Katër themelet e moraleve të mira

Katër themelet e moraleve të mira

Do të flasim për katër themele të moraleve të mira. Të gjitha moralet islame qëndrojnë dhe bazohen mbi këto katër çështje. Kushdo që u kushton rëndësi atyre, llogaritet prej atyre që kanë sjellje dhe moral të lartë. Kush është i mangët në ndonjërin prej tyre. atëherë për aq ka moralin dhe sjelljen e mangët. Pra, varësisht sa është i pajisur me to, për aq llogaritet me moral të lartë.

Këto katër shtylla që ndërlidhen me moralet tona i hasim në katër hadithe ndaras:

  1. Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit (e Gjykimit), le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë!”
  2. Prej Islamit të mirë të njeriut, është lënia e gjërave që nuk i interesojnë.”
  3. Mos u zemëro!”
  4. Nuk ka besuar askush prej jush përderisa nuk do për vëllain e tij atë që do për veten e tij.”

Të gjitha hadithet e tjera që flasin rreth moraleve, i kanë për bazë këto katër hadithe. Atij që Allahu i ka dhënë sukses në kuptimin e këtyre haditheve dhe zbatimin e tyre në jetën e përditshme, tek ai janë mbledhur bazat e moralit të mirë.

 

   Baza (shtylla) e parë e moralit të mirë: Ruajtja e gjuhës. Ai që nuk e ruan gjuhën e tij dhe që nuk kujdeset se çfarë po flet, nuk llogaritet se ka moral të lartë të muslimanit. Secili duhet të shohë se çfarë nxjerrë nga gjuha dhe kështu do të dijë se sa posedon moral islam. Po shohim këtu se prej bazave madhështore dhe shtyllave mbi të cilat ngritën dhe bazohen moralet e larta islame është ruajtja e gjuhës. Ruajtja e gjuhës nënkupton: mbajtjen nën kontroll atë, frenimin e saj dhe të folurin vetëm me fjalë prej të cilave ka dobi. “Le të flasë mirë ose le të heshtë“- me këto fjale thirret njeriu që të ndalet e meditojë mirë para se të nxjerrë fjalë prej gjuhës. Nëse mediton për fjalën që do ta flasësh, atëherë do të arrish ta kontrollosh e zotërosh atë. E nëse e flet, atëherë ajo të zotëron ty, ngase në bazë të saj ose do të kesh shpërblim ose dënim. Prandaj është sjellje e mirë e besimtarit kur mendon mirë para se të flasë, e pastaj flet. Njeriu kur do të flasë ka tri gjendje:

  1. Kur fjala që do ta flasë është e dobishme, e mirë. Nëse është e bindur se është e tillë, atëherë e flet atë.
  2. Kur fjala që do ta flasë është e keqe, e dëmshme, në të dy botët, si: përgojim, gënjeshtër, nënçmim e ofendim, bartje e fjalëve etj. Nëse është e tillë, e ka për obligim ta ndalë gjuhen e tij dhe të mos e nxjerrë.
  3. Kur fjala që do ta flasë është e paqartë, nuk e di se a është e mirë apo e keqe, është në mëdyshje, atëherë është më mirë të ndalet e të mos e flasë atë fjalë.

Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.” Ahzab 70.

 

Baza e dytë e moralit të mirë: Largimi prej gjërave që nuk të interesojnë, të qenit moskureshtar dhe mosfutja e vetes në gjëra që nuk të hyjnë në punë, pra prej të cilave nuk ke dobi në botën tjetër apo edhe në këtë botë. Njeriu që është kureshtar e që pyet për çdo gjë, nuk llogaritet në Islam se është me edukatë e moral të lartë. Kureshtja e tij dhe futja e vetes në gjëra që nuk i hyjnë në punë, e nxjerrin prej sferës së moralit të lartë. Përkundrazi, qëndrimi larg kureshtjes, interesimit dhe pyetjeve për çdo gjë, kjo është prej shenjave të edukatës së muslimanit. Këtë hadith disa njerëz e përdorin jo në vendin e duhur. Kështu nëse dikush i urdhëron për një vepër të mirë apo i ndalon nga një mëkat, ata përmendin këtë hadith e thonë “Çfarë veproj unë ty nuk të intereson. Nuk është e nevojshme të më këshillosh!” Ky hadith duhet të kuptohet sipas kritereve të fesë. E prej rregullave të fesë është urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Kjo gjë dhe duhet t’i interesojë besimtarit. Urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja është një gjë me të cilën na ka urdhëruar Allahu në Kuran dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në sunetin e tij. Besimtari duhet ta praktikojë ndaj të tjerëve këtë gjë. Në këtë hadith përfshihet dhe shikimi i padobishëm, pra interesimi përmes shikimit se çfarë është duke ndodhur prej gjërave që nuk i hyjnë në punë, po ashtu dhe dëgjimi rreth asaj se çfarë po flasin të tjerët diku më larg tij etj. Nëse njeriu bien në njërën prej këtyre gjërave le të dijë se kjo sjellje e ka nxjerrë prej sferës së moralit të lartë.

 

Baza e tretë e moralit të mirë: Mosveprimi me emocione, e sidomos mos të shkojë pas zemërimit. Kur njeriu ndjek emocionet dhe lejon që ato ta kontrollojnë atë dhe kështu zemërohet, patjetër gjatë kësaj gjendje do të veprojë vepra apo do të flasë fjalë (të pakontrolluara) prej të cilave do të ketë pasoja të mëdha në Ditën e Gjykimit. Veprimi dhe thënia e fjalëve gjatë zemërimit (apo nervozës, apo hidhërimit etj.), kjo e nxjerrë njeriun prej sferës së moralit të lartë dhe nuk llogaritet se ka moral të lartë islam. Kjo sepse kur flet gjatë zemërimit, patjetër do të flasë fjalë për të cilat do të pendohet pas zemërimit. Dijetarët thonë: “Fillimi i zemërimit është çmenduri, ndërsa fundi i tij është pendim.” Muslimani nuk duhet të lejojë që emocionet e tij ta kontrollojnë apo udhëheqin atë. Ai duhet të jetë i cili i mban nën kontrollë emocionet e tij dhe që i zotëron ato. Por, nëse ndodhë që të bie në këtë çështje, atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka mësuar që të ulemi (nëse jemi në këmbë kur na kaplon zemërimi), e nëse nuk kalon as kështu atëherë na ka mësuar që të shtrihemi. Në një hadith tjetër thuhet: “Kur dikush prej jush zemërohet le të heshtë!” Këtu na mëson se si të veprojmë në çaste zemërimit. Kur nuk flasim në gjendje zemërimi, atëherë do të arrijmë ta frenojmë veten prej fjalëve të dëmshme dhe prej veprave të dëmshme për ne dhe fenë tonë.

 

Baza e katërt e moralit të mirë: Të kesh një zemër të pastër ndaj vëllait musliman. Pra, të mos kesh urrejtje, zili, mllef, dashakeqësi, xhelozi etj. Allahu tregon se prej lutjeve që kanë bërë muslimanët e parë (sahabët) ka qenë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve!” Hashr 10. Urdhërohet dhe kërkohet për besimtarin që të ketë zemër të shëndoshë. Nuk lejohet në zemrën e tij të ketë qëllime të këqija e të prishura. Nëse i ka, atëherë nuk llogaritet prej atyre që kanë moral të lartë islam. Prishja e brendësisë (zemrës) do të pasqyrohet edhe në veprat e jashtme. Nëse në zemrën tënde ka ndonjë sëmundje të tillë, atëherë duhet të shpejtosh ta pastrosh.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi Katër themelet e moraleve të mira – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit