Lidhur me hadithin “Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që e kam udhëzuar Unë”

Lidhur me hadithin “Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që e kam udhëzuar Unë”

Allahu thotë në një hadith kudsij: “O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që e kam udhëzuar Unë. Andaj, kërkoni prej Meje udhëzimin që t’ju udhëzoj!”

Udhëzimi duhet të kërkohet prej Allahut, siç po na mëson ky hadith kudsij, vetëm prej Tij, sepse udhëzimi është në Dorën e Tij. Kur njeriu e kërkon udhëzimin prej Allahut, kjo tregon dhe shfaqë dëshirën e tij që të jetë i udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj duhet patjetër që të përpiqet shumë në veprimin e shkaqeve të udhëzimit. Nëse e dëshiron udhëzimin dhe vepron shkaqet e udhëzimit, atëherë Allahu i jep sukses, e inspiron dhe e drejton drejt udhëzimit.

Allahu në raport me krijesat e Tij vepron me drejtësi absolute. Një grup të njerëzve e ka veçuar me teufik – inspirim, sukses, drejt së vërtetës, i ndihmon në kryerjen e veprave dhe shkaqeve përmes të cilave e arrijnë kënaqësinë e Tij. Allahu thotë: “A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi?” Duha 7.

Udhëzimin duhet ta kërkojë çdokush, edhe ai i cili prin me vepra të mira. Siç e dimë, njerëzit ndahen në tri kategori, që të gjitha e kanë për detyrë ta kërkojnë udhëzimin:

  1. Ata që prin me vepra të mira.
  2. Ata që janë të mesëm (kryejnë obligimet dhe largohen prej mëkateve, porse nuk kanë shumë vepra të mira vullnetare).
  3. Ata që bëjnë mëkate.

Udhëzimi është kërkesa më madhështore drejtuar Allahut.

Udhëzimi ka dy nivele:

  1. Udhëzimi për në rrugën e drejtë. Kjo përfshin orientimin kah ajo, gjithashtu inspirimin dhe dhënien sukses drejt saj.
  2. Udhëzimi drejt detajeve të besimit, akides, Islamit, gjërave që i do Allahu.

Duhet ta lusim gjithmonë Allahun që të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Nëse e lusim sinqerisht Allahun për udhëzim, Ai do t’i përgjigjet lutjes sonë dhe do t’na udhëzojë në rrugën e drejtë.

 

Shkëputje nga seria e derseve rreth dyzetë haditheve te imam Neveviut (komentim).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit