Motivime për kërkimin e dijes
Allahu thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” Fatir 28.
Dhe: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” Zumer 9.
Dhe: “Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)?” Rad 19.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij që ndjek një rrugë për të kërkuar dije fetare, Allahu ia lehtëson një rrugë prej rrugëve në xhenet.” Kërkimi i dijes është nga shkaqet e hyrjes në Xhenet.
Çdokush që shkon në një vend, qoftë i largët apo i afërt, për të kërkuar dije, veçse ka ndjekur një nga rrugët e Xhenetit.
Te rruga që kërkuesi i dijes e ndjek, nuk hyn vetëm rruga fizike, por përfshihet edhe leximi i librave, dëgjimi i derseve etj.
Muslimanët e parë udhëtonin me distanca të gjata për të kërkuar dije fetare, madje kishte nga ta që udhëtonin në këmbë për shkak se nuk kishin kafshë për të udhëtuar.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kujt Allahu ia do të mirën, ia mundëson të kuptojë fenë.” Nga shenjat se Allahu po ta do të mirën, është kur ti mëson për fenë e Allahut, kur shkon për të dëgjuar një ligjëratë në xhami apo diku tjetër, apo për të prezantuar në një seminar të dijes, qoftë nëse shkon në këmbë apo me mjete të udhëtimit.
Dija për mendjen është sikur drita për syrin.
Njeriu ka vlerë dhe pozitë tek Allahu për aq sa arrin nga dija fetare.
Islami e ngreh shumë lart pozitën e dijes fetare dhe nxit muslimanët të përfitojnë sa më shumë nga ajo. Përmes dijes do të arrijnë të dallojnë të vërtetën nga pa e vërteta, të mirën nga e keqja, udhëzimin nga devijimi, të dobishmen nga e dëmshmja. Njëkohësisht, Islami nxit për arritjen në dijet e dunjasë, aq sa kanë mundësi, ngase kur këto dy dije bëhen bashkë të muslimanët, atëherë do të arrijnë të ngritën lartë për nga civilizimi, zhvillimi, përparimi, prosperiteti etj.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptm



