Disa rregulla për kategoritë që u lejohet prishja e agjërimit

photo_2019-02-18_17-37-40

Të gjitha ato kategori, të cilave u lejohet prishja e agjërimit, nuk kanë pengesë dhe nuk ka të keqe ta prishin agjërimin publikisht, mirëpo kjo bëhet kur shkaku për të cilin e kanë prishur agjërimin është një gjë e dukshme, p.sh.: i sëmuri, me çrast të gjithë e dinë se është i sëmurë dhe për të nuk prish punë nëse ha në publik, gjithashtu i moshuari i cili nuk ka mundësi të agjërojë.

E në rast se arsyeja e prishjes së agjërimit është diçka e fshehur, duke mos e ditur pjesa tjetër e njerëzve, siç është rasti i femrës me menstruacione, apo i atij që shpëton dikë, atëherë ata e prishin agjërimin në mënyrë të fshehur duke mos u bërë publikisht, kjo që të mos paragjykohet e akuzohet prej të tjerëve dhe që të mos mashtrohet i padijshmi duke menduar se lejohet prishja e agjërimit pa asnjë arsye sheriatike.

Ai që e ka obligim ta bëjë kaza agjërimin, prej këtyre kategorive, bën kaza aq ditë sa nuk ka agjëruar. Kështu thotë Allahu: “(le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Bekare 185. Nëse i ndodh të mos e agjërojë tërë muajin e Ramazanit, atëherë e bën kaza të tërin. Nëse muaji ka pasur 30 ditë, e ka obligim t’i bëjë kaza po aq ditë. Nëse ka pasur 29 ditë, e ka obligim t’i bëjë kaza po aq, e jo më shumë.

Më parësore për muslimanin është që të shpejtojë në bërjen kaza të ditëve të pa agjëruara, në momentin kur largohet arsyeja e lejimit të prishjes së Ramazanit. Në këtë mënyrë më shpejtë lirohet prej përgjegjësisë me të cilën e ka ngarkuar Allahu. Dhe kjo tregon dëshirën e madhe që ka besimtari për të vepruar të mira, për t’iu bindur Allahut dhe për t’i kryer urdhrat e Tij.

Mirëpo, i lejohet ta shtyjë bërjen kaza të ditëve të pa agjëruara deri atëherë kur mes tij dhe Ramazanit të ardhshëm kanë mbetur aq ditë sa i ka pa agjëruar. Allahu thotë: “…(le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Bekare 185. Prej lehtësimit të plotë, që na ka bërë Allahu, është se neve na është lejuar shtyrja e bërjes kaza të ditëve që nuk i kemi agjëruar (në Ramazan). Nëse njeriu ka 10 ditë për t’i bërë kaza, lejohet shtyrja e bërjes kaza derisa të kenë mbetur edhe 10 ditë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Mirëpo, nuk i lejohet ta shtyjë bërjen kaza deri sa të hyjë Ramazani tjetër, nëse nuk ka arsye sheriatike. Aisha radijAllahu anha ka thënë: “Për shkak të detyrave që kisha (ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem), disa ditë të pa agjëruara nga Ramazani i kaluar (për shkak të menstruacioneve apo tjetër gjë të lejuar) më kanë mbetur pa i bërë kaza, dhe nuk kam pasur mundësi t’i bëja kaza derisa ka ardhur muaji Shaban (i cili është para muajit Ramazan).” Buhariu.

Nëse i vonon ditët e mbetura pa i bërë kaza derisa ka ardhur Ramazani tjetër, kjo domosdoshmërish rezulton me grumbullimin dhe shtimin e ditëve, duke mos mundur (të mos ketë forcë) t’i agjërojë të gjitha ato. E ka mundësi dhe ta zë vdekja pa i bërë kaza. Siç e dimë, agjërimi është adhurim që përsëritet. Andaj nuk lejohet vonimi i agjërimit të ditëve nga Ramazani i kaluar derisa të vije Ramazani tjetër. Njëjtë siç është dhe me namazin, nuk lejohet të shtyhet namazi paraprak derisa të vije koha e namazit të ardhshëm.

Nëse njeriut i vazhdon arsyeja sheriatike derisa ka ardhur Ramazani tjetër apo derisa e ka zënë vdekja, ai nuk ka asnjë obligim tek Allahu. Siç e vërejtëm, Allahu ia obligoi njeriut të bëjë kaza ato ditë siç thotë: “disa ditë të tjera” Bekare 185. Dhe, në këtë rast, ky nuk ka arritur që ditët e mbetura t’i agjërojë në ditë të tjera (pas Ramazanit), duke qenë se ende ka pasur arsye sheriatike që ia ka lejuar prishjen e agjërimit edhe më vonë (deri në Ramazanin tjetër). Andaj, obligueshmëria bie prej tij. Shembull i kësaj: vdes pa arritur muajin e Ramazanit, këtij nuk i mbetet obligimi i agjërimit të këtij muaji.

Nëse njeriu ka mundësi t’i bëjë kaza ditët e mbetura, duke qenë se nuk i vazhdon arsyeja sheriatike që ia ka lejuar prishjen e agjërimit (të Ramazanit) deri në Ramazanin tjetër, porse tregohet neglizhent derisa ta zë vdekja apo ta zë Ramazani tjetër, thonë se përveç që ka obligimin e agjërimit të atyre ditëve, po ashtu duhet ushqejë nga një të varfër për çdo ditë të pa bërë kaza, si ndëshkim për të.

Për të vdekurin i bën kaza kujdestari i tij (trashëgimtari i tij ose i afërmi). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush vdes dhe ka ditë obligative të pa agjëruara, për të agjëron veliu (kujdestari) i tij.” Buhariu dhe Muslimi. Me “veliu i tij” është për qëllim trashëgimtari i tij apo i afërmi i tij. Lejohet që pasardhësit apo të afërmit ta ndajnë agjërimin e të vdekurit të tyre duke marrë secili nga një pjesë; kështu, nëse janë 30 ditë pa agjëruar dhe nga ana tjetër janë 30 persona, nëse secili nga ta merr përsipër nga një ditë, atëherë pranohet bërja kaza e muajit Ramazan që i ka ikur pa agjëruar. Buhariu rahimehullah tregon se Hasan el Basriu rahimehullah ka thënë: “Nëse për personin agjërojnë 30 veta, brenda një dite, kjo lejohet. E nëse ai nuk ka velij pas, apo ka lënë pas vetes porse nuk duan të marrin obligim barrë për të agjëruar, atëherë duhet të ushqejnë për çdo ditë të pa agjëruar nga një të varfër prej pasurisë që ka lënë nën trashëgim (i vdekuri).” Në këtë mënyrë bëhen kaza ditët e mbetura të të vdekurit. Ushqimi ndaj të varfërve, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, jepet nga ushqimi kryesor i vendit, për një ditë përafërsisht një kg e gjysmë (1.5 kg).

Këto ishin kategoritë e njerëzve që kanë të bëjnë me dispozitat e agjërimit. Allahu, për çdo kategori të njerëzve, ka ligjësuar atë që është e përshtatshme për gjendjen dhe vendin e tyre. Andaj, ne duhet të njohim urtësinë e Allahut në sheriatin dhe dispozitat e Tij. Duhet ta falënderojmë Allahun që na ka dhënë begatinë e udhëzimit në sheriatin e Tij, i cili është lehtësim për njerëzit. Allahu na ka lehtësuar neve kur kemi vështirësi në agjërim dhe në kryerjen e adhurimeve të tjera. Gjithashtu duhet ta lusim Allahun që të na forcojë në këtë fe deri në vdekje.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

 

 

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva