Disa gjëra që lehtësojnë dhimbjen e sprovës

Disa gjëra që lehtësojnë dhimbjen e sprovës

 

  1. Dija se dunjaja është shtëpi e sprovimit. Askush nuk e kalon jetën e kësaj bote duke qenë në mirëqenie të plotë, vetëm në gëzime e lumturi. Porse ajo është e mbushur me lodhje, mundime etj. Edhe ajo kënaqësi që përjetohet në të është e përzier me brenga. Nuk ka mundësi që kjo botë të jetë e zbrazur nga vështirësitë, dhimbjet, mundimet e sprovat e saj, nuk ka mundësi të jetë e pastër prej tyre. I shëndoshi sëmuret, i rrituri plaket, i gjalli vdes. Shpejt ndryshojnë gjendjet dhe rrethanat e kësaj bote. Shumë shpejt përfundojnë afatet e jetëve.

 

  1. Besimi me bindje në kaderin e Allahut. Sprovën të cilën Allahu e ka caktuar për besimtarin, e ka caktuar Ai që është i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm, i urtë me dijen e Tij absolute, “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.” Tegabun 11. Alkameh rahimehullah komenton: “Ky ajet ka për qëllim besimtarin të cilin e godet një sprovë a fatkeqësi dhe ai e di bindshëm se kjo është prej Allahut, Ai e caktuar për të, andaj është i kënaqur dhe ia dorëzon çështjen e tij.” Duhet të jemi të bindur se çdo gjë që na ka goditur nuk ka pasur mundësi ndryshe përveçse të na godasë, çdo gjë që na ka ikur nuk ka pasur mundësi të na vije, “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! 23. (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” Hadid 22-23. Ajo gjë që të ka ikur nuk ka qenë për ty, andaj mos u mërzit dhe mos u pikëllo.

 

  1. Hedhja sy sprovave me të cilat janë goditur të tjerët. Ti ndoshta ke humbur një të afërm të dashur, porse dikush tjetër ka humbur disa prej tyre. Abdullah ibn Amirit i kanë vdekur shtatë djemtë e tij brenda një dite dhe ka thënë: “Lavdërimi i takon Allahut, unë vërtet jam musliman, ia kam dorëzuar çështjen time Atij.” Gjithashtu Ebu Dherrit radijAllahu anhu nuk i kanë jetuar fëmijët dhe kur ja kanë përmendur këtë, ka thënë: “Lavdia i takon Allahut, e gjithë kjo është e shkruar në Libër (në Leuhi Mahfudh).” Dhe: “Lavdi i takon Allahut, i Cili i mori ata prej shtëpie të përkohshme drejt një shtëpie të amshueshme.” Sa i rëndësishëm është besimi (imani) në momente sprovash e fatkeqësish; ai i pakëson ato sado që janë të mëdha.

 

  1. Meditimi rreth shpërblimeve të mëdha që Allahu ka përgatitur për të sprovuarit durimtarë. Në Kuran ka ajete dhe në sunet ka hadithe që qetësojnë zemrat e pikëlluara e të trishtuara dhe sytë e lotuar, kur lexojnë në to shpërblime të shumta e të mëdha për durimtarët dhe të kënaqurit me kaderin e Allahut dhe ata që shpresojnë në shpërblimin e Tij. I sprovuari, nëse mendon në këto shpërblime dhe atë që i është marrë, do të gjejë se shpërblimet janë më shumë e më madhështore, e nuk ka krahasim mes këtyre dy gjërave, sepse si mund të krahasohet diçka kalimtare me diçka të amshueshme?! Besimtari kur goditet me fatkeqësi është i qetë, ka prehje e qetësi në zemër edhe nëse ajo i shkakton dhimbje e vuajtje, megjithëkëtë ai e di se ajo është mirë për të, kanë bindje se Allahu nuk zgjedh për robin e Tij besimtar veçse atë që është më mirë për të. Andaj duhet pasur besim në Allahun, mbështetje të plotë dhe mendim të mirë për Të, kur goditemi me sprova e fatkeqësi. Siç ka ardhur në hadithe, Allahu kur e do një rob të Tij e sprovon. Sa më e madhe që është sprova, aq më i madh shpërblimi. Lumë për ata që janë të durueshëm gjatë sprovave dhe janë të kënaqur me atë Allahu ka caktuar për ta, të cilët nuk zemërohen me kaderin e Tij dhe flasin vetëm fjalë të mira, “Shpërblimi i madh vjen bashkë me sprovën e madhe“, “Sprovat vazhdimisht do ta godasin besimtarin dhe besimtarin, në vetët e tyre, në fëmijët e tyre, në pasurinë e tyre, derisa ta takojnë Allahun pa mëkate.”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit