Rezultati i diturisë është vepra-9

Çështja e nëntë

ALLAHUT T’I KËRKOHET NDIHMË PËR VËNIEN E DITURISË NË
VEPËR

Më herët e përmendëm se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) çdo ditë e thoshte këtëdua: “O Allah! Kërkoj nga Ti dituri të dobishme, risk të mirë dhe vepër të pranuar”.

Është shumë me vend që kjo dua e bekuar të thuhet në fillim të ditës, sepse dita është sheshi i veprave dhe qëllimeve të muslimanit. Dita e muslimanit duhet t’i ketë vetëm tri gjëra: diturinë e dobishme, veprën e pranuar dhe riskun e mirë.

Për këtë, është shumë me vend që pasi të falesh, ditën ta fillosh me këtë dua: “O Allah! Kërkoj nga Ti dituri të dobishme, risk të mirë dhe vepër të pranuar”, më pas ta fillosh ditën, duke qenë se kërkove ndihmën e Allahut që të të ndihmoj për të kërkuar dituri, të të jap përkushtim ndaj veprave dhe për ta arritur riskun (furnizimin).

Çështja e dhjetë

QORTIMI I ATYRE QË NUK PREOKUPOHEN ME VEPRA

Nga selefët janë përmendur shumë transmetime rreth qortimit të atyre që nuk preokupohen me veprat, siç janë fjalët e Ebu Hurejres: “Shembulli i diturisë që nuk veprohet me të i ngjason shembullit të një thesari që nuk shpenzohet në rrugën e Allahut”[1].

Imam Ahmedi është pyetur për personin që angazhohet shumë me shënimin e haditheve, dhe është përgjigjur: “Ai duhet të veprojë aq sa ka mësuar hadithe”, pastaj ka shtuar: “Shpenzimi i diturisë është sikurse shpenzimi i pasurisë, sepse sa më tepër shtohet pasuria aq më tepër shtohet zekati i saj”.[2]

Hatib el Bagdadi thotë: “Pasuria nuk ka vlerë nëse nuk shpenzohet, ashtu edhe dituria, nuk i bën dobi atij që nuk vepron me të dhe nuk i kryen obligimet e saj. Njeriu duhet të mendojë mirë për veten e tij dhe ta shfrytëzoj kohën, sepse jeta është e shkurtër, vdekja është afër, rruga është me rreziqe dhe mashtrime të mëdha, rreziku është i madh dhe Allahu shikon dhe vrojton, dhe tek Ai është kthimi: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush kabërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë”.[3] (Zelzele/7-8)

Kurse Hasen el Basriu thotë: “Kurani ka zbritur për të punuar me të, kurse leximin e tij njerëzit e kanë bërë punë”.

Lidhur me këtë thënie, Ibnul Xhevzij në librin e tij “Telbisu Iblis”, thotë: “Do të thotë se ata janë kufizuar vetëm me leximin e tij kurse e kanë braktisur të vepruarit me të”.[4]

Ibrahim ibën Ed’hemit i kishte thënë një njeri: Allahu thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!”, (Gafir/60) atëherë si është halli ynë kur ne po lutemi, por nuk pranohen duatë tona?!”

Ibrahimi i është përgjigjur: “Për shkak të pesë gjërave”.

Ai i tha: “Cilat janë ato?!”

Ai u përgjigj: “E keni njohur Allahun dhe nuk i kryeni obligimet e Tij, e lexoni Kuranin dhe nuk veproni me të, keni thënë: E duam Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) dhe keni braktisur sunetin e tij, keni mallkuar Iblisin por në anën tjetër e ushqeni atë, dhe e pesta: i keni anashkaluar të metat e juaja dhe jeni preokupuar me të metat e të tjerëve”.[5]

Sufjan Theuriu thotë: ‘Allahu e mëshiroftë Ebu Hazmin[6] i cili ka thënë: “Sot njerëzit janë të kënaqur vetëm me diturinë dhe kanë braktisur veprat”.'[7]

Malik ibën Dinari thotë: “Nëse njeriu kërkon dituri për të vepruar me të, atëherë dituria do ta bëjë njeri të qetë. Por, nëse kërkon dituri për ndonjë qëllim tjetër, atëherë ose do t’ia shtojë arrogancën ose do t’ia shtojë mburrjen”.[8]

Abdullah ibën Mu’tezi thotë: “Dituria pa vepër është sikurse pema pa fruta”. Ai gjithashtu thotë: “Dituria e munafikut është vetëm në fjalët e tij, kurse dituria e besimtarit është në veprën e tij”.

Ma’ruf el Kerhi thotë: “Kur Allahu ia do të mirën një robi, ia hapë derën e veprave dhe ia mbyllë derën e fjalosjeve dhe polemikave të kota. Ndërsa, kur një robi ia do të keqen, i hapë derën e fjalosjeve dhe polemikave të kota dhe ia mbyllë derën e veprave”.

Hasen el Basriu kur kishte dëgjuar disa njerëz që po polemizonin mes veti, kishte thënë: “Vërtet këta njerëz janë mërzitur nga ibadeti, fjalët u vinë më lehtë, u është pakësuar frika ndaj Allahut, andaj dhe fjalosen”.[9]

Bishër ibnul Harith thotë: “Dituria është e mirë për atë që vepron me të, por për atë që nuk vepron me të është shumë e dëmshme”.

Sufjan Ibën Ujejne thotë: “Nëse dituria nuk të bën dobi, ajo do të bëjë dëm”.

Lidhur me këtë thënie, Hatibi thotë: “D.m.th. nëse dituria nuk i bën dobi duke vepruar me të, atëherë ajo do t’i bëjë dëm duke qenë argument kundër tij”.[10]

E përfundoj këtë (broshurë) me një porosi të madhe dhe emocionuese të Hatib el Bagdadit, i cili në librin e tij thotë:

“Të porosis ty – nxënës i dijes – të kesh sinqeritet në kërkimin e diturisë, të japësh mund për të vepruar me të, sepse dituria është sikurse pema dhe frutat e saj janë veprat, sepse nuk konsiderohet dijetar ai që nuk vepron me diturinë e tij.

Nuk mund të jesh i afërt me veprat përderisa je i huaj për diturinë dhe, nuk mund të jesh i afërt me diturinë përderisa tregohesh neglizhent me veprat, por duhet t’i bashkosh të dyja edhe nëse janë të pakta. A ka njeri më të ulët sesa një dijetar, diturinë e të cilit e braktisin njerëzit për shkak të metodës së tij të prishur, dhe një injorant të cilit njerëzit ia marrin injorancën duke shikuar në ibadetin e tij. Andaj pak nga dituria dhe pak nga veprat do të jetë shpëtuese në ahiret nëse Allahu bënë mirësi me mëshirën dhe mirësinë e Tij.

Por, nëse (qëllimi i kërkimit të diturisë) është se si të mbrohesh dhe në anën tjetër tregohesh neglizhent në vepra, dëshira për të folur gjatë, për t’i ulur të tjerët, për të qenë më rehat, atëherë këto do të kenë përfundim poshtërues dhe të dhembshëm, sepse dituria duhet të kërkohet për t’u praktikuar, sikurse që vepra bëhet për të shpëtuar. Dhe nëse vepra mbetet larg diturisë, atëherë ajo dituri do të jetë barrë për dijetarin. Allahu na ruajtë që dituria të na bëhet barrë dhe të na sjellë poshtërim!”

Me këtë përfundojnë fjalët rreth kësaj teme, duke e lutur Allahun (azze ve xhel-le) që këtë vepër ta bëjë argument për ne e jo kundër nesh, të na japë dobi nga dituria që na e ka dhënë dhe të na jap dituri e cila na sjell vetëm dobi, të na e shtoj diturinë dhe të na përmirësojë të gjitha çështjet tona.

I pastër prej të metave je o Allah dhe Ty të takon lavdërimi dhe falënderimi. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Teje. Nga Ti kërkoj falje dhe Ty të pendohem!

Salavatet, selamet, bekimet dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhammedin (salallahu alejhi ve selem) si dhe mbi familjen dhe shokët e tij!

Autor: Dr. Abdurrezak el bedr

Përktheu: Jeton Bozhlani

________________________________________

[1] Transmeton Hatibi në librin “El Iktidau” (12), kurse Abani thotë: Senedi i tij është mevkuf dhe i pranueshëm.

[2] Po aty (148).

[3] Po aty: fq: 20.

[4] Fq: 138.

[5] Xhamiu Bejanil Ilmi (1220).

[6] Ebu Hazmi është Selime ibën Dinar el A’rexh, i cili ishte ndër njerëzit e devotshëm, ibadetgjinj dhe të besueshëm.

[7] Transmeton Imam Ahmedi në “El Ilel”: (2659).

[8] Transmeton Hatibi në librin “El Iktidau” (31, 32, 33), Kurse shejh Albani thotë: “Senedi i tij është mevkuf dhe i pranueshëm”.

[9] Fadlu Ilmi Selef: 37.

[10] Të gjitha këto thënie të selefëve janë marrë nga libri “Iktidaul Ilmi el Amelu” i Hatib el Bagdadit.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva