Bartja e fjalëve dhe përgojimi

 

Bartja e fjalëve dhe përçarja e myslimanëve është prej mëkateve të mëdha, për të cilat njeriu dënohet edhe në varr. Ka mundësi që bartja e fjalëve t’ia shkatërrojë veprat e mira njeriut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “I dështuar dhe i falimentuar në umetin tim, është ai i cili në Ditën e Gjykimit vjen me adhurime të shumta, porse njerëzit nuk kanë shpëtuar prej tij, disa i ka sharë, disa i ka ofenduar, disa i ka goditur…” Këtu hyn edhe bartja e fjalëve. “Atij i merren prej veprave të mira dhe u jepen atyre, derisa të barazohet me ta. Nëse i shteren veprat e mira, atëherë merren mëkatet e tyre dhe hedhen mbi të”. Kur në atë Ditë njeriut i hedhen gjynahet e të tjerëve, e pret shkatërrimi e dënimi.

Kur e kanë pyetur një dijetar se si është puna për atë i cili vepron adhurime të shumta mirëpo i përgojon njerëzit e bart fjalë, ai ka thënë se Allahu paska caktuar që ai të jetë në shërbim të të tjerëve, veprat e mira që bën janë për të tjerët, duke u shpërblyer ata me veprat e tij. Dijetarët kanë thënë se ai i cili më së shumti do të pikëllohet në Ditën e Gjykimit, është ai i cili ka për t’u munduar t’i ndihmojë njerëzit e tij të dashur (fëmijët, prindërit, vëllezërit etj.) dhe nuk do të mund ta bëjë këtë duke mos mundur t’ua japë asnjë vepër të mirë, kurse atyre që nuk i ka dashur fare do t’iu japë prej tyre, duke iu marrë pa dëshirën e tij, pra atyre të cilët i ka përgojuar apo ka bartë fjalë për ta dhe ka bërë përçarje. Besimtari duhet t’i ruajë veprat e tij të mira nga gjërat që ia shkatërrojnë ato.

Raporti ynë ndaj të tillëve? Duhet këshilluar dhe po ashtu duhet përkujtuar ajetet, në të cilat Allahu flet kundër përgojimit e bartjes së fjalëve, dhe hadithet, duke treguar rrezikun e kësaj.

Kur dikush bart fjalë tek ti, nuk duhet ta pranosh (atë se çfarë flet), por duhet ta refuzosh duke i thënë “Mos fol për të tjerët! Nuk dua të dëgjoj. Je duke bërë mëkat.” Shumë prej njerëzve pranojnë të dëgjojnë fjalët e përgojuesit shkaku i kureshtjes se çfarë po bëhet tek të tjerët. Në këtë rast bëjnë gjynah sepse kanë pranuar që tjetri t’ua përcjellë fjalët për të tjerët. Ai që e dëgjon përgojimin dhe nuk e refuzon, është pjesëmarrës në të. Kur dëgjojmë se njëri po përgojon duhet t’i tërhiqet vërejtja, përndryshe të gjithëve na përfshin mëkati. E ai që e bën përgojimin ka mëkat më të madh, mirëpo edhe të tjerët janë pjesëmarrës në të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se ai që e mbron nderin e vëllait të tij kur ai nuk është prezent (kur i bëjnë përgojim), atëherë Allahu (si shpërblim) do t’ia largojë fytyrën prej zjarrit të xhehenemit.

Ai që bart fjalë për dikë tek ti, do të bartë edhe për ty tek ai. Ky është rregull që ndodh tek ata që bartin fjalë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se bartësi i fjalëve – nemmami nuk hyn në xhenet. Kjo tregon se çfarë mëkati i madh është bartja e fjalëve. Ky është hadith kërcënues. Ky mëkat është aq shumë mëkat i madh saqë ia shkatërron njeriut veprat e mira dhe ka mundësi që të mos hyjë fillimisht në xhenet.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga derset – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit