Ramazani 2024 – Thënie – Hoxhë Lulzim Perçuku

Ramazani 2024 – Thënie të ndryshme

Mirësitë e Allahut në lidhje me agjërimin

-Na ka mundësuar ta arrijmë Ramazanin, na ka zgjatur jetën derisa ka hyr ai.

-Na ka bërë të lehtë atë (agjërimi nuk është adhurim i vështirë).

-Na ka dhënë dije se si ta kryejmë atë, na ka njoftuar se si të agjërojmë.

-Na ndihmon në kryerjen e këtij adhurimi, Allahu na jep sukses që zemrat tona dhe gjymtyrët tona të lëvizin drejt këtij adhurimi.

-Na ka mundësuar të arrijmë Ramazanin duke qenë në Islam (na ka ruajtur fenë).

-Na ka furnizuar (hamë syfyr e iftar me furnizimet më të mira).

Secili prej nesh ka nevojë të madhe që bashkë me agjërimin edhe të pendohet (të bëjë teube). Sado që mundohet ta kryejë agjërimin në formën më të mirë, nuk do të mundet, sepse e drejta e Allahut është madhështore, shkujdesi dominon mbi ne, mangësia është prezent dhe neglizhenca është diçka reale. Andaj, sa më shumë që e duam dhe e madhërojmë Allahun dhe kemi dituri për Atë, aq më shumë do të njohim të metat tona dhe pastaj aq më shumë do të pendohemi tek Ai.

Hadith: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe me shpresë (në shpërblim)…” – Këtu kemi motivin dhe qëllimin.

Motivi: Besimi në Allahun. Qëllimi: Arritja e shpërblimit të Tij.

Shpresa për shpërblimin e agjërimit

Allahu, më Bujari i bujarëve, thotë: “Unë shpërblej për të (agjërimin)!” Andaj, përgëzoje veten me mirësi ngase Zoti yt është Bujari dhe dhurata që ta jep Ai për agjërimin është vërtetë shumë e madhe.

Llojet e shpërblimit që duhet t’i shpresojmë gjatë Ramazanit:

-Të kujtojmë derën er Rajan, përmes së cilës hyjnë agjëruesit në xhenet.

-Të kujtojmë hadithin: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe shpresë (në shpërblimin e Allahut) do t’i falen mëkatet e kaluara.”

-Të kujtojmë hadithin: “Ramazani deri në Ramazan shlyen mëkatet ndërmjet tyre.”

-Të kujtojmë hadithin: “Mos iu ndaj agjërimit, sepse asnjë vepër nuk barazohet me të.”

Rregull i përmendur prej dijetarëve për adhurimet: Shpresa në një shpërblim të caktuar forcon më shumë besimin dhe bindjen e besimtarit dhe ndikon që ta kryejë adhurimin në formën më të mirë.

⚠️Vërejtje: Të besojë bindshëm se Allahu do ta shpërblejë për adhurimin (në këtë rast agjërimin). Të ketë shpresë për shpërblimin dhe të ketë frikë për ikjen e këtij shpërblimi (për shkak të mangësisë që tregon).

Çdo musliman përmirësohet në Ramazan. Secili prej nesh e vëren përmirësimin e tij ngase Allahu na ka dhënë shumë shkaqe për përmirësim, si: prangosja e shejtanëve, hapja e dyerve të xhenetit, mbyllja e dyerve të xhehenemit, agjërimi, adhurimet e shumta, të cilat ndikojnë në shtimin e besimit, e pastaj rrjedhimisht njeriu është më i devotshëm dhe më i sjellshëm (në raport me Allahun, me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, me Kuranin, me muslimanët dhe me njerëzit në përgjithësi.

Nëse dikujt i përmirësohet sjellja, kjo është rezultat i devotshmërisë së tij dhe kjo devotshmëri është rezultat i besimit (që është shtuar gjatë Ramazanit).

Njeriu e vëren edhe te vetja e tij se në Ramazan është më i sjellshëm në përgjithësi, mirëpo nuk ndodh patjetër, ka njeri që vazhdon me sjelljen e keqe sikur para Ramazanit.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën, fjalët e këqija dhe të vepruarit me të keqen, Allahu nuk është nevojtar që ai të lërë ushqimin dhe pijen.” Qëllimi i hadithit është: Nuk është synimi i agjërimit vetëm mosngrënia e mospirja, Por edhe përmirësimi i sjelljes, i fjalëve dhe i raportit me Allahun dhe me njerëzit. Nëse nuk arrihet ky përmirësim atëherë nuk e ke arritur qëllimin e agjërimit, “…iu është bërë obligim agjërimi… që të bëheni të devotshëm.”

Nëse sheh te vetja se nuk po përmirësohesh në Ramazan atëherë ktheju vetes tënde dhe analizo, se diçka nuk është në rregull me agjërimin tënd.

Agjërimi i Ramazanit është mundësi e madhe për njeriun për t’u përmirësuar, qoftë në raport me Allahun apo në raport me njerëzit, si: të kontrollojë zemërimin, nervozën, fjalët, shikimin, ngase ia kujton vetes se është agjërueshëm. Dhe nëse për një muaj vepron kështu, atëherë patjetër kjo do të ndikojë që të përmirësohet gjendja e tij edhe pas Ramazanit.

Është mirë t’ia kujtosh vetes disa gjëra para veprës, shembull: kur është fjala për syfyrin:

-Të kujtosh argumentet e shumta për shpërblimet e syfyrit.

-Kur je duke ngrën t’ia kujtosh vetes se kështu je duke bërë një adhurim sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar në kuptimin e preferencës që të çohemi për syfyr, me këtë arrin kënaqësinë e Allahut ngase je duke zbatuar një urdhër të Tij dhe arrin shpërblim për bindje ndaj Tij dhe për pasim ndaj sunetit (Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është ngritur për syfyr dhe ka porositur për këtë). Është vepër e mirë të hash diçka për syfyr, edhe nëse nuk ha asgjë atëherë së paku të pish ujë.

-Të kujtosh se për ata që çohen për syfyr Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salavate.

-Të kujtosh se je duke ngrënë me furnizimin e Allahut, se Ai të ka furnizuar, kjo e shton falënderimin ndaj Tij me zemër dhe gjuhë.

Sa më shumë që ia kujton vetes këto, shpërblimi për veprën shtohet më shumë. Mirëpo, shumica janë të shkujdesur ndaj këtyre nijeteve. Përmes nijetit njeriu mund ta rrisë veprën e tij (të arrijë shpërblime të mëdha) tek Allahu. Me nijet, një vepër të vogël mund ta bësh të madhe tek Ai, ashtu dhe e kundërta, një vepër të madhe mund ta bësh të vogël (nëse në të ka syefaqësi, vetëpëlqim).

Umreja në Ramazan 🕋

-Ka shpërblim të madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “…sikur të bësh haxh.”

Andaj, është mirë kush ka mundësi të shkojë për umre në Ramazan, ngase shpërblimi është shumë i madh.

Dhikri me zemër e gjuhë- Forma më e plotë.

Dhikri me zemër.

Dhikri me gjuhë.

Për të gjitha ka shpërblim. Nëse personi nuk mund të bëjë dhikër me gjuhë e me zemër, atëherë së paku le të bëjë vetëm me gjuhë (gjatë punëve që kryen).

Nëse i fal 8 apo 12 rekate me imamin dhe del nga xhamia, ia ke humbur vetes mundësinë të fitosh shpërblimin sikur të falesh tërë natën.

Namazi i teravive është sunet, mirëpo nëse shkon në xhami për teravi, atëherë mundohu të falesh aq sa falet imami, sepse siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem:

“Kush falet me imamin derisa të përfundojë namazin, i shkruhet sikur të falet tërë natën.”

– Përpirja e lotëve e prish agjërimin nëse e ndjen shijen e tyre në fyt, duke e bërë me dashje, ndërsa nëse bëhet pa dashje nuk e prish agjërimin.

-Besimtari nuk duhet te jete aq i dobet sa te perkushtohet vetem ne netet teke te dhjete neteve te fundit te Ramazanit.

-E gjithë dita e agjërimit është ditë e lutjeve.

-Nëse lexon nga mus’hafi shqip (përkthimin) e merr shpërblimin e kërkimit të dijes. Por, nuk është i njëjti shpërblim sikur që lexon nga mus’hafi arabisht që për çdo shkronjë shpërblehesh nga dhjetë sevape.

Veprat më të mira në dhjetë netëshin e fundit:

-Itikafi.

-Namazi i natës.

-Leximi i Kuranit.

-Lutjet.

Këto janë më të rëndësishmet. Nëse nuk ke mundësi të bësh itikaf atëherë bëj namaz nate. Nëse nuk ke mundësi të falesh tërë natën atëherë lexo Kuran dhe bëj lutje (kombino mes tyre), sidomos lutjen:

اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّي

“All-llahum-me in-neke afuw-wun tuhib-bul afwe féafu an-ní”.

Prej sunetit është blerja dhurata fëmijëve për festën e Bajramit (të gëzohen). Kjo ka qenë gjithmonë traditë e muslimanëve. Është mirë që për Bajram nëse personi ka mundësi të blejë rroba të reja.

Dijetarët e kanë ndaluar që xhemati ta përcjellë imamin me mus’’haf në duar apo me telefona. Kjo bën të kesh shumë lëvizje në namaz, të humbet përuljen gjatë faljes, e kundërshton sunetin në vendosjen e dorës së djathtë mbi të majtën (ngase duhet të mbash mushafin apo telefonin) dhe të tjera. Kjo përveç nëse imami e ka hizfin e dobët, atëherë lejohet për një prej xhematit ta përcjellë atë (kur të gabojë ta përmirësojë).

 

 

 

Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit