Të jetuarit për Allahun
Kur besimi është i saktë, atëherë njeriu do të jetë i sinqertë dhe i vërtetë në kërkimin e kënaqësisë së Zotit të tij dhe në kërkimin e çdo rruge që dërgon tek Ai. Kur besimi është i saktë, atëherë besimtari do ta dijë se rehatia dhe qetësia shpirtërore arrihet vetëm në Xhenet dhe se kjo dunja është shtëpia e veprimit dhe e lodhjes.
Zemrat e atyre që janë të vërtetë e të sinqertë, vazhdimisht lëvizin dhe nuk ndalen deri në vdekje. Ai që përvesh mangët e tij dhe përpiqet, nuk zgjedh një rrugë të vetme për të arritur tek Allahu, por përpiqet të ndjekë të gjitha rrugët. Andaj, besimtari i vërtetë dhe i sinqertë gjithnjë gjendet në kërkim të dijes, në faljen e namazit, në thirrjen për tek Allahu, në dhënien e lëmoshës, në bamirësi, në përmendjen e Allahut, në kryerjen e haxhit, në agjërim, në durim etj. Ai nuk ndalet vetëm me një vepër, në shtegtimin e tij drejt Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari kurrë nuk ngopet me një vepër të mirë për të cilën ka dëgjuar, derisa të përfundojë në xhenet.”[1]
Kështu që, besimtari i vërtetë nuk lejon të pengohet nga nefsi, pozita e fama e tij, në ushqyerjen e të varfërve, në ndihmën ndaj nevojtarëve, në vizitën ndaj atyre që nuk njihen në shoqëri, në fërkimin e kokës së jetimit, në kryerjen e një shërbimi ndaj dikujt etj. Besimtarit të vërtetë, sa më shumë që i shtohet dija, aq më shumë do t’i shtohet frikërespekti ndaj Allahut, madhërimi ndaj Tij, dhe për aq do ta përulë veten, do të ketë dëshirë të kryejë vepra të mira dhe të jetë bamirës. Ai vazhdimisht e kthen vështrimin kah vetja e tij, në mënyrë që gjithë kohën e tij ta shpenzojë në rrugën e Allahut.
Besimtari i cili është aktiv dhe pozitiv, është ai që lodhet më shumë sesa që pushon, jep më shumë sesa që merr dhe punon më shumë sesa që flet. Ne duhet ta zgjojmë zemrën tonë dhe ta vëmë në lëvizje duke shikuar biografitë e paraardhësve tanë të mirë (selefussalih), të cilët gjithnjë ishin duke bërë vepra të mira.
Nëse preokupimi yt dhe veprat e tua janë në rrugën e Allahut, atëherë kjo është një shenjë e lumturisë për ty, në këtë botë dhe tjetrën. Andaj, gëzoju kësaj, sepse Allahu nuk ia mundëson dikujt të bëjë vepra të mira veçse e do atë. Është thënë: “Nëse dëshiron të dish pozitën tënde te mbreti, atëherë shiko se me çfarë pozite të ka graduar.” Njëjtë është edhe në raport me Allahun. Nëse dëshiron të dish se çfarë pozite ke tek Ai, atëherë shiko se me çfarë vepra të ka angazhuar.
[1] Hadithi është i dobët (daif), por kuptimin e ka të mirë.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim


