Dobitë të cilat njeriu i përfiton nga devotshmëria (në jetën e kësaj bote)

Dobitë të cilat njeriu i përfiton nga devotshmëria (në jetën e kësaj bote)

Dijetari i madh ibn Kajjimi rahimehullah ka përmendur disa dobi të saj:

─ Devotshmëria është shkak që njeriut t’i lehtësohen çështjet në jetën e kësaj bote. Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)…” Talak 2.

─ Allahu e mbron të devotshmin nga dëmi i shejtanit. Allahu thotë: “Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë.” Araf 201.

─ Është shkak që njeriut t’i vijnë bereqete e begati të mëdha nga qielli dhe toka. Allahu thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” Araf 96.

─ Atij që ka frikë Allahun, Ai ia jep aftësinë të dallojë mes së vërtetës dhe të pavërtetës. Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt…” Enfal 29.

─ Është shkak për zgjidhjen dhe rrugëdaljen prej vështirësive që e godasin njeriun në jetën e kësaj bote dhe për furnizim prej nga nuk e pret, porse duhet të jemi të bindur në premtimin e Allahut dhe pastaj t’i veprojmë shkaqet. Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret…” Talak 2-3.

─ Atë që ka frikë Allahun, Ai e bën të jetë prej evliave (të dashurve) të Tij. Allahu thotë: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që kanë frikë Atë.” Bekare 267.

─ Atë që ka frikë Allahun, Ai e mbron nga dëmi dhe kurthet e jobesimtarëve. Allahu thotë: “…por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” Ali Imran 120.

─ Është shkak që njeriut t’i zbresë ndihmë prej Allahut gjatë vështirësive dhe përballjes me armiqtë të shumtë. Allahu përmend luftën e Bedrit e thotë: “Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur qetë të pafuqishëm, andaj frikësojuni Allahut, për të qenë falënderues”. Ali Imran 123. Kur vjen ndihma e Allahut, vjen edhe përgëzimi i tij dhe zemrat qetësohen, sepse vjen prej Allahut, të Plotfuqishmit, të Urtit. Ai tregon se këtë ndihmë që ua dha besimtarëve, “e bëri këtë fitore si lajm të mirë, që të qetësohen zemrat tuaja me të. Fitorja vjen vetëm nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” Enfal 10.

─ Është shkak që njeriu të qëndrojë larg armiqësisë dhe lëndimeve e shqetësimeve që njerëzit ua shkaktojnë atij (muslimanit) apo ata njëri-tjetrit. Allahu thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” Maide 2.

─ Është shkak që njeriut t’i pranohen veprat dhe t’i falen mëkatet. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” Ahzab 70-71.

─ Ai që ka frikë Allahun, i madhëron dhe i respekton simbolet e fesë Islame. Allahu thotë: “…kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” Haxh 32.

─ Është shkak që njeriu të arrijë dashurinë e Allahut të Lartësuar. Përmendet hadithi kudsij në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregon se Allahu ka thënë: “Kush e armiqëson të dashurin (mikun) Tim, Unë i kam shpallur luftë atij.” Pastaj hadithi na tregon se me çfarë gjëra e arrijmë dashurinë e Allahut, dhe kryesorja e tyre është kryerja e obligimeve dhe e adhurimeve të tjera (vullnetare) aq sa ka mundësi njeriu. Allahu thotë: “kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, (ta dijë se) Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.” Ali Imran 76.

─ Devotshmëria na mundëson të arrijmë te pajisja me dije fetare të dobishme. Allahu thotë: “…ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju…” Bekare 282.

─ Është shkak i fortë që e mbron njeriun nga devijimet prej rrugës së drejtë, pasi Allahu e ka udhëzuar. Allahu thotë: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” Enam 153.

─ Është shkak që njeriu të arrijë mëshirën e Allahut. Kjo mëshirë për të, është në këtë botë dhe tjetrën. Allahu thotë: “…mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zeqatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona…” Araf 156.

─ Është shkak që Allahu të jetë me njeriun, dm.th. ta ndihmojë dhe përkrahë në ato rrethana e gjendje në të cilat ai ka më së shumti nevojë për këtë, siç na tregon Allahu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë shokut të tij Ebu Bekrit, gjersa ishin në shpellë: “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Teube 40. Allahu iu drejtua Musait dhe Harunit kur i urdhëroi të shkonin te Faraoni: “Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” Ta he 46. Kjo ndihmë e përkrahje dhe ky përforcim është vetëm për robërit e Tij të devotshëm. Allahu thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” Nahl 128. Dhe: “Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet (që janë të devotshëm).” Teube 36.

─ Përfundimi i lumtur në këtë botë dhe tjetrën do të jetë vetëm për të devotshmit. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut.” Araf 128. Dhe: “Andaj, duro! Se, vërtet, në fund, fitorja është e besimtarëve”. Hud 49.

─ Është shkak që njeriut në jetën e kësaj bote t’i vijë përgëzim prej Allahut.

─ Ai që ka frikë Allahun, kjo bëhet shkak që atij të mos i humbas shpërblimi në jetën e kësaj bote dhe tjetrën. Allahu tregon se Jusufi i ishte drejtuar vëllezërve të tij duke iu thënë: “Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. Jusuf 90.

─ Është shkak të arrijmë udhëzimin prej Allahut. Allahu thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”. Bekare 2.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit