Defektet në pendim

Defektet në pendim

◊ Mospërmbushja e kushteve të pendimit

Dijetarët kanë thënë se kushtet e pendimit janë tre:

  1. Heqja dorë nga mëkati menjëherë dhe nga shkaqet që dërgojnë tek ai mëkat.
  2. Keqardhja që ndjen në zemër.
  3. Vendosmëria për të mos iu kthyer mëkatit.

◊ Humbja e shpresës në Mëshirën e Allahut dhe rënia në dëshpërim

Sado që mëkati të jetë i madh, Allahu prapëseprapë e fal atë. Nuk ka mëkat që të jetë më i madh sesa Mëshira e Allahut. Ai e fal edhe shirkun, që është mëkati më i madh, kur personi pendohet.

Vonimi/shtyrja e pendimit për më vonë

Kur i thua ndokujt: “Pendohu tek Allahu!”, dhe ai thotë: “Më vonë. Ende jam i ri. Pendohem kur të bëj dhe disa vite!”, apo “Kur të kthehem nga haxhi!”, apo “Në Ramazanin e ardhshëm!”, apo “Pasi të bëj edhe këtë mëkat!” etj. Kjo gjë është shumë e rrezikshme. Por, të gjitha këto, janë mashtrime dhe kurthe të shejtanit. Te disa njerëz vazhdon kjo shtyrje derisa të futet në varr, pa u penduar nga mëkatet. Pra, ekziston rreziku që të vdesësh duke qenë në gjendje mëkatimi. Andaj, nuk bën të vonohet pendimi. Sado që vetja mundohet të të mashtrojë e të ta paraqesë mëkatin si një gjë të lehtë, apo sado që shejtani ta zbukuron atë dhe të nxitë drejt mëkatit, duhet të pendohesh vazhdimisht tek Allahu sa herë që vepron një mëkat.

◊ Parja e mëkatit si një gjë të vogël të parëndësishme

Kur thua: “Allahu fal shumë, është shumë i Mëshirshëm!”, duke u mbështetur në shpresën tek Allahu, pa u nxitur të pendohesh për mëkatin. Arsyeja se pse njeriu e sheh mëkatin si një gjë të lehtë, është sepse i është bërë shprehi dhe pjesë e pandarë e jetës së tij. Kështu ngase është ndikuar nga rrethi në të cilin jeton dhe shoqëria e tij. Madje, ndoshta mund të mendojë se pikërisht te kryerja e mëkateve gjen lumturinë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ruajuni gjynaheve të cilat i nënvlerësoni, sepse ato (vazhdojnë të) tubohen te njeriu derisa ta shkatërrojnë.” Kryerja e vazhdueshme e mëkatit edhe nëse është i vogël, e shndërron në mëkat të madh pastaj.

◊ Pendimi vetëm me gjuhë

Kur njeriu pendohet vetëm me gjuhë, pa e ndje me zemër, apo mashtrohet vetëm me bërjen e disa dhikreve dhe mendon se ato bëhen shkak t’i falen mëkatet pa u penduar sinqerisht tek Allahu dhe pa u kthyer tek Ai me zemër.

◊ Mëkatet në vetmi – fshehtësi

Kur njeriu vepron mëkate në vetmi pa e parë askush nga njerëzit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmendur një hadith shumë kërcënues lidhur me këtë: “Në Ditën e Gjykimit do të vijnë njerëz nga umeti im, me vepra sa malet Tihame (vepra të mëdha), po të gjitha ato i shndërron Allahu në hi.” Sahabët janë frikësuar dhe e kanë pyetur se kush janë ata, dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është përgjigjur: “Janë ata të cilët bëjnë adhurime sikur ju, madje falen edhe gjatë natës, mirëpo kur vetmohen me ndalesa bien në to.” Mëkatet e fshehta në vetmi, te shumë njerëz bëhen pengesë mes tyre dhe pendimit tek Allahu. Në këto momente, njeriu nuk e ka askënd pranë që ta përkujtojë të mos bie në mëkat.

Kur je vetëm, këtu tregohet se sa je i sinqertë dhe sa ke turp ndaj Allahut në zemrën tënde. Mëkatet që kryen kur je vetëm, ti mendon se nuk të sheh askush, por të sheh Allahu dhe engjëjt e Tij. Andaj, duhet të turpërohesh prej Allahut dhe engjëjve.

◊ Shkujdesja ndaj gjërave përforcuese të pendimit

Në mënyrë që pendimi ynë të jetë i plotë, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj disa gjërave të cilat ndihmojnë që të jemi të qëndrueshëm në pendimin tek Allahu. Nga to përmendim:

-Largimi nga gjërat që nxisin/joshin të biem në mëkate (ndonjë gjë që shikon, apo lexon, apo shoqëria etj.).

-Ruajtja e shikimit dhe dëgjimit nga gjërat e ndaluara.

-Shpeshtimi i përmendjes së Allahut.

-Namazi i natës.

-Leximi i Kuranit.

-Reflektimi.

-Kundërshtimi i vetes (ndaj mëkateve).

◊ Mosdhënia rëndësi pendimit

Kur njeriu nuk mendon fare për pendimin, sikur pendimi të ishte vetëm për ata që kryejnë gjynahe e krime të mëdha, si: vrasja, pirja e alkoolit, imoraliteti etj. Mirëpo, njeriu vazhdimisht duhet të çojë ndërmend pendimin dhe duhet t’i kushtojë rëndësi këtij aspekti. Edhe nëse supozojmë se personi nuk ka gabime e mëkate, prapëseprapë ka mëkate të zemrës, sepse edhe zemra bën mëkate, madje të mëdha, si: zilia, urrejtja, syefaqësia etj.

◊ Mendimi se pendimi është vetëm për mëkatarët e mëdhenj

Allahu thotë: “Allahu thotë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31. Allahu na urdhëron të gjithëve që të pendohemi, pa marrë parasysh nëse njeriu është besimtar me besim të plotë, apo mëkatar, apo ka mëkate të vogla, apo është i shkujdesur, dhe ky pendim duhet të bëhet në vazhdimësi.

◊ Pendimi vetëm me të jashtmen

Kjo është kur njeriu pendohet vetëm me anën e jashtme, ndërsa zemrën e ka të mbushur me gjynahe dhe me mosbindje ndaj Allahut – zemrën e tij janë rrënjosur gjynahet. Pendimi ynë duhet të jetë edhe me gjuhë, por paraprakisht duhet të burojë nga zemra.

Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit