Rrezikshmëria e thashethemeve

Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. E lusim Allahun të na mbrojë prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona (të liga). Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush që e lajthit, dhe kë e largon nga rruga e drejtë, s’ka udhëzues për të. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut, i Cili është Një dhe i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është rob dhe i dërguar i Tij.

Më tej:

O robër të Allahut, ju këshilloj juve dhe veten time – së pari – me frikë dhe me bindje ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të vërtetë (në fjalë dhe në vepra)!” (9:119)

Vëllezër myslimanë, vërtet se prej sëmundjeve më të rrezikshme dhe dëmeve më të mëdha, të cilat i rrënojnë individët dhe shoqëritë, është sëmundja e thashethemeve. Thashethemet janë përsëritja/ritregimi i çështjeve që përmenden dhe rrëfehen; çështje këto që ndërlidhen me pjesët më të veçanta të jetës njerëzore, si: shëndeti, siguria, ushqimi, pasuria, autoriteti, nderi dhe të ngjashme me këto. Rrezikshmëria e thashethemeve vjen për tri shkaqe:

• Shpejtësia e përhapjes së tyre. Thashethemet mbartin në vete lajme të çuditshme, që janë në të kundërtën e së rëndomtës dhe të zakonshmes. Ndërkaq, njeriu është i prirë të dojë çdo gjë që është e çuditshme (e pazakontë), kështu që i përhap ato shpejt, pa ngurrim dhe pa u siguruar mirë (në janë të vërteta).

• Fuqia e lajmit (që përmban thashetheme) dhe numri i shumtë i atyre që e përcjellin, gjë që thërret në pranimin e tij si të vërtetë, edhe pse (në realitet) është një rrenë e shpifur dhe një mirazh jo real.

• Të vepruarit dhe marrja e qëndrimeve në bazë të thashethemeve, për shkak të hamendjes se ato janë e vërteta e qartë dhe realitet i pakontestueshëm. Në këtë mënyrë, lëkundet siguria (rehatia) dhe përhapet shqetësimi e çrregullimi (rrëmuja).

Vëllezër të nderuar, vërtet se thashethemet janë sëmundje e moçme. Ato ishin të pranishme edhe në kohën e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe nuk shpëtoi prej tyre as nderi dhe as familja e tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Prej thashethemeve të fuqishme të cilat kishin ngjarë gjatë kohës së mirësisë dhe vlerës ishte akuzimi i nënës së besimtarëve – të sinqertës, bijës së të sinqertit – Aishes (radijAll-llahu anha), me shpifje dhe me trillim të qartë; akuzë kjo e cila përcillej me gjuhët e hipokritëve dhe nga një numër tepër i vockël prej besimtarëve. Allahu i Patëmeta e pastroi atë nga shpifja prej sipër shtatë qiejve. Allahu i Lartësuar tha: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?! (24:11-12). Dhe tha: “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse, kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk na ka hije të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje madhe!”Allahu ju paralajmëron që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë. Allahu ju shpjegon shpalljet, se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm. Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini” (24:15-19).

Përmes këtyre vargjeve, besimtarëve u tregohet metodologjia të cilën ata duhet ta ndjekin në çdo kohë e çdo vend gjatë përballimit me thashethemet tendencioze. Vërtet, thashethemet janë sëmundje e rrezikshme e gjuhëve. Myslimani e ka obligim që ta ruajë gjuhën e tij nga çdo gjë që nuk i hyn në punë, si dhe nga çdo që përmban mëkatim ndaj Allahut të Patëmeta. Allahu thotë: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe nga e majta, dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)” (50: 16-18).

Gjithashtu, le ta përmendim fjalën e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kush më garanton mua se do ta ruajë atë që posedon mes dy nofullave dhe mes dy këmbëve të tij, unë ja garantoj atij Xhenetin” (d.m.th. gjuhën dhe organin gjenital, sh.p.) (Buhariu dhe Muslimi). Transmeton Tirmidhiu nga Ukbete bin Amir se ka thënë: Kam pyetur: “O i Dërguar i Allahut, çka është shpëtimi?” Tha: “Zotëro me gjuhën tënde, rri në shtëpinë tënde dhe qaj për mëkatet tua”. Pastaj, ne duhet të sigurohemi dhe mos të marrim si të vërtetë çdo gjë që thuhet e flitet. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt pa dashje e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë” (49:6). Gjithashtu, njeriu nuk duhet të përcjellë çdo gjë që dëgjon, sepse ai që vepron ashtu, gjithsesi do të bjerë në gabim, për arsye se është gati e pamundur që thëniet e njerëzve të mos përmbajnë gënjeshtra. Lidhur më këtë, thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Njeriut i mjafton si gënjeshtër rrëfimi i çdo gjëje që dëgjon”(Muslimi). Bile, edhe nëse e di se lajmi është i vërtetë, ai nuk duhet ta përcjellë tek te tjerët, vetëm nëse në përcjelljen e tij kanë dobi myslimanët. E, si mendon, nëse e ai e di se në përcjelljen e tij ka dëm?! Transmetohet nga Ebu Hurejrete se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë” (Buhariu dhe Muslimi). Ky hadith tregon se duhet të përmbahemi nga të folurit, përveç nëse është i mirë, d.m.th. nëse dobia e tij është e dukshme. Ndërsa, nëse dobia e tij është e dyshimtë, atëherë nuk bisedohet. Thashethemet duhet t’i ballafaqojmë përmes mendimit më të mirë për vëllezërit tanë myslimanë dhe të punojmë për të mirën e fesë dhe të umetit tonë. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime (paragjykime) , se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë” (49:12). Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: “Mos mendo për fjalën e cila del nga vëllai yt veçse mirë përderisa i gjen rrugëdalje në të mirë”.

Përshtati: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit