Largimi nga muzika dhe veglat muzikore

 

– Largimi nga muzika dhe veglat muzikore, me të gjitha llojet e tyre, qofshin me tel apo me frymë.
Është e ndaluar dëgjimi i tyre. Mëkati e ndalesa shtohet edhe më shumë kur ato shoqërohen edhe me këndim, me zëra të bukur, që nxisin epshin e njeriut. Allahu thotë: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues.” Lukman 6. Kur ibn Mesudi radijAllahu anhu është pyetur për këtë ajet ka thënë: “Pasha Atë (Allahun) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër, qëllimi këtu është muzika e shoqëruar me këndim (me këngë).” Të njëjtën gjë e thotë edhe ibn Abbasi dhe ibn Umeri radijAllahu anhuma. Po ashtu dhe ibn Kethiri rahimehullah e përmend po këtë interpretim të ajetit në tefsirin e tij prej Xhabirit, Ikrimes, Seid ibn Xhubejrit dhe Muxhahidit. Pra, po shohim se ky është komentimi prej sahabëve dhe tabiinëve mbi këtë ajet. Hasan el Basriu ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për muzikën dhe veglat muzikore.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka tërhequr vërejtjen dhe ka ndaluar prej muzikës dhe veglave muzikore, si dhe në një hadith këto i ka bërë bashkë me imoralitetin (zinan). Ka thënë: “Do të vinë disa njerëz prej umetit tim para Kiametit të cilët do ta lejojnë imoralitetin (حِرَ), mëndafshin[6], alkoolin dhe veglat muzikore.” Buhariu. Këtu po i krahason veglat muzikore me tri të tjerat, pra me mëkatet e mëdha (pra edhe muzika është prej mëkateve të mëdha). Si i bëjnë ata të lejuara? Duke i vepruar në mënyrë aq mospërfillëse ndaj këtyre ndalesave të Allahut saqë i veprojnë siç i veprojnë gjërat e lejuara (hallall); nuk e kanë problem veprimin e tyre. Dhe ky (veprimi i tyre) është qëllimi pse i bëjnë të lejuara ato. Disa dijetarë të tjerë thonë se i bëjnë të lejuara duke i quajtur me emra të tjerë (ua ndërrojnë realitetin). Kjo gjë ka ndodhur dhe është realitet sot. Shumë prej njerëzve përdorin veglat muzikore dhe e dëgjojnë muzikën e këngët e shoqëruara me të sikur të jenë diçka të lejuara. Ky është një “sukses” që e kanë arritur armiqtë e Islamit me bërjen kurth e intriga muslimanëve, saqë përmes muzikës i kanë penguar prej përmendjes e kujtimit të Allahut, i kanë larguar njerëzit prej gjërave që janë të rëndësishme për fenë dhe dunjanë e tyre, saqë shumë prej muslimanëve dëgjojnë muzikë më shumë sesa që dëgjojnë Kuran, hadithe, apo fjalë të dijetarëve (kur i sqarojnë dispozitat e ligjet e Islamit).

Ne si muslimanë, duhet pasur kujdes nga veprimi i gjërave që asgjësojnë agjërimin tonë apo gjërave që e mangësojnë shpërblimin e tij. Duhet të kemi kujdes që ta ruajmë agjërimin tonë prej fjalëve të kota, të këqija, të ndalura, po ashtu dhe prej veprave të ndaluara e të këqija. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që (gjatë agjërimit) nuk i lë fjalët e kota (të këqija, të ulëta), veprat e këqija (mëkatet e bëra me gjymtyrë të tjera) dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.” Buhariu. Kurse Xhabiri radijAllahu anhu thotë: “Kur të agjërosh, së bashku me ty të agjërojë dhe dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote prej gënjeshtrës dhe ndalesave (të gjuhës), dhe ndalo nga dëmi ndaj komshiut, le të vërehen tek ti shenjat e modestisë (qetësisë),[7] të mos jetë dita kur je agjërueshëm e njëjtë me ditën kur nuk je agjërueshëm!” Pra, duhet pasur dallim mes tyre. Agjëruesi duhet të ketë moral e sjellje të atillë që duhet të dallojë prej ditës në të cilën nuk është agjërueshëm.

[7] Nuk duhet të jesh njëjtë ashtu siç ndodh të jesh jashtë Ramazanit, duke qenë nervoz e zë ngritur.

[6] Në Islam mëndafshi është i ndaluar të vishet nga meshkujt.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit