Dobësimi në fe

Dobësimi në fe

Shkak i rënies në gjendje të dobët (fetare) janë mëkatet. Mëkatet bëhen shkak për mos përjetimin e adhurimeve dhe për ngurtësimin e zemrës. Duhet shikuar se cilat janë ato mëkate që janë bërë shkaktare për këtë gjendje. Nganjëherë janë mëkatet fshehta, të cilat kur shpeshtohen (bëhen adet te personi) atëherë kanë ndikim shumë të rëndë dhe efekt fatal për imanin dhe zemrën e besimtarit. Duhet të braktisen ato mëkate, të hiqet dorë prej tyre, të pendohesh sinqerisht, të kërkosh falje tek Allahu dhe të vendosësh të mos u kthehesh më. Kështu, me lejen e Allahut, do të kthehesh në gjendjen e mëparshme e madje dhe më mirë. Përveç kësaj, duhet bërë lutje tek Allahu të të udhëzojë. Allahu thotë në hadith kudsij: “O robërit e Mi të gjithë ju jeni të humbur përveç atij të cilin e udhëzoj Unë, andaj kërkoni prej Meje udhëzimin që t’ju udhëzoj.” Secili nga ne, zbatuesit e fesë, nuk mund ta udhëzojmë veten, Allahu është Ai i Cili na udhëzon, çdo vepër e mirë që bëjmë është sukses nga Allahu ndaj nesh. Për këtë udhëzim kanë nevojë të gjithë, si i udhëzuari si i dobësuari (apo ai që ka devijuar).

Nganjëherë shkak për dobësim është shoqëria e keqe. Duhet të largohesh prej tyre. Disa dijetarë kanë përmendur se prej kushteve të pendimit është largimi nga shoqëria e keqe e cila ka qenë shkak për rënien në mëkate. Nëse thua se je penduar sinqerisht, atëherë duhet t’i lësh ata shokë të cilët janë bërë shkak të biesh në mëkate, përndryshe nëse vazhdon shoqërimin me ta përsëri do të biesh në ato mëkate. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Andaj secili prej jush le të shikojë se me kë shoqërohet.” Shoqëria ka ndikim shumë të madh te personi. Besimtari e ka obligim të zgjedhë shokët e tij, si: ata që kanë frikë Allahun, që kryejnë obligimet, që largohen prej mëkateve, që ia kujtojnë Allahun dhe ahiretin, që e këshillojnë etj.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit