Disa gjëra që pengojnë të mos e shijosh ëmbëlsinë e namazit

  • Disa gjëra që pengojnë të mos e shijosh ëmbëlsinë e namazit:

-Bërja e mëkateve. Kjo pengon më së shumti në përjetimin e kënaqësisë së adhurimeve. Andaj duhet shtuar shumë istigfari. Nëse do të shijosh ëmbëlsinë e adhurimeve (namaz, lexim i Kuranit etj.), duhet që gjatë ditës e natës të shtosh istigfarin, me gjuhë dhe zemër, pra të thuash: “estagfirullah, estagfirullah…” e t’ia kujtosh vetes mëkatet e bëra gjatë ditës. Kështu besimtari do të mund të bëjë adhurime më shumë, por edhe do t’i kryejë në mënyrë më kualitative.

– Mendja te disa gjëra që ka lënë pa kryer para namazit. Andaj, është mirë që të përfundojë punët e gjërat që mund ta preokupojnë gjatë faljes. Kështu, do të rehatohet prej çështjeve të dunjasë e do të hyjë në namaz (me mendje më të qetë).

-Pengesat gjatë namazit. Shumë njerëz kur nisin namazin duke thënë “Allahu ekber” e thonë me gjuhë, pa zemër, pa vëmendje. E Allahu është më i madh se gajlet tua të kësaj jete. Nëse thua “Allahu ekber” dhe hyn në namaz, por që mendja jote mbetet te punët e kësaj bote atëherë kjo nuk po i bie se me zemrën tënde ke bindjen se Allahu është më i madhi, sepse gajlet e çështjet e kësaj bote për ty po janë më të rëndësishme. Kështu është kur namazi është bërë një rutinë te personi. Ndërsa, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kënaqësia e syve të mi është namazi.” Pra, prehjen, qetësinë e kënaqësinë e shpirtit e ka gjetur në namaz. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem qetësimin prej problemeve të kësaj bote e ka gjetur në namaz. Kurse sot shumë namazfalës problemet e botës mundohen t’i zgjidhin në namaz. Besimtari duhet të përpiqet për përmirësim të namazit, vazhdimisht, derisa namazi i tij të bëhet kënaqësi e syve dhe prehje e shpirtit. Adhurimet duhet përpjekur që të mos bëhen adete. Besimtari nuk bën që të lejojë veten të bie në këtë. Si arrihet përmirësimi i namazit? Së pari:

-të mbështetesh tek Allahu e të kërkosh ndihmë tek Ai,

-të ndërmarrësh shkaqet, p.sh.: kur të hysh në namaz të dish se je para Allahut, je duke biseduar me Atë- namazi është bisedë e fshehur mes Allahut dhe robit të Tij,- t’ia kujtosh vetes se Allahu e kthen Fytyrën e Tij kah ti gjatë namazit, Ai të shikon, e kur largohesh me zemër edhe Allahu largon Fytyrën prej teje.

Këtë çështje duhet ta përtërijë çdo ditë, ngase namazi është shtyllë e fesë. Kur njerëzit e përmirësojnë namazin, përmirësohet edhe feja e tyre dhe çështjet e tyre në përgjithësi të kësaj bote, pastaj vjen dhe ndihma e Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit