A e ka obligim vajza që pas nikahut t’ia tregojë të kaluarën burrit të saj? Dhe anasjelltas, a e ka obligim burri që t’i tregojë gruas së tij për të kaluarën e tij?

? Përgjigja:

1⃣ Së pari: Ai që është sprovuar me mëkate – sado i madh të jetë mëkati dhe krimi i tij – pastaj pendohet, Allahu i pranon pendimin dhe ia ndërron veprat e këqija në të mira; siç thotë Allahu i Lartësuar:

? “dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El Furkan, 68-70).

Me rëndësi është që pendimi të jetë i pastër dhe i sinqert për Allahun e Lartësuar.

2⃣ E dyta: Prej mirësisë së Allahut të Lartësuar ndaj robit të Tij është kur Ai e mbulon atë (mëkatin e tij) dhe nuk e zbulon çështjen e tij tek të tjerët. Prandaj, është një gjë shumë e shëmtuar që njeriu ta demaskojë / turpërojë veten e tij pasi që Allahu e mbuloi mëkatin e tij. Madje, njeriu duhet që të mbulohet me mbulesën / mbrojtjen e Allahut e Lartësuar. Tekstet fetare e konfirmojnë këtë gjë, si dhe nxisin për të në shumë vende.

Prej tyre: I Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë:

? “Largohuni nga këto ndyrësira (mëkate si zinaja, etj) të cilat ua ndaloi Allahu i Madhërishëm. E, kush iu afrohet, atëherë le të mbulohet me mbulesën e Allahut të Plotfuqishëm.” Transmeton Bejhekiu, ndërsa shejh Albani e vlerëson si autentik në “Es Silsile Es Sahiha” nr. 663.

Gjithashtu, transmeton Muslimi, nr.2590, prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë:

? “Çdo robi që Allahu ia mbulon mëkatet në këtë botë, veçse do t’ia mbulojë edhe në ditën e Kiametit.” Hadithet janë të shumta që flasin në këtë temë.

⛔️ Së këndejmi, gruaja nuk duhet t’i tregojë personit që vjen ta kërkojë dorën e saj apo bashkëshortit të
saj ndonjë prej mëkateve të cilat i ka bërë në të kaluarën. Madje, edhe nëse ai e pyet rreth të kaluarës së saj, ajo nuk i tregon. Por, i lejohet asaj që të përdorë ato fjalë që në arabisht njihet si “meariid” dhe “tewrijeh”, dmth fjalë që dëgjuesi e kupton prej tyre një gjë, por që folësi në realitet ka për qëllim diçka tjetër. Për shembull, t’i thotë: nuk kam pasur lidhje me askënd’, kurse për qëllim e ka nuk kam pasur lidhje me askënd para një apo dy ditëve, e kështu me radhë. E, njëtja gjë vlen edhe për gruan në raport me burrin e saj.

3⃣ E treta: Burri duhet që ta zgjedh një grua me fe dhe moral të mirë. E, nëse Allahu i jep sukses në këtë gjë, atëherë ai nuk duhet të hulumtojë rreth të kaluarës së saj, sepse kjo bie në kundërshtim me atë që Allahu e do, e që është mbulimi i mëkateve. Gjithashtu, me këtë ai e ngjall dyshimet në veten e tij, zhytet në mendime të këqija, si dhe ndihet i shqetësuar vazhdimisht. Kurse, njeriu është në rehati ndaj të gjitha këtyre gjërave. Pra, i mjafton që e sheh gruan e tij të drejtuar në rrugën e drejtë, e bindur ndaj Allahut dhe duke i zbatuar urdhërat e Tij.

Po ashtu, gruaja nuk duhet ta pyes burrin për të kaluarën e tij, a e ka dashur dhe a ka qenë i lidhur me dikë tjetër përveç saj, a ka rrëshqitur në ndonjë mëkat; sepse të gjitha këto gjëra nuk sjellin asnjë të mirë, si dhe e hapin derën e të këqijave të shumta e cila pastaj vështirë është të mbyllet. Gjithashtu, siç e përmendëm më lartë kjo bie në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e sheriatit (fesë së Allahut).

4⃣ E katërta: Nëse burri këmbëngul në marrjen e përgjigjeve prej gruas së tij, apo i kanë arritur disa lajme të cilat dëshiron t’i vërtetojë, dhe ajo nuk gjen rrugë tjetër veçse që të betohet në Allahun, atëherë i lejohet të betohet dhe ta përdorë tewrijen gjatë betimit, siç u përmend më lartë. Për shembull, të thotë: “Për Allahun nuk ka ndodhë asgjë prej atyre gjërave” apo “Për Allahun nuk kam bërë gjë”, kurse për qëllim e ka nuk kam bërë gjë dje. Dijetarët e kanë shtjelluar çështjen se kur i lejohet njeriut të betohet dhe gjatë betimit të tij të përdor “tewrijeh” dhe “tewil”. Rezymeja e fjalëve të tyre është se nëse njeriu del para gjykatësit, atëherë nuk i lejohet ta përdorë tewrijen, përveç rastit kur i është bërë padrejtësi. Ndërsa, kur është para tjerëve, atëherë i lejohet të përdorë të përdorë tewrijen nëse i është bërë padrejtësi – jo nëse ai është i padrejtë -, apo frikësohet se nëse tregohet i drejtë / i sinqertë, atëherë mund ta dëmtojë veten
apo dikë tjetër, apo kur për shkak të tewrijes ka një dobi fetare (masleha sher’ije). (Shih: “El Mugnij, 9/420, dhe “El Mewsuatu El Fikhije, 7/306).

5⃣ E pesta: Ka ardh lejesë që njeriu të gënjejë në tri vende, siç e gjejmë në hadithin të cilin e transmetojnë Tirmidhiu, nr. 1939, dhe Ebu Dawudi, nr. 4921, prej Esma bint Jezid, radijallahu anha, e cila tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, ka thënë:

⛔️ “Gënjeshtra lejohet në tri gjëra: Kur burri flet gruas së tij për ta kënaqur atë (në disa transmetime ka ardh edhe e kundërta, dmth gruaja i flet burrit për ta kënaqur atë), gjatë luftës dhe për të pajtuar mes njerëzve.” Hadithin e vlerëson si autentik shejh Albani në “Sahih Et Tirmidhij”.

? Te një pjesë e madhe e dijetarëve ky hadith intepretohet që për qëllim është gënjeshtra e qartë, jo “tewrije”, por ata thanë se kjo lejohet vetëm kur ka domosdoshmëri apo dobi më të peshuar (masleha raxhiha). E, nëse ka nevojë që në këtë rast të betohet, atëherë betohet dhe nuk ka ndonjë mëkat apo shpagim për këtë. Edhe pse, më parësore është që edhe në këto raste të përdoren “meariid”, siç u përmend më lartë.

Allahu e di më mirë!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit