Kënaqja me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i shtatë: Kënaqja me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit ai i cili është i kënaqur me Allahun për Zot (të Adhuruar), me Islamin për fe dhe me Muhamedin për të Dërguar.”

Kur njeriu vendoset në varrin e tij do t’i drejtohen tri pyetje dhe përgjigja janë këto fjalë me të cilat nisëm. Kushdo që punon e jeton me to, atëherë përgjigja e tij do të jetë e lehtë (në varr). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili që vendoset në varr do të pyetet: “Kush është Zoti yt?” dhe besimtari do të përgjigjet: “Zoti (i Adhuruari) im është Allahu”, “Cila është feja jote?” dhe besimtari do të përgjigjet: “Feja ime është Islami.”, “Kush është ai burrë (Muhamedi salAllahu alejhi ue selem) i cili është dërguar te ju?” dhe besimtari do të përgjigjet: “Ai është i Dërguari i Allahut.” Ndërsa, ai që jeton i shkujdesur ndaj këtyre tri çështjeve (nuk mendon për to, nuk punon me to), si do t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve siç duhet, por do të thotë: “Ah, ah, nuk e di!”

Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) kur shpjegon hadithin më lartë thotë: “Ai na tregon se duhet të jemi të kënaqur me katër gjëra:

-me ilahijen (se Allahu është i Adhuruari i Vetëm): ta duash vetëm Atë, të kesh frikë e shpresë tek Ai, të kthehesh tek Ai, t’i nënshtrohesh Atij me adhurime të ndryshme dhe të gjitha forcat e dëshirave dhe dashurisë tënde të jenë të drejtuara vetëm kah Allahu.

-me rububijen (se Allahu është Zoti e Krijuesi): të jesh i kënaqur me atë që ka caktuar për ty, në mënyrën se si Ai ka drejtuar çështjet e tua dhe të krijesave në përgjithësi, t’i mbështetesh vetëm Atij, të kërkosh ndihmë dhe të jesh i kënaqur me çdo gjë që Ai vepron.

-me Pejgamberin e Tij për të Dërguar: ta pasosh komplet atë, të jetë më i rëndësishëm për ty sesa vetja jote, të marrësh udhëzimin vetëm prej fjalëve të tij dhe të gjykohesh vetëm tek Ai (udhëzimet e tij).

-me Islamin për fe: të jesh i kënaqur me urdhëresat, ndalesat e gjykimet e Islamit, pa pasur dyshime e ngushti, të dorëzohesh plotësisht edhe nëse kjo kundërshton dëshirën apo tekat e tua, apo fjalët e atij që pason, apo grupit të cilit i përket.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kush është i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe me Muhamedin për Pejgamber, i bëhet obligim hyrja në xhenet.” Dhe ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë gjithashtu për këtë hadith dhe atë që cituam më lartë: “Këto dy hadithe tregojnë se të gjitha nivelet e fesë kthehen tek këto katër çështje (që i përmendëm më lartë). Kush i realizon ato është siddik – besimtarë i vërtetë tek Allahu. Mirëpo, të thuhen me fjalë kjo është e lehtë, por të zbatohen në realitet kjo është më e vështira, sidomos atëherë kur ndonjëra prej tyre bie ndesh me synimet dhe dëshirat e personit.”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit