Imani është durim dhe falënderim

Imani ndahet në dy pjesë: Gjysma është durim kurse gjysma tjetër falënderim.

Shumë nga selefët kanë thënë se durimi është gjysma e imanit. Abdullah ibën Mes’udi thotë:

“Imani ndahet në dy pjesë: Gjysma është durim kurse gjysma tjetër falënderim”.

Për këtë arsye Allahu ka përmendur së bashku durimin dhe falënderimin në këtë ajet, ku thotë:
“Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues” (Ibrahim/5).

Kjo ndarje e imanit është argumentuar nga shumë aspekte:

Aspekti i parë:
Fakti se imani është emër i cili përmbledhë në vehte fjalët, veprat dhe nijetin (qëllimin), ku të gjitha këto ndahen në dy grupe: veprim apo mosveprim. Veprimi është kryerja e ibadetit të Allahut, e që është realiteti i falënderimit, ndërsa mosveprimi është durimi dhe të përmbajturit nga mëkati, ndërsa e gjithë feja qëndron në këto dy gjëra: zbatim të urdhërave dhe mosveprim të ndalesave.

Aspekti i dytë:
Nga fakti se imani qëndron mbi dy shtylla: bindje dhe durim, dhe këto dy shtylla janë përmendur në fjalën e Allahut:
“Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të durueshëm dhe besonin bindshëm”. (Sexhde/25).

Me anë të bindjes e mëson realitetin e urdhërit dhe ndalesës, shpërblimit dhe ndëshkimit. Ndërsa me anë të durimit bën kryrjen e urdhërave dhe përmbahet nga ndalesat. Njeriu nuk mund ta arrijë besimin se urdhërat dhe ndalesat vinë nga Allahu përveç se me anë të bindjes, dhe në anën tjetër nuk do të ketë mundësi të vazhdojë në kryerjen urdhërave dhe të ndalohet nga ndalesat përveç se me anë të durimit. Prandaj duke i kryer urdhërat e Allahut dhe duke u përmbajtur nga ndalesat bëhet që gjysma e imanit të jetë durimi dhe gjysma tjetër falënderimi.

Aspekti i tretë:
Nga fakti se imani përbëhet nga fjalët dhe veprat, ku në fjalë përfshihen fjalët e zemrës dhe gjuhës, kurse në vepra hyjnë veprat e zemrës dhe gjymtyrëve. Sqarimi i kësaj: Ai që e njeh Allahun me zemrën e tij por nuk e pranon me gjuhën e tij, nuk është besimtar, sikur që thotë Allahu për popullin e Faraonit:

“Kështu, ata i mohuan ato, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta” (En Neml/14),

Po ashtu për popullin Ad dhe popullin e Salihut:
“Atyre djalli ua kishte zbukuruar veprat e veta dhe i kishte shmangur nga rruga e drejtë, edhe pse qenë largpamës dhe e dinin atë”. (El Ankebut/38),

po ashtu Musau i tha Faraonit:
“(Musai) tha: “Tashmë ti e di se këto nuk i ka shpallur askush tjetër përveç Zotit të qiellit dhe të Tokës, si prova të dukshme dhe Unë jam i bindur se ti je i dënuar në humbje”. (El Isra/102).

Pra këta kanë realizuar fjalën e zemrës, që është njohja dhe dija për Allahun, por prapë nuk ishin besimtarë. Gjithashtu nuk është besimar edhe ai cili flet me gjuhën e tij atë që nuk është në zemrën e tij, sepse ky është munafik. Poashtu edhe ai që ka besuar me zemër dhe ka pranuar me gjuhën e tij nuk mund të jetë besimtar përderisa nuk i realizon veprat e zemrës, siç janë dashuria, urrejtja, miqësimi, armiqësimi; pra e don Allahun dhe të dërguarin e Tij, i miqëson të dashurit e Allahut dhe në anën tjetër i armiqëson armiqtë e Tij, me zemrën e tij i dorëzohet Allahut dhe pasimit të Pejgamberit dhe i përmbahet sheriatit të Allahut me gjithë qenien e tij të jashtme dhe të brendshme. Por edhe sikur t’i vepronte të gjitha këto, nuk do të mjaftonte për t’u plotësuar imani i tij derisa t’i ketë vepruar të gjitha ato që i janë urdhëruar.

Këto katër shtylla janë shtyllat mbi të cilat është ndërtuar imani, të cilat përbëhen nga dituria dhe veprat, ku në vepra hyn të përmbajturit dhe ndalimi i vetes nga gjërat e ndaluara, e këto nuk mund të realizohen pa patur durimin. Pra imani qenka në dy pjesë: njëra është durimi kurse tjera është dituria dhe vepra.

Aspekti i katërt:
Nga fakti se shpirti ka dy fuqi: fuqinë e të vepruarit dhe fuqinë e të përmbajturit, dhe çdo herë shpirti qëndron në mes të këtyre dy fuqive, ai e vepron atë që e do dhe përmbahet nga ajo që e urren, dhe e gjithë feja është ose veprim ose të përmbajtur, pra veprim me anë të ibadetit dhe përmbajtje nga mëkatet, dhe që të dyja nuk mund të realizohen përveç se me durim.

Aspekti i pestë:
E gjithë feja është shpresë dhe frikë, ku besimtarin e bën të shpresojë dhe të frikësohet. Allahu thotë:
“Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin me shpresë e frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh” (El Enbija/90).

Ndërsa transmeton Buhariu se në duanë e gjumit është sunet të thuhet:

“O Allah, Ty t’a dorëzova shpirtin tim, fytyrën time e ktheva kah Ti, gjithë çështjen time e drejtova tek Ti, u mbështeta tek ti me frikë dhe shpresë”1.

Asnjëherë nuk mund ta gjeshë besimtarin ndryshe përveç se me shpresë dhe të frikësuar, ndërsa shpresa dhe frika qëndrojnë në trungun e durimit, ku frika e shtyen në durim ndërsa shpresa e shpie në falënderim.

Aspekti i gjashtë:
Të gjitha veprimet që i kryen robi në këtë botë mund t’i sjellin dobi në dunja dhe ahiret, ose mund t’i sjellin dëm në dunja dhe ahiret, ose i sjell dobi në njërën botë kurse i sjell dëm në tjetrën. Ndërsa më e mira është të vepruarit e asaj që i sjell dobi në ahiret dhe të përmbajturit nga ajo që i sjell dëm. Ky është realiteti i imanit, sepse të veruarit e asaj që sjell dobi është falënderim, ndërsa përmbajtja nga ajo që sjell dëm është durim.

Aspekti i shtatë:
Robi nuk mund të shkëputet nga asnjë urdhër që e vepron, nga asnjë ndalesë që përmbahet nga ajo dhe nga snjë kader që i caktohet atij. Kurse obligimi i tij në këto tri gjëra është durimi dhe falënderimi; sepse kryerja e urdhërit është falënderim, të përmbajturit nga ndalesa dhe durimi në kader është durim.

Aspekti i tetë:
Robi ka dy arsye: Njëra arsye e shtynë kah dunjaja dhe dëshirat për të, kurse aryeja tjetër e thërret tek Allahu, ahireti dhe tek të mirat që janë përgatitur për të dashurit e Tij, dhe kundërshtimi i arsyes së epsheve dhe ëndjeve është durim, kurse të përgjigjurit arsyes që thërret tek Allahu dhe ahireti është falënderim.

Aspekti i nëntë:
1 . Buhariu: 6313, Muslimi: 2710.
Boshti i fesë qëndron mbi dy baza: vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë. Këto dy baza janë përmendur në hadithin e transmetuar nga Ahmedi dhe Nesaiu, ku Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) thotë:

“O Allah, kërkoj nga Ti që të jem i qëndrueshëm në fe dhe i vendosur në punë të mira”2.

Esenca e falënderimit është që vendosmëria të jetë e drejtë, kurse esenca e durimit është që qëndrueshmëria të jetë e fuqishme. Sa herë që robi përkrahet nga vendosmëria dhe qëndrueshmëria, ai është përkrahur nga një ndihmë e madhe dhe nga suksesi.

Aspekti i dhjetë:
Feja qëndron mbi dy baza: të vërtetën dhe durimin, dhe që të dyja janë përmendur në fjalën e Allahut:

“i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. (El Asr/3).

Me që nga robi kërkohet që të veprojë me të vërtetën si në raport me veten ashtu edhe me të tjerët, që është realiteti i falënderimit, atëherë kjo nuk mund të realizohet pa durimin, dhe për këtë durimi është gjysma e imanit, Allahu e di më së miri.


Shkëputur nga libri: “Idetu Sabirine ve Dhehiretu Shakirine”
Autor: Ibën Kajim el Xheuzije
Përktheu: J.B.

2 . transmeton Ahmedi (4/123), Nesaiu (3/54) dhe të tjerë.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva