Dobitë të cilat njeriu i përfiton nga devotshmëria (në jetën e ahiretit)

Dobitë të cilat njeriu i përfiton nga devotshmëria (në jetën e ahiretit)

─ Devotshmëria është shkak që njeriu të ketë pozitë të lartë tek Allahu, si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër. Allahu thotë:Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” Huxhurat 13.

─Është shkak që njeriu të triumfojë në jetën e botës tjetër. Allahu thotë: Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.Nur 52. Ajo është shkak që ai të shpëtojë në Ditën e Gjykimit nga dënimi i Allahut. Çdokush do të kalojë nëpër xhehenem, “Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë…” Merjem 71-72.

─ Është shkak që njeriut t’i pranohen veprat në botën tjetër. Allahu thotë: “Allahu veprat e mira i pranon vetëm prej të devotshmëve.” Maide 27.

─ Është shkak që njeriu të jetë prej banorëve të xhenetit, ta trashëgojë atë. Allahu thotë:Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar”. Merjem 63. Për të devotshmit do të ketë shpërblime të mëdha në ahiret, do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën. Allahu thotë: “…ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet”. Zumer 20. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se për kë do të jenë ato dhoma, kur është pyetur: “Për kë do të jenë ato, o i Dërguar i Allahut?”, ka thënë: “Për ata që gjithmonë flasin fjalë të mira, ushqejnë të tjerët, vazhdimisht agjërojnë dhe falen natën kur të tjerët janë duke fjetur.”

Devotshmëria bën që njeriu në ahiret të jetë sipër mohuesve e mosbesimtarëve, qoftë në ringjallje, qoftë kur tubohen njerëzit dhe dalin para Allahut, qoftë në vendstrehimin e fundit (të devotshmit në xhenet). Allahu thotë:Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata – në Ditën e Kiametit.” Bekare 212.

Devotshmëria është shkak që njeriu të hyjë në xhenet, ngase ai është përgatitur pikërisht për muslimanët e devotshëm. Allahu thotë:Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit…” Ali Imran 133.

Devotshmëria është shkak që njeriut t’i falen veprat e këqija, t’i shlyhen gjynahet e t’i fshihen gabimet. Allahu thotë: Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” Talak 5.

Devotshmëria është shkak që njeriu në ahiret të arrijë çdo gjë që ia do shpirti e që ia kënaq syrin. Allahu thotë: Ata do të hyjnë në Xhenetet e Adnit, ku rrjedhin lumenj dhe ku ka gjithçka, që ata dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu njerëzit e devotshëm…” Nahl 31.

Është shkak që njeriu të mos frikësohet, trishtohet, pikëllohet e të mos e prek asgjë e keqe në ditën e Gjykimit. Allahu thotë: Por Allahu do t’i shpëtojë ata që janë ruajtur me të mirat e bëra, prandaj ata nuk do t’i prekë e keqja e as nuk do të pikëllohen.” Zumer 61. Dhe: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” Junus 62-63.

Të devotshmit në Ditën e Gjykimit do të priten si delegacion i nderuar prej Allahut. Allahu thotë:Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar”. Merjem 85. Xheneti afrohet për të devotshmit në atë Ditë për shkak të përmallimit për ta,Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm”. Shuara 90.

Është shkak që njeriu në ahiret të mos bëhet bashkë me gjynahqarët, të shthururit dhe mosbesimtarët. Allahu thotë:A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira”. Xhathije 21. Dhe: “A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?!” Sad 28.

Çdo miqësi e shoqëri në jetën e kësaj bote që nuk ishte për hir të Allahut, në Ditën e Gjykimit do të shndërrohet në armiqësi, me përjashtim të shoqërisë që njerëzit e devotshëm kanë pasur mes vete. Allahu thotë:Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” Duhan 67.

Për njerëzit e devotshëm, në Ditën e Gjykimit do të ketë vende të sigurta, xhenete dhe burime uji e lumenj. Allahu thotë: “…ata që i frikësohen Zotit të tyre do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj”. Ali Imran 198.

Të devotshmit do të përgëzohen në ahiret (do t’iu jepet lajmi i mirë). Ata nuk do t’i pikëllojë frika e madhe në botën tjetër dhe engjëjt do t’i mirëpresin e do t’iu urojnë mirëseardhje. Allahu thotë:Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën.” Junus 62-64.

Njerëzve të devotshëm do t’iu shumëfishohen shpërblimet dhe veprat e mira. Allahu thotë: “…ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Hadid 28.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit