje. Muslimani, në dashuri dhe urrejtje, duhet të tregohet mesatar – të ndjekë rrugën e mesme. Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Nëse e do dikë, mos e tepro, siç e tepron fëmija kur e do shumë një gjë. Gjithashtu mos urrej me atë urrejtje që dëshiron shkatërrim të tjetrit.” Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Duaje të dashurin tënd me masë të caktuar, ngase një ditë mund të jetë një person që e urren. Dhe urreje atë që e urren me masë të caktuar, ngase një ditë edhe mund të jetë i dashuri yt.” Nuk lejohet besimtari ta teprojë në dashuri, kjo ngase në këtë mënyrë mund të pendohet për këtë, apo të pajtohet me mëkatin që është duke bërë vëllai musliman (si pasojë e dashurisë së tepërt nuk e përmirëson). Po ashtu, ka mundësi që teprimi në dashuri të kalojë edhe në urrejtje ndaj personit për shkak se nuk i është përmbajtur rrugës së mesme, dhe kështu një gabim a lëshim nga njëra palë, bën që pala tjetër të kalojë në urrejtje dhe pastaj kur ata ndahen, përhapin sekretet e tyre që janë rrëfyer gjatë kohës sa kanë qenë të bashkuar.
▪ Kur dashuria përzihet me tekat dhe pasionet e nefsit, si: e do ngase është i bukur, apo të pëlqen, apo përfiton nga ai etj. Kur dashuria ndaj vëllait musliman nuk është për hir të Allahut, atëherë shumë shpejt do të venitet dhe do të zhduket. Selefi ka thënë: “Ajo që është për hir të Allahut, është e përhershme dhe e vazhdueshme, ndërsa ajo që nuk është për hir të Tij, do të ndërpritet.” Dhe Allahu na ka treguar në Kuran se dashuria për hir të Allahut do të vazhdojë edhe në botën tjetër, “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” Zuhruf 67.
▪ Shtimi i shokëve dhe pastaj të bëhet e pamundur përmbushja e të drejtave të secilit. Dijetarët kanë përmendur se nga morali i selefit ishte të mos shoqëroheshin me shumë shokë, përveç atyre për të cilët e dinin se mund t’i plotësonin të drejtat e tyre. Ibn Hazmi ka thënë: “Nuk ka gjë nga vlerat e cila i ngjan më shumë antivlerave sesa shtimi i shokëve. Kjo ngase dashuria dhe shoqërimi për hir të Allahut është një e mirë e cila është e përbërë nga shumë virtyte e morale të mira, sepse shokët nuk mund t’i përfitosh përveç nëse tregohesh i butë ndaj tyre, bujar, durimtar, besnik, qëndron në krah të tyre, i ndihmon, ruan nderin e tyre, i mbron, ua mëson dijen dhe të tjera. E pastaj shfaqet kjo e metë: shtimi i shokëve. Kjo sepse nuk mundesh t’i kënaqesh që të gjithë ata dhe të jesh pjesëmarrës në nevojat e tyre duke i ndihmuar. Pastaj kur ata goditen me sprova e bela dhe nuk mundesh të plotësosh të drejtat e tyre, atëherë do të nënçmohesh e kritikohesh, e nëse mundohesh të plotësosh të drejtat e tyre në këtë rast, atëherë do ta dëmtosh veten e ndoshta dhe ta shkatërrosh.” Dhe Amër ibn Asi ka thënë: “Shokët e shumtë janë borxhli të shumtë.” Sa më shumë që shton shokë, aq më shumë hyn borxh në raport me ta.
▪ Zbulimi i të metave të tua, që kanë të bëjnë me fenë, apo me moralin etj. Secili njeri ka të metat e tij, sa i përket fesë apo dunjasë. Më parësorja është që të mundohet t’i mbulojë ato dhe të mos shtojë shoqërimin e shumtë me njerëz ngase kjo do të bënte që ato të meta t’i shfaqeshin. Dhe kur njerëzit shohin të metat e njëri-tjetrit, atëherë dashuria ndërmjet tyre do të fillojë të dobësohet.
▪ Shoqërimi me pasanikët bën të mos vlerësosh mirësitë që posedon dhe të të shtohet lakmia ndaj dunjasë. E pastaj kur nuk arrihet ajo që sheh tek të pasurit, do të kalohesh nga brengat dhe mërzia. Ai që shikon stolitë dhe bukuritë e kësaj jete, do të fillojë ta lakmojë dhe ta dojë këtë jetë. Në shumicën e rasteve do të zhgënjehet dhe lëndohet nga kjo lakmi. Allahu thotë: “Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më e qëndrueshëm.” Ta he 131. Ndërsa, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shikoni tek ata që janë më poshtë se ju e mos shikoni tek ata që janë më lartë se ju (në pasuri), sepse në këtë mënyrë, nuk do t’i nënçmoni dhe nënvlerësoni mirësitë e juaja që ua ka dhënë Allahu.” Buhariu dhe Muslimi. Amër ibn Abdilah ka thënë: “Një kohë të gjatë i kam shoqëruar të pasurit, por gjatë tërë kohës kam qenë i pikëlluar, sepse shihja se ata kishin rroba më të mira, kishin kafshë me të mira e më shtrenjta, andaj fillova të shoqërohesha me të varfrit dhe u qetësova.”
▪ Angazhimi i shumtë me vëllezërit dhe kështu zemra jote nuk qëndron e preokupuar me Allahun – zbrazja e zemrës nga meditimi rreth Allahut, i Cili duhet të jetë Ai për të Cilin dhe për madhështinë e Tij ti mendon vazhdimisht. Ky është dhe qëllimi i parë që kërkohet prej zemrës tënde dhe është shkaku kryesor me të cilin arrihet shpëtimi dhe lumturia. Disa nga të urtët kanë thënë: “Njeriu i cili ka vlera e virtyte, kërkon vetminë sepse përmes kësaj mediton rreth Allahut dhe nxjerrë dobi e urtësi prej dijes.”
Lusim Allahun që këto mësime të bëhen shkak për t’u shtuar dashuria jonë për hir të Allahut dhe për të përmbushur të drejtat që kemi ndërmjet njëri-tjetrit!
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim



