Këshilla të dobishme 50

  • Imam ibn Rexheb (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ngrënia e haramit e prishë veprën e mirë dhe e pengon pranimin e saj (tek Allahu).” El-Xhami’, 1/100.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fëmija i jep përparësi asaj që e dëshiron, edhe nëse ajo e çon drejt shkatërrimit, kjo për shkak të aftësisë së dobët të arsyetimit. Ai që nuk ka fe i jep përparësi asaj që e dëshiron, edhe nëse ajo e shkatërron në botën tjetër, kjo për shkak të aftësisë së dobët të arsyetimit.” Raudatu El-Muhibbin, 470.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush bën ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele, 7-8). Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në këto ajete ka inkurajim të skajshëm për kryerjen e veprave të mira, edhe nëse janë të pakta, dhe ka kërcënim për të mos i vepruar veprat e këqija, edhe nëse janë shumë të imëta.” Tefsir Es-Si’dij.

 

  • Hafëz ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kufizimi i vazhdueshëm vetëm në faljen e farzeve dhe braktisjen e suneteve, shpie në përtaci dhe në zell të dobët ndaj kryerjes së adhurimeve.” Fet’h El-Barij, 9/134.

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) një ditë e këshilloi nxënësin e tij, imam El-Muzeniun, duke i thënë:

Ki frikë Allahun dhe parafytyroje botën tjetër në zemrën tënde.

– Vdekjen vendose para syve.

– Mos e harro qëndrimin para Allahut dhe gjithmonë frikohu prej Tij.

– Largohu nga gjërat që Ai i ka ndaluar, zbatoji urdhrat e Tij dhe ji me të vërtetën kudo që është ajo.

– Mos i shih si të vogla begatitë e Allahut ndaj teje edhe nëse janë të pakta, por falënderoje Atë për to.

– Heshtja jote le të jetë reflektim, të folurit tënd dhikr (përmendje e Allahut), shikimi yt marrje e mësimit dhe mbrohu me Allahun nga Zjarri i Xhehenemit përmes devotshmërisë. Menakib Esh-Shafi’ij, 2/294.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej ilaçeve më të dobishme është këmbëngulja në lutjen drejtuar Allahut.” El-Xheuab El-Kafij.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “E kam dëgjuar hoxhën e Islamit, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) të thotë: “Frika (prej Allahut) që lavdërohet është ajo që të pengon nga rënia në harame.” Medarixh Es-Salikin.

 

  • Neveviu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Tërë dijetarët janë të një mendjeje se pendimi nga të gjitha mëkatet, qofshin ato të vogla apo të mëdha, është një obligim i menjëhershëm.” Sherh Sahihi Muslim.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari duhet të jetë i përkushtuar që ta përfundojë këtë muaj madhështor me veprat më të mira të mundshme.” Hadithu El-Mesa’.

 

  • Imam Abdullah ibn El-Mubarek (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej fatkeqësive më të mëdha është kur njeriu e di për veten e tij se ka mangësi (në fe), pastaj tregohet indiferent për këtë dhe nuk pikëllohet.” Shu’ab El-Iman, Bejhekiu.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dihet se një thënie e vetme “subhanAllah” në regjistrin e veprave të njeriut është më e mirë sesa kjo botë dhe çdo gjë në të, sepse dynjaja me çfarë ka në të do të largohen e përfundojnë, ndërkaq thënia subhanAllah dhe vepra e mirë mbesin. Allahu i Madhërishëm thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” (El-Kehf, 46). Sherh Rijad Es-Salihin, 3/378.

 

  • Umer ibn AbdulAziz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zemrat janë vende ku ruhen të fshehtat, buzët janë dryni dhe gjuhët janë çelësi i tyre. Andaj, secili njeri le ta ruajë çelësin e fshehtësive të tij!” Edebu Ed-Dunja ue Ed-Din, El-Mauerdij, 308.

 

  • Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) thotë: “Allahu ka marrë përsipër se ai i cili e lexon Kuranin dhe vepron me të, nuk do të devijojë në këtë botë dhe nuk do të jetë i pafat e i mjerë në botën tjetër.” Miftah Dar Es-Se’adeh.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Vërtetë, pasimi i tekave e verbon syrin e zemrës dhe ai më nuk dallon mes Sunetit dhe bidatit; apo e shtrembëron atë dhe ai e sheh bidatin si Sunet dhe Sunetin si bidat.” El-Feuaid, 146.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Një ditë, hoxha i Islamit, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) më tha: “I burgosur është ai që e ka zemrën të burgosur ndaj Allahut, ndërsa i robëruar është ai që e kanë robëruar epshet.” El-Uabil Es-Sajjib.

 

  • Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Njerëzit që më së shumti e meritojnë lëmoshën janë të afërmit.” Tefsir ibn Kethir.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dije se, njeriu i arrin gradat e larta tek Allahu nëpërmjet zemrës dhe ambicies së tij, e jo nëpërmjet trupit, sepse realisht devotshmëria është ajo e zemrës e jo e gjymtyrëve.” El-Feuaid.

Përktheu hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit