Këshillë bashkëshortore (5)

• Këshillë bashkëshortore

Nëse gruaja merr iniciativën për pajtim me burrin (d.m.th. nëse ndodhë të kenë fjalosje), ka shpërblim të madh tek Allahu. Duhet përpjekur që situatat e hidhërimit mes bashkëshortëve të mbarojnë sa më shpejt (të mos zgjasin), ngase sa më shumë që zgjasin aq më shumë shtohet zemërimi, hidhërimi, pastaj paragjykimet etj. Është obligim në Islam që rrugët të cilat çojnë në prishje mes raporteve, të shkëputen, sepse aq sa të zgjasin forcohen dhe shejtani depërton më shumë duke nxitur ngatërresa ndërmjet tyre. Shejtani ka qëllim që të bëjë ngatërresa mes bashkëshortëve. Iblisi e afron ushtarin e tij, e ngrit lartë, i cili vjen e i thotë: “Nuk i jam ndarë filanit (duke e nxitur provokime e ngatërresa në mes) derisa është ndarë nga gruaja e tij.” Meqë qenka kjo qëllim i shejtanit atëherë qëllimi i bashkëshortëve duhet të jetë që të mos lejojnë prishjen e rrënimin e raportit mes vete. Nëse ndodhë të kenë fjalosje, duhet të shpejtojnë për ta përmirësuar, duke mos e lënë të “trashet” çështja, ngase sa më shumë që vonohet përmirësimi, është më i vështirë pastaj. Dijetarët kanë përmendur se gruaja e burri duhet të jenë sikurse uji e zjarri, në kuptimin kur ka fjalosje, që d.m.th.: nëse njëri është zjarri atëherë tjetri duhet të jetë uji, që shuan zjarrin e nervozes dhe zemërimit. Nëse nuk veprojnë kështu atëherë raporti përkeqësohet. Nëse nuk kanë qëllim ruajtjen e raporteve ndërmjet veti atëherë ky raport shkon duke u përkeqësuar.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit