Disa këshilla kur njeriu gjendet në një sprovë

Besimtari, kur Allahu e sprovon me një gjë, duhet ta dijë se shpërblimi është në bazë të sprovës. Sa më e madhe të jetë sprova, shpërblimi është më i madh tek Allahu. Nga vetë sprovimi, ke shpërblim dhe ke fshirje të shumë mëkateve. Është obligim të kesh durim gjatë sprovës. Nëse ke durim gjatë saj, e arrin edhe shpërblimin e durimtarëve. Besimtari nuk duhet ta konsiderojë sprovën si një gjë përmes së cilës Allahu ka dashur ta poshtërojë apo nënçmojë, por duhet të dijë se ajo i ka ardhur prej dikujt i Cili është i Gjithëdijshëm, i Urtë, i Cili i drejton çështjet e universit. Ai e di më së miri pse ia ka dërguar atë sprovë. Të dijë se Allahu me atë sprovë dëshiron t’ia përmirësojë gjendjen. Nëse me ballafaqohemi me sprovën duke pasur këto mendime të mira për Allahun, atëherë do ta kemi më të lehtë ta tejkalojmë atë. Besimtari pas sprovës shkëlqen më shumë, i shtohet besimi, i përmirësohet gjendje. E ai që ka probleme me besimin, ose është dyfytyrësh në sprovë, ai bie dhe demaskohet gjendja dhe e keqja që ka fshehur. Besimtari duhet ta konsiderojë sprovën si pjesë të jetës. Kjo jetë nuk është pa sprova. Allahu na ka treguar në Kuran: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Bekare 155-156. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur Allahu e do dikë e sprovon.” Ata që përfitojnë nga sprovat, janë durimtarët. Allahu ia dërgon sprovat besimtarit për t’ia falë mëkatet, por edhe për ta shpërblyer për durimin e tij. Durimi është adhurim ndaj Allahut. Nëse tregohemi të durueshëm, vetë ky durim është adhurim për të cilin na shpërblen Allahu. Besimtari gjatë sprovës duhet t’ia kujtojë vetes ata të cilët janë të sprovuar më shumë sesa ai. Kur mendon se ka më keq, kjo ia lehtëson sprovën. Duhet të dijë se Allahu nuk cakton keq. Sado e madhe që është sprova, çdo gjë që e cakton Ai është mirësi, edhe nëse ne e shohim si të keqe apo të dëmshme për ne. Është mirë të shtohet istigfari dhe lutjet tek Allahu. Një gjë që e ndihmon njeriun gjatë sprovës është të dijë se gjendja nuk do të jetë gjithmonë njëjtë, pra nëse është në sprovë, nuk do të jetë kështu deri në pafundësi, porse do të kalojë. Allahu thotë: “Me vështirësinë vjen lehtësimi“, pra lehtësimi nuk i ndahet vështirësisë. Sado e madhe të jetë vështirësia do të vijë lehtësimi. Andaj, sa më shumë që gjendja e dikujt vështirësohet, atëherë lehtësimi është më afër, siç përmendin dijetarët: “Sa më shumë që errësohet, aq më afër është agimi.”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit