Disa dobi nga ruajtja e gjuhës

Disa dobi nga ruajtja e gjuhës

1.Falja e mëkateve dhe përmirësimi i veprave. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.” Dhe cili është rezultati i kësaj? Vazhdon ajeti: “Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” Ahzab 70-71.

2. Kush e ruan gjuhen i garantohet hyrja në xhenet. Pejgamberi salAllahu alrjhi ue selem ka thënë: “Kush më garanton për atë që ka mes dy nofullave (gjuhën) dhe mes dy këmbëve (organin gjenital), unë ia garantoj xhenetin!” Ai që garanton në këtë rast është Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili çdo gjë që e ka thënë ka qenë shpallje prej Allahut, nuk ka folur me hamendje. Ai na tregon se prej gjërave me të cilave e arrin këtë garantim (hyrjen në xhenet), është ruajtja e gjuhës prej të metave apo sëmundjeve të saj dhe ruajtja e organit gjenital nga gjërat e ndaluara.

3. Shpëtimi në të dy botët. E kanë pyetur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Si ta arrijmë shpëtimin?” dhe ka thënë: “Mbaje (ruaje) gjuhën tënde, le të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua.” Po ashtu ka thënë: “Kush heshtë ka shpëtuar.” Tirmidhiu.

 

4. Gjymtyrët e ndjekin gjuhën. Nëse ajo flet drejt (mirë), edhe gjymtyrët veprojnë drejt. Nëse devijon, edhe gjymtyrët veprojnë ashtu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur biri i Ademit zgjohet në mëngjes, gjymtyrët e tij e pasojnë gjuhën dhe i thonë: “Ke frikë Allahun në raport me ne sepse ne shkojmë pas teje, nëse ti flet drejt, edhe ne veprojmë drejt e nëse ti devijon (flet shtrembër),edhe ne devijojmë (veprojmë shtrembër).”

 

5. Kush e ruan gjuhën, ngritët në shkallë dhe e fiton kënaqësinë e Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë njeriu ka mundësi ta thotë një fjalë me të cilën e kënaqë Allahun e të cilës nuk i kushton vëmendje, mirëpo për shkak të saj Ai e ngrit në shkallë të xhenetit.” Dhe ka thënë: “Vërtetë dikush prej jush ka mundësi ta thotë një fjalë me të cilën Allahu është i kënaqur dhe nuk ia merr mendja se me të arrin shkallë të larta, mirëpo Ai për shkak të saj e shkruan se është i Kënaqur ndaj tij derisa në Ditën kur do ta takojë Atë.” Tirmidhiu.

 

6. Kush e ruan gjuhën ka arritur ta kontrollojë çështjen e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pasi e këshillon Muadhin që ta adhurojë Allahun, të Vetëm, të mos i shoqërojë diçka, ta falë namazin etj., i thotë: “A dëshiron të tregoj se cila është ajo gjë që i mban nën kontrollon këto?Gjithsesi– i ka thënë. Atëherë e ka kapur gjuhën dhe ka thënë: “Ruaje këtë!” Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Një prej dijetarëve të selefit, Junus ibn Ubejde rahimehullah ka thënë: “Sa herë që kam parë se një njeri e ka vëmendjen te gjuha e tij (e kontrollon atë para se të flasë), gjithmonë edhe veprat e tjera i ka pasur mirë.” Ai po ashtu ka thënë: “Nuk do të gjesh një vepër të mirësisë dhe devotshmërisë të cilën e pasojnë veprat e tjera, përveçse gjuhës… Kur sheh ndonjë njeri i cili gjithmonë e flet të vërtetën, nuk ka mundësi që veprat e tij të kundërshtojnë fjalët e tij asnjëherë.” Jahja ibn ebi Kethir rahimehullah ka thënë: “Sa herë që sheh një njeri i cili e kontrollon gjuhën e tij dhe flet fjalë të sakta, do të shohësh se edhe veprat e tjera të tij do të përmirësohen. Sa herë sheh të kundërtën, do të shohësh se edhe veprat e tjera të tij do të prishen.” Kujt i ka dhënë Allahu sukses ta ruajë gjuhën, kjo është shkak që ai të ruajë edhe gjymtyrët e tjera nga ndalesat e mëkatet.

 

7. Kjo është shenjë e besimit të fortë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu ka thënë: “Nuk qëndron drejt besimi i besimtarit derisa të drejtohet zemra e tij. Nuk qëndron drejt zemra e tij derisa të qëndrojë drejt gjuha e tij. “ Imam Ahmedi.

Dersi “Disa dobi nga ruajtja e gjuhës”, hoxhë Lulzim Perçuku.

Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit