Shkaqet e humbjes së kohës
Tani do të përmendim disa shkaqe që dërgojnë në humbjen e kohës, si:
– Mosdija rreth vlerës së kohës. Kur nuk ia di vlerën kohës, atëherë do ta humbasësh kot dhe nuk do të dish se si të përfitosh nga ajo.
– Dembelia. Ajo është sëmundje e rrezikshme e cila arrin të vrasë çdo ide përparimtare dhe të shkatërrojë çdo vepër frytdhënëse.
– Mos përqendrimi. Nëse personi i cili është shpërqendruar do të ishte vigjilent, do të arrinte të shfrytëzonte kohën në adhurime ndaj Allahut.
– Mos pasja e një objektivi të caktuar. Synimi më i lartë për të cilin çdo musliman duhet të përpiqet ta realizojë, është arritja e kënaqësisë së Allahut dhe arritja e Xhenetit.
– Keqmenaxhimi i kohës, kur nuk fillon me gjërat më të rëndësishme e pastaj me të tjerat, p.sh.: mëson sunetet para farzeve, përsos degët e fesë para bazave të fesë etj. Kjo gjë dërgon në humbjen e shumtë të kohës, derisa të mësosh se cila është më e rëndësishmja (me të cilën duhet të fillohet).
– Shkujdesja. Nga veçoritë e njerëzve të shkujdesur, është shkujdesja ndaj kohës dhe rëndësisë së saj dhe mos shfrytëzimi i saj atë në adhurime dhe gjëra të dobishme.
– Shoqërimi me njerëz që e kalojnë kohën kot. Nëse shoqërohesh me ta, do të ndikohesh dhe do të bëhesh sikur ata.
– Lidhja e zemrës me këtë jetë. Nëse e do këtë jetë dhe zhytesh në të, do të harrosh përgatitjen për jetën tjetër dhe shfrytëzimin e çasteve në adhurim ndaj Allahut.
– Shpresa për një jetë të gjatë, duke u bërë pengesë mes teje dhe adhurimit ndaj Allahut, në kuptimin që shpreson se do të jetosh gjatë dhe e lë më vonë angazhimin me adhurime dhe pendimin për mëkatet.
– Zvarritja e veprave të mira dhe pendimit, duke i shtyrë për më vonë. Kjo është një nga shkaqet kryesore që njeriu të humbasë kohën e tij. Ka mundësi që tërë jetën ta kalojë pa bërë vepra të mira dhe pa u penduar, ngase thotë: “Kam kohë! Më vonë, më vonë”
– Teprimi në disa gjëra, si: në ushqim, në të folur, në gjumë, në qëndrim gjatë natës etj. Teprimi në këto gjëra është nga shkaqet e humbjes së shumtë të kohës.
– Pasimi i tekave dhe dëshirave. Kjo dërgon te çdo e keqe në këtë botë dhe te shkatërrimi në botën tjetër.
– Koha e lirë e pashfrytëzuar në gjëra të dobishme. Nëse nuk shfrytëzon këtë dhunti e mirësi të Allahut, atëherë kjo kthehet në ndëshkim për ty.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim



